Na ndiqni

Volejboll

Krasniqi: Nuk kemi cilësi, kemi vetëkënaqësi

Më: 14 maj 2018 Në ora: 14:08
Naser Krasniqi

Para pak ditëve përfundoi edicioni në volejboll në të dyja konkurrencat (femra e meshkuj), për disa ekipe ka qenë jashtëzakonisht i mirë e për disa dështues.  Drita nga Gjilani është kampione e re dhe fituese e Superkupës, Kastrioti i Ferizajt, fitues i Kupës së Kosovës. Prishtina Volley (femrat) ka pasur edicion të mirë që drejtohet nga trajneri Naser Krasniqi.

Megjithatë, Krasniqi nuk është i kënaqur me cilësinë në përgjithësi të sportit skofiar. Ai flet edhe për rivalen e re nga kryeqyteti Prishtina F, dhe a ndjehen trajnerët meshkujt të rrezikuar nga gjinia e kundër, që dy janë edhe trajnere si Vildane Jashari në KV Kastrioti dhe Ganimete Gërbovci KV Prishtina F.   

“Bota sot”:  Si e vlerësoni edicionin e sapo përfunduar për ekipin e Prishtina Volley-t?

Naser Krasniqi: Në edicionin e kaluar klubi kishte ambicie më të mëdha se këtë vit, mirëpo nuk u realizuan këto synime tona.

“Bota sot”: A ishte cilësia më e mirë në përgjithësi të ligës?

Naser Krasniqi: Klubi sikurse edhe dy vitet paraprake në fund renditet i katërti në tabelë. Mirëpo, e veçanta e këtij viti ishte se ne klub kemi edhe risi në kuadrin e lojtareve. Liga ishte më interesante këtë vit, shkëputje nga katër ekipet tjera nga tetë sa janë në ligë, e bëjnë garën më interesante kah përfundimi. Sa i përket cilësisë nuk duhet të jemi të kënaqur apo të shprehim vetëkënaqësi sepse të gjithë e dimë se si është cilësia, kjo matet me gara ndërkombëtare. Pra nuk kemi akoma cilësi, po kemi vetëm vetëkënaqësi të tepruar.

“Bota sot”: Edicioni i ri do të jetë edhe më interesant, për faktin se elitës i shtohet edhe një ekip e kryeqytetit, Prishtina F. do të jetë rivale e madhe e klubit tuaj?

Naser Krasniqi: Sa i përket edicionit të ri ne akoma është herët të japim parashikime se si dhe kush do jetë rival. Mendoj se rikthimi i KV Prishtinës është i mirëseardhur për ne si dy klube të kryeqytetit dhe do të dëshiroja që ta kthejmë at rivalitetin e para disa viteve që e kishim mes vete.

“Bota sot”: A do të përforcoheni për edicionin e ri dhe ku keni më së shumti nevojë?

Naser Krasniqi: Mendoj se ka ardhur koha të vetëdijesohemi dhe të ndërrojmë politikat që i kemi përcjellë gjer me tani. Kjo domethënë se duhet të bazohemi në lojtaret e reja të talentuara që dalin nga shkollat e volejbollit. Pra, duhet të përtërihet skuadra duke marr parasysh faktin se këto dy vite të fundit klubin e kanë braktis disa lojtare me përvojë që e kanë përfunduar karrierën sportive ose e kanë ndërprerë volejbollin për shkak të lëndimeve serioze. Pretendimet tona janë të reformojmë ekipin me lojtare të reja që vijnë nga ekipi i para të rejave të klubit.

“Bota sot”: A keni frikë se ndonjë lojtare mund t'ua rrëmben Prishtina F, Kastrioti apo Drita?

Naser Krasniqi: Fjala frikë te unë nuk ekziston sa i përket volejbollit, është e drejt e çdo sportisti ta zgjedh klubin i cili i konvenon më së shumti. Kështu që, nuk me bënë fare përshtypje kjo punë dhe se këto gjëra në sport janë normale.

“Bota sot”: Çfarë premton Naser Krasniqi?

Naser Krasniqi: Premtimet asnjëherë nuk i bëjë publike, para se të sigurohem mirë se a mundem këto premtime mi realizuar. Por do të mundohem me të gjitha forcat që klubit tim të ia kthej namin që ka dhe ti rikthej titujt dhe kupat në vitrinat e klubit më të suksesshëm të pasluftës. Jemi të vetëdijshëm që kjo nuk është lehtë sepse duhet kohë, punë konkrete e jo fjalë boshe e premtime.

“Bota sot”: Tetë ekipe në elitë, dy nga to udhëhiqen nga trajneret femra, Vildane Jashari në KV Kastrioti dhe Ganimete Gërbovci në KV Prishtina F., a po sfidohen meshkujt në këtë zeje?

Naser Krasniqi: Kjo është një dukuri e mirë që po i ndodhë volejbollit. Te dy trajneret janë ish lojtare që kanë dhënë shumë për volejboll dhe se nuk dyshoj fare se nuk do të jenë të suksesshme edhe në pozitën e trajnereve në Superligë, bile janë shumë më të përshtatshme që edhe si femra edhe si ish lojtare të udhëheqin ekipe femrash për shumë arsye.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test