Na ndiqni

Teknologji

Kritikat ndaj Facebook, a do të dorëhiqet Zuckerberg?

Nga: tch Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 09:11
Zuckerberg

Pavarësisht një viti tejet të trazuar për platformën sociale të themeluar prej tij, Mark Zuckerberg, njëherazi shef ekzekutiv i Facebookut, deklaroi të martën për CNN-in se nuk e ka në plan të dorëhiqet.

“Nuk është ky plani”, tha Zuckerberg për “CNN Business”, teksa u pyet nëse do ta konsideronte një dorëheqje të mundshme si drejtues i rrjetit social më të përhapur në botë.

Ai doli gjithashtu në mbrojtje të kryeshefes operacionale të Facebookut, Sheryl Sandberg, që është kritikuar ashpër për shkak të mënyrës së saj të menaxhimit të krizës së kohëve të fundit të gjigantit teknologjik.

“Sheryl është aset me të vërtetë shumë i rëndësishëm i kësaj kompanie, pasi po udhëheq shumë prej përpjekjeve ndaj shumicës së problemeve që kemi pasur dhe kemi. Ka qenë një partnere e rëndësishme për mua në dekadën e fundit. Jam krenar për punën që kemi bërë bashkë dhe shpresoj të punojmë bashkërisht edhe për dekada të tjera”.

Facebooku është kacavjerrë nga një telash në tjetrin gjatë këtij viti, duke u përballur me pasojat e përdorimit të kësaj platforme nga Rusia për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara; me skandalin e “Cambridge Analytica”, gjatë të cilit të dhënat e përdoruesve u shfrytëzuan në përpjekje për të ndihmuar kandidatin Donald Trump; si dhe një dështim sigurie i rëndësishëm, që përfshiu miliona llogari në rrjetin social.

Së fundi, një artikull investigativ i publikuar nga “New York Times” javën e kalaur thoshte se Facebooku mashtroi publikun mbi atë që dinte nga ndërhyrje ruse në zgjedhje, madje kishte përdorur një firmë “PR”-i për të përhapur lajme negative mbi kompani të tjera nga Silicon Valley, në mënyrë që të shmangte vëmendjen apo irritimin ndaj vetes.

“Për mua nuk është ende e qartë nëse raporti është i vërtetë apo jo, – tha Zuckerberg mbi artikullin e “NYT”. – Për shumë gjëra që ishin në atë raportim, ne kemi biseduar me reporterët përpara atij publikimi dhe u kishim thënë se, nga sa shihnim ne, asgjë nuk ishte e vërtetë. Por ata zgjodhën ta publikonin, pavarësisht kësaj”.

tch
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test