Na ndiqni

Turizëm

Voskopoja, e bukur dhe e vizitueshme në të katër stinët

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 07:25
Voskopoja

Voskopoja, në krahun perëndimor të qytetit të Korçës, mbetet një nga qendrat më të bukura turistike në vend që vizitohet në çdo stinë.

Në këto ditë nëntori Voskopoja vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i vizitorëve të cilët eksplorojnë bukuritë natyrore të ndërthurura me objektet e kultit.

Është e bukur në pranverë ku natyra, gjelbërimi dhe ngjyrat e stinës bëhen bashkë për të krijuar tablo natyrore mjaft piktoreske, në verë kur temperaturat janë ideale për të larguar të nxehtin dhe kaosin e qyteteve të mëdha; në vjeshtë ku e kaltra e qiellit, përzihet me ngjyrën e kuqërreme të gjetheve dhe të gjelbrën e barit mbi lëndina; në dimër me bardhësinë dhe mundësinë për të ushtruar sportet dimërore.

Djep i kulturës bizantine ndër shekuj, plot histori e trashëgimi monumentale, kulturë, art,  ashtu siç tregohet nga historia ka qenë një qytet i banuar që nga vitit 1330 që arriti kulmin e lulëzimit në 1764, kur kishte më shumë se 30.000 banorë, 24 kisha, akademi, bibliotekë dhe shtypshkronjë.

Sot ruan ende vlera të mëdha të artit mesjetar dhe copëza të shkëlqimit të dikurshëm me Kishën e Shën Athanasit dhe Manastirin e famshëm të Shën Prodhromit, transmeton atsh.

E pozicionuar bukur mes kodrave, pyjeve me gjelbërim të përhershëm, Voskopoja është vendi ideal për t’u vizituar, në të gjitha stinët e vitit.

Gjen aty një pistë skish për dimër, ajër të pastër, mikpritje dhe ushqim të shkëlqyer. Është vendi ideal për zhvillimin e turizmit malor dhe llojeve të tjera të sporteve verore dhe dimërore.

Pasi të keni vizituar objektet e famshme të artit bizantin që ruajnë ende vlera të rralla e të papërsërishme, mund të shijoni gastronominë tradicionale të zonës duke patur në krye të tryezës lakrorin e famshëm. Në Voskopojë i gjen të gjitha.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test