Na ndiqni

Xhudo

Erza Muminoviq, xhudistja që mund t’i sjell Kosovës medalje Olimpike nga Buenos Aires 2018

Nga: Mediat Shqiptare Më: 18 shtator 2018 Në ora: 10:29
Erza Muminoviq

Erza Muminoviq është garuesja e vetme me normë që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të rinj, Buenos Aires 2018, të parat për vendin tonë.

Xhudistja nga Peja është kampione e Evropës për kadete (U-18). Ajo fitoi medaljen e artë në evropianin e mbajtur në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës në fund të muajit qershor të këtij viti.

16-vjeçarja e “prodhuar” në Fabrikën “Ippon”, është kandidate për të fituar medalje Olimpike në Buenos Aires 2018. Ajo momentalisht kryeson renditjen botërore të xhudisteve në kategorinë -44 kilogramë.

“Dëshira e madhe për sportin e xhudos më ka frymëzuar që të merrem me këtë sport”, thekson Erza për “noc-kosovo.org”. “Normalisht nuk e kam pritur që do ta fitojë normën Olimpike, por pas të gjitha sukseseve të këtij viti unë ia arrita këtij qëllimi”, shton ajo.

Trajneri i saj, Driton Kuka, kampion Olimpik nga RIO 2016, ku Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë, e sheh Erzën si kandidate serioze për të fituar medalje në Olimpiadën e të rinjve.

Erza dhe Majlinda, jo vetëm që janë të një klubi dhe kanë të njëjtin trajner, i lidh edhe diçka tjetër. “Erza është një vajzë e lindur në Pejë dhe jeton vetëm 50 metra larg nga palestra e klubit Ippon”, tregon Kuka për garuesen e vet, e cila është fqinje me Majlindën.

“Është vajzë e talentuar, e cila potencialin e saj në arenën ndërkombëtare e ka treguar sivjet.

Për mua ajo është tregues që kemi krijuar kontinuitet të punës serioze dhe të rezultateve. Erza është kandidate serioze për medalje në Argjentinë. Ky është synimi ynë patjetër. Ka gjasa reale”, thekson Driton Kuka.

Por, a është Erza pasardhëse e Majlinda Kelmendit. “Për të folur se a kemi një pasardhëse të Majlindës është herët të flitet, por Erza me punë serioze besoj që do të bëhet sportiste kulminante në të ardhmen”, shton përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës.

“Mendoj që jo vetëm për mua, por për të gjithë xhudistët idhulli jonë është Majlinda Kelmendi”, shprehet Erza.

Optimist se Erzën do ta shohim në podium është edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani. “Nisur nga fakti se Erza është renditur e para në renditjen botërore për kadete (kategoria -44 kg), dhe mbështetur në

përgatitjet e realizuara nga KOK dhe Federata e Xhudos së Kosovës, jam i bindur se Erza do të ngjitet në podium për medalje”, tha presidenti Hasani.

Kosovën në Buenos Aires 2018 do ta përfaqësojnë edhe katër sportistët tjerë: Erdonis Maliqi (boks), Muhamet Ramadani (atletikë), Bleron Fetaovski (peshëngritje) dhe Melisa Zhdrella (not), të cilët përfaqësohen me ftesë.

LOV për të rinj Buenos Aires 2018 mbahen prej 6-18 tetor në Buenos Aires të Argjentinës.

Rezultatet e Erza Muminoviqit gjatë vitit 2018

Kampionati Evropian për juniore (U-21) “Sofia 2018” – raundi i parë

Kampionati Evropian për kadete (U18) “Sarajeva 2018” – medalja e artë

Kupa Evropiane U-21 “Leibnitz” – medalja e argjendtë

Kupa Evropiane për kadete “Coimbra 2018” – medalja e argjendtë

Kupa Pan Amerikane U18 “Panama 2018” - medalja e artë

Kupa Evropiane për kadete “Teplice 2018” – medalja e bronztë

Kupa Evropiane për kadete “Berlin 2018” – medalja e artë

Kupa Evropiane U21 “Sarajeva 2018” – medalja e argjendtë

Kupa Evropiane “Zagreb 2018” – medalja e bronztë

Kupa Evropiane “Antalya 2018” – vendi i 5-të

Kupa Evropiane “Follonica 2018” – medalja e argjendtë.

Image
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test