Na ndiqni

Turizëm

Shqipëria s’ka vetëm bregdetin, më shumë mundësi edhe për turizmin malor

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 12:37
Turizmi malor në Shqipëri

T’i ndash pushimet në dy pjesë, është një zgjedhje e zgjuar!

Unë e provova këtë vit, më shumë në formë eksperimentale, por që rezultoi e suksesshme. Pse e them këtë? Po ja, disa ditë në korrik dhe disa ditë në gusht, e bëjnë më të përballueshme thatësirën e verës, është një lloj “triku” për të shkurtuar këto dy muaj në punë dhe për t’u rigjeneruar për të dytën herë (pasi pushimet harrohen shpejt) dhe tak…vjen shtatori, ikën i nxehti përvëlues, dhe “mblidhet mendja” për të nisur një sezon të vrullshëm pune. Arsyeja e dytë është ajo ekonomike. Dihet që me pagat që ka pjesa më e madhe e popullsisë, 15 ditë pushime pushime janë të papërballueshme(vetëm nëse ke kursime mënjanë për këtë qëllim). Kështu, rigjeneron llogarinë bankare muajin e dytë, dhe ia bën “hallall” vetes dhe familjes disa ditë të tjera larg rutinës së përditshme dhe vapës zhuritëse. Pasi ia “ke nxjerr fundin” pushimeve bregdetare, me të mirat dhe të këqijat e tyre, dhe në fund e ke marrë me vete trofeun(atë ngjyrën bronxato), disa ditë pushime jobregdetare do të ishin ideale për të plotësuar pazëllin e plotë të pushimeve të shumëdëshiruara vjetore.

Pogradeci “me të gjitha”

I ka të gjitha! Përpos kripës së detit, i ka të gjitha. Tre ditë të pushimeve të mia familjare, ia dedikova Pogradecit. U rikthyem sërish, pasi kishim kaluar edhe 3 ditë një vit më parë. E gjeta po njësoj. Asgjë s’kishte ndryshuar, as për mirë, dhe as për keq. As ajo rruga Pogradec-Tushemisht(zona më turistike e këtij qyteti) nuk kishte ndryshuar. Është një rrugë prej vetëm 6.1 km, por që nuk është vënë dorë në vite. Ky segment që mund të shndërrohej në një shëtitore të shkëlqyer, vetëm “gojë” të shprehë pakënaqësinë nuk ka! Megjithatë të mirat e Pogradecit, qytetit të paqtë, miqësor, të butë, e mundin këtë defekt lehtësisht të riparueshëm, që mesa duket së fundmi është përcaktuar një fond për rikonstruksion. Nëse vendos të pushosh në Pogradec, në akomodim të ofron mundësi të ndryshme, nga qendra deri në Tushemisht, si zona më e preferuar për turistët(aty ku është luajtur filmi i famshëm i aktores së madhe Violeta Manushi).

Hotelet dhe shtëpitë e banorëve janë në pritje të pushuesve vendas e të huaj. Shtëpitë buzë liqenit përgjatë fshatit turistik të Tushemishtit, fillojnë me çmime nga 1500 lekë nata për një dhomë dhe maksimalisht shkojnë deri në 2500 lekë, pa mëngjes. Banorët kanë investuar në shtëpitë e tyre dhe i përdorin si burim të ardhurash gjatë sezonit të shkurtër veror në këtë qytet. Ndërsa hotelet e mira, variojnë nga 3500 lekë nata me mëngjes të përfshirë për një dhomë dyshe, dhe 4500 për një dhomë 3-she apo 4-rshe me mëngjes. Çmimet e kafeve dhe ujit janë normale, 70-80 lekë, të pijeve po ashtu. Në Pogradec mund të hash një drekë apo një darkë me një faturë normale, pa u trembur se çfarë do të sjellë kamarieri në fund, dhe madje, një pjatë fruta nga lokali, në disa prej restoranteve të zonës, “të përkëdhel”, pavarësisht se nuk të bën diferencë në shpenzimet e pushimeve. Lakrorin e famshëm mund ta gjesh kudo, e gatuajnë zonjat nëpër shtëpi, por edhe hotelet, i cili është i bollshëm dhe kushton nga 800-1000 lekë dhe e porosit sipas dëshirës.

Porosia më e shtrenjtë në lokal është tava e famshme e koranit, që shkon 1400 lekë për dy persona, e gatuar në versionin normal si dhe me pana e arra, ndërsa çmimet e tjera janë mëse normale. Belushka është një tjetër zgjedhje e mirë për të shijuar në një dreke apo darkë. Një drekë normale(pa u kursyer) për dy persona në zonën turistike të Tushemishtit vërtitet tek 3 mijë lekëshi. Pavarësisht mungesës së detit, rrezet e diellit mund të merren edhe në bregun e liqenit. Me 300 lekë që kushton çifti i shezlongeve gjithandej, mund të qëndrosh gjatë gjithë ditës. Por çfarë mund të bësh në Pogradec? Voloreka, “Ollga”, shëtitorja e Pogradecit, një xhiro me varkë, janë disa nga opsionet që mund të kalosh ditën në këtë qytet të paqtë dhe miqësor. Vetëm qetësia që të ofron përmes kombinimit perfekt midis shërbimit, qytetarisë, natyrës dhe ushqimit, nuk ka të paguar. Ah! Për të mos u harruar! Ndërsa pothuajse të gjithë vendin e “djeg” zhegu i vapës, në Pogradec fle dhe zgjohesh me temperaturën 18 gradë C.

Një xhiro në “Parisin e vogël”

Në një ditë të freskët në Pogradec, ku liqeni fryn dhe rrezet e diellit janë ftohta, vendosëm të bënim një xhiro të “shpejtë” të paplanifikuar në Korçë, i ashtuquajtur jo pa meritë “Parisi i vogël”. Aksi kombëtar Pogradec-Korçë nuk është premtues, pasi vetëm i tillë nuk mund të quhet, dhe arnat po ashtu, ta zbehin pak “qejfin” e nisjes, megjithatë, edhe një kompromis i vogël në dukje, ia vlen për Korçën e bukur. Në këtë qytet mund të gjesh gjithçka, parqet, kulturën, estetikën, rrugët e “qëndisura”, trotuare të bollshme dhe miqësore me karrocat e fëmijëve (vështirë t’i gjesh në qytete të tjera”). I vetmi qytet që ofron turizëm në çdo ditë të vitit dhe që vlen të vizitohet pavarësisht stinës. Zona e Pazarit të Vjetër e restauruar së fundmi do të përbënte ndalesën e parë, disa foto dhe një kënaqësi më vete shëtitja në një hapësirë që gëlonte nga rinia. Përveç se të kthente pas në kohë me ndërtesat e restauruara bukur dhe rrugët me kalldrëm, kishe mundësi të bëje pazar dhe të blije gjëra me të vërtetë interesante, shumica të bëra nga vetë zanatçinjtë e Korçës, që jo kudo i gjen. Vërtet kafeja kushtonte 100 lekë në Pazar, por ujin e kishe falas dhe mund ta pije pa merak.

Kam vizituar pothuajse çdo qytet të Shqipërisë, por asnjëherë më parë nuk kam parë broshura me një listë të bollshme eventesh kulturore qe synojnë t’i mbushin cilësisht ditën si qytetarëve vendas, por edhe turistëve. Ato i gjeje të vendosura thuajse në çdo tavolinë lokali. Pedonalja, Katedralja, Parku Rinia, Mësonjëtorja e Korçës, janë disa nga vendet që vizituam dhe memorizuam kujtimet përmes fotove. Ndryshe nga shpirti eksplorues që na karakterizon si familje, këtë herë vendosëm që drekën ta konsumonim në një vend të rekomanduar nga shokë tanë vendas, të cilët e njohin mirë zonën. Kështu, eliminuam opsionet një nga një, të Dardhës, Voskopojës për shkak të largësisë dhe rrugës, dhe zgjodhëm Boboshticën, si një zonë ku hahet mirë dhe shumë afër me qytetin. Dhe rekomandimi nuk zhgënjeu. Një nga tavernat e zonës, konsumuam një drekë e cila do të kryesonte drekat e të gjitha pushimeve, për nga shija, cilësia dhe çmimi. Por ajo që na ra në sy ishte sjellja jo e zakontë(për mirë) e kamarierit. Pasi shohim menunë, i themi që duam të porosisim një pulë Boboshtice (na kishte rrahur veshin ky term) -Ja të pyes, nëse kemi, përgjigjet ai. Kthehet pas pak minutash dhe thotë:- Ka vetëm kokoshë dhe janë të mëdhenj.

Për ju që jeni dy veta, nuk jua rekomandoj! Nuk ia vlen të paguani 3 mijë lekë për një kokosh që nuk do ta konsumoni! -Hera e parë që dëgjoj në restorante dikë që të shqetësohet për “xhepin” e klientëve, ndërsa në pjesën më të madhe jemi mësuar me abuzime çmimesh pa kriter. Porosisim sallatën e shefit, të cilën ishte hera e parë që e provonim. Një kombinim perfekt i disa ingrendientëve dhe rezultati ishte fantastik. Edhe në këtë rast, kamarieri na ktheu një porosi, salcën e kosit, duke na thënë që e përmban sallata. Porosisim mishin e freskët, patate, të brendshme dhe gjithçka ishte e përkryer. Në fund, nuk mund të ikje nga restoranti pa provuar kosin me mjaltë dhe arra, si dhe një kupë akullore sipër, për ta bërë sërish që të jetë  “i veçanti”. Dhe suksesin e tavernës e tregonte më së miri numri i lartë i automjeteve të parkuara jashtë dhe fluksi i klientëve që po konsumonin drekë (një pjesë e mirë personazhe të njohura publike) Me një drekë të tillë, prej vetëm 2700 lekësh, ia vlen të kthehesh sërish. Ndërsa ajri i pastër, freskia që të dhuronte fshati, panorama, tavernat njëra pas tjetrës dhe lumi që duket sikur të uronte mirëseardhjen, ishin një “strofull” e shkëlqyer relaksi.

N’Bjeshkë të Bekuara

Duke qenë një vend i vogël, prej 28 mijë km 2, Shqipëria të jep mundësinë e lëvizjes nga jugu në veri edhe brenda atyre dy javëve të “shenjta”. Luginën e Valbonës e vizitoj thuajse çdo vit, apo dy herë në vit, kjo jo vetëm për efekte turistike, por edhe për shkak të lidhjeve familjare. Megjithatë, në Valbonë ia vlen të kthehesh herë pas here, edhe vetëm për të pushuar, pavarësisht se vetë shteti, nuk ka lëvizur as gurin më të vogël për të bërë diçka për këtë vend të bekuar. Rruga zgjat, rreth 5 orë me shpejtësi normale dhe me 2-3 ndalesa, dhe për të vizituar Parkun Kombëtar të Valbonës, itinerari më i shkurtër është ai që nga Kukësi kalon përmes Kosovës, me pikë dalje në Gjakovë. Dhe për të mbërritur atje, duhet të kalosh dy dogana. Atë në Kukës dhe atë në Gjakovës nga e cila rikthehesh në territorin shqiptar duke hyrë në Tropojë. Pjesa më e madhe e rrugës është normale. Në Valbonë mund të shkohet edhe me traget, përmes liqenit të Komanit.

I gjithë udhëtimi, është një eksperiencë e paharrueshme. Ndërsa rruga përmes Shqipërisë, nga Qafa e Malit, është e gjatë, gjarpëruese, e vështirë për shkak të terrenit dhe mungesës së investimeve ndër vite. Morëm rrugën për nga Kosova.  Këtë vit, ndryshe nga vitet e mëparshme, kënaqësinë e shijimit të natyrës unike të këtij vendi, ma zbehën makineritë e rënda dhe kantieri i ndërtimit që paraprinte destinacionin e Valbonës. Të gjithë kemi dëgjuar për çështjen e madhe “Mos ma prek Valbonën”. Ishin pikërisht ato makineri dhe punëtorë, që qetësisht në ditët e gushtit, po shkatërronin këtë perlë. Si nuk kishin marrë disa ditë pushime xhanëm?! Këtë vit, shumë gjëra kishin ndryshuar në Valbonë! Nga dy-tre bujtina që funksiononin një apo dy vite më parë, këtë radhë “ashpërsia” dhe izolimi i malësorëve, ua kishin lënë vendin mikpritjes, dhe hapjes së dyerve për turistët. Gjatë gjithë rrugës për në Valbonë (24 km nga Bajram Curri), apo më mirë të them, nga Dragobia ku nis edhe shfaqja si zonë turistike, syri të zë tabela të shumta për akomodim në bujtina. Banorët e zonës u kanë liruar hapësira turistëve nga vatra e tyre dhe tregohen mikpritës.

Por i kanë dhënë edhe mundësinë vetes për të krijuar disa të ardhura shtesë në këto zona të varfra. Dhomat me qira apo bujtinat variojnë mesatarisht nga 2 mijë lekë deri 6 mijë lekë me mëngjes të përfshirë, sipas kushteve që ofron secila prej tyre por edhe “namit” që ka në zonë. Një pjesë prej tyre ofrojnë edhe të gjitha vaktet, çfarë gatuan shtëpia për turistët, kundrejt një fature ekstra, por brenda normales. Gjithashtu, edhe pse park kombëtar, hotelet janë shtuar ndjeshëm. Dhe shtimi i strukturave akomoduese në vetvete është lajm i mirë, pasi i përgjigjet kërkesës në rritje të turistëve. Hotelet variojnë nga 30-50 euro nata për dhoma dyshe, me mëngjes të përfshirë. Ushqimet bio si dhe gatimet si maza e zier, flija, mishi i qengjit apo kecit, qervishi janë disa nga tradicionalet të zonës, që nuk duhen lënë pa provuar.

Ndërsa disa restorante kultivojnë edhe troftën me ujin e lumit të Valbonës. Çmimet e kafeve dhe ushqimeve janë normale, duket se malësorët ende nuk i ka kapur “dalldia” e çmimeve të larta, pasi po përpiqen të ruajnë me forcë turizmin e ngritur me mund, pa asnjë mbështetje nga shteti. Përveç ajrit, ku të “hapen mushkëritë”, natyrës thuajse të pikturuar, ku edhe pse kulmi i sezonit veror, atje tej majat e maleve të ofrojnë panoramën e bardhësisë së dëborës, në Valbonë mund të bësh ecje alpine, të vizitosh lumin e pastër si kristal dhe të ftohtë “brisk”, të vizitosh Qukun e Valbonës, një tjetër vend i bukur, Ujëvarën e Valbonës, e nëse ke vullnet dhe dëshirë, mund të ngjitesh deri në Bjeshkët e Bekuara, ku e gjithë lugina të shfaqet në pëllëmbë të dorës.

Ndërsa rrugës, kur ngjitesh për në Valbonë apo kur zbret për në qytet, kalon në Urën e Shtrenjtit, e njohur edhe si Ura e Shoshanit, poshtë së cilës lumi, i cili rrjedh qetësisht, të dhuron një pamje të mahnitshme; Urën e Gurit të Vajzës, ku Valbona përplaset me gurët e bardhë dhe ndryshon “fytyrën”, e ngjyrën e saj; apo Gurin me të njëjtin emër, ku sërish Valbonën e shesh në një dimension tjetër.  Fusha e Gjësë është në fund të luginës. Këtë vit ndryshe nga më parë, pashë mbi 50 automjete të parkuara dhe një ambient që zhurmonte nga pushuesit, aq sa ishte e vështirë të gjeje një tavolinë për t’u ulur dhe për të shijuar kafenë. Nëse malësorët do të vazhdojnë ta ruajnë turizmin me po të njëjtën forcë me të cilën e ngritën atë, Lugina e Valbonës do të jetë destinacion kryesor për të huajt në Shqipëri. Tani duhet edhe pak vëmendje nga qeveria, por jo nga ajo vëmendja e lejeve të dhëna për HEC-e, por për të investuar në i infrastrukturë, që ta bëjë Valbonën atraksion turizmi  në të katër stinët e vitit, ku mund të gjesh mënyra argëtimi dhe të mund të qëndrosh gjatë. Bukurinë, klimën, dhe ushqimin, Valbona i ka vetë!

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test