Na ndiqni

Sociale

Gruaja dhe 72 virgjëreshat në parajsë, “përplasen” Prifti, Hoxha e Profesori

Nga: Bota sot Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 12:13
Don Lush Gjergji, Osman S. Musliu dhe Gani Mehmetaj

Predikuesit e fesë islame nëpër ligjëratat e tyre para besimtarëve, sjellin në vëmendje kryesisht mënyrën se si do të jetohet pas vdekjes.

E për ata që shkojnë në xhenet( parajsë) feja islame parasheh përfitime përtej imagjinatës.

Meshkujt që do të fitojnë xhenetin, sipas fesë islame ndër të tjera do të shpërblehen me nga dy deri me nga 72 gra, të cilat do të jenë gjithmonë të virgjëra. Sipas hoxhallarëve, të cilët ligjëratat e tyre i bazojnë librin e shenjtë Kuran, një njeri i zakonshëm i cili e fiton xhenetin me vepra të mira në këtë botë, do t`i ketë për veten e tij dy hyri (gra), derisa gruaja e tij e kësaj bote do të jetë e 3-ta. Por, me privilegje më të mëdha do të jetë personi i cili bie dëshmor. Për të, sipas islamit në xhenet do të jenë të rezervuara 72 hyri, ndërsa gruaja e tij e kësaj bote do të jetë e 73-ta.

Por, cila do të jetë pozita e gruas në botën tjetër?. A përbën diskriminim për gruan teoria se për burrin do të jenë të “rezervuara” deri në 72 gra, nëse shkon në xhenet. “Bota sot”, lidhur me këtë çështje ka kontaktuar me përfaqësues të fesë islame dhe fesë katolike.

Musliu: Islami punë- mirët e kësaj bote, do ti shpërblej me xhenet burra dhe gra

Imami nga Drenasi Osman S. Musliu, ka thënë për “ Bota sot” se shqiptarët/myslimanët duhet ta rregullojnë pozitën e femrës në këtë dynja , sepse pjesa më e madhe e tyre është pa pronë, pa bazë ekonomike e shumë kushte tjera.

Sipas tij, feja Islame para 14 shekujve i ka dhënë lirinë e jetës, pronës, dhe atë ekonomike siç është “MEHRI”.

“Mendoj që sot ata që propagandojnë barazinë gjinore dhe emancipimin e femrës, shumica prej tyre kanë qëllimin arritjen deri tek femra apo keqpërdorimin e saj, dhe jo të drejtat e saj. Mësimet e Islamit na mësojnë se Muhammedi a.s ka thane: ”Kush rrit tri vajza me nder (i përgatitë ato për jetë) ai fiton xhenetin, shokët e pyeten po dy, ai tha edhe dy prapë e pyeten po një ja resulallah, ai u ndal dhe qeshi, a nuk jeni ju ata qe jeni mburrë me mbytjen e vajzës para Islamit e tani po doni të shkoni në xhenet me to. Ndërsa sa i përket botes tjetër asgjë nuk do të jetë sikur në këtë botë e as martesa. Andaj, mendoj që islami punë mirët e kësaj bote, do ti shpërblej me xhenet burra dhe gra. Ndërsa, mirësitë e xhenetit syri nuk i ka parë, veshi si ka dëgjuar dhe mendja nuk mundet me i përshkruar. E lusim Zotin që të na shpërblej me xhenet se bashku me nënat motrat vajzat dhe grat tona dhe me të gjitha mirësitë e tij”, ka thënë imami Musliu.

Don Lush Gjergji: Në atëbotë njerëzit do të jenë si engjëjt dhe nuk do të kenë më, lidhje të tilla afektive emotive, trupore, seksuale                  

Në anën tjetër,  përfaqësues i Ipeshkvisë së Kosovës Don Lush Gjergji, ka thënë se tematika e femrës në botën tjetër, siç do të thoshte at Shtjefen Gjeqovi, “matanë botës” sigurisht se është një temë e cila trajtohet në shumë fe, prandaj trajtohet edhe në krishterim.

“Këtë çështje e ka trajtuar edhe vet Jezusi kur bashkëkombësit e tij, ia kanë bërë një pyetje me një tregim se ka qenë një njeri që është martuar me një grua dhe nuk ka pasur fëmijë, dhe atëherë ai ka vdekur, dhe kështu radhazi shtatë vëllezërit e kanë pasur të njëjtën grua, dhe së fundi, asnjeri nga ta, nuk ka pasur fëmijë, dhe së fundi ka vdekur edhe ajo. Dhe pyetja ishte: se gruaja e kujt do të jetë kjo grua në amshim? Dhe Jezusi është shumë i qartë dhe shumë i vendosur dhe thotë : Në atëbotë apo në amshim nuk ka trup, prandaj edhe nuk ka gjini. Por njerëzit do të jenë si engjëjt dhe nuk do të kenë më, lidhje të tilla afektive emotive, trupore, seksuale sepse kjo është një çështje trupores, kurse  shpirtërorja e ka një dimension tjetër një dimension shume më të lartë, më të thelle, dhe një dimension gjithëpërfshirës”, ka thënë Don Lush Gjergji.

Sipas tij, kjo është sipas Ungjillit të Krishterimit, por kemi edhe shpjegime tjera, të cilat na jep Shën Pali, kur thotë se në Krishterim të gjithë jemi njëjtë, nuk ka më mashkull apo femër, nuk ka më grek apo hebrenj, nuk ka më të pasur apo të varfër dhe nuk ma të dijshëm dhe të pa dijshëm.

“Kjo do të thotë se Zoti ia kthen dimensionin apo identitetin primar të njeriut sikurse ishte Adami dhe Eva, para mëkatit burimor ose mëkatit origjinal i cili ishte zanafilla e gjithçkaje. Prandaj, nëse i marrim këto premisa, atëherë ne si t ‘krishterë mund të themi se besojmë se pas vdekjes trupore njeriu lirohet prej të kufizuares, prej materiales, prej trupores, dhe si i tillë më nuk ka nevoja të tilla, dhe as nevoja të tilla,  që të jetojnë një jetë trupore. Shembullin e kemi të Jezusi i ngjallur i cili është trup i lumturuar, apo trup i cili nuk i ka më, dimensionit apo kufijtë , Jezusi hyn kur është dera e ngjallur, kurse kur është dera e mbyllur Jezusi paraqitet dhe zhduket e tjera. Do të thotë në ngjashmëri Jezusit të ngjallur do të jemi në amshim edhe ne. Kur nuk do të kemi më, as nevojë e as mundësi të tilla të cilat janë thjesht trupore e shumë raste edhe epshore. Prandaj, sa na përket ne si të krishterë jo vetëm katolik por gjithë të krishterët besojmë se njeriu me vdekje lirohet nga e përkohshmja nga materialja nga e shkatrrueshmja dhe e fiton pa shkatrrueshmërinë se shpirti ka dimensione tjera. Mos të harrojmë teorinë dhe të vërtetën bazë, që njeriu është një qenie e përbërë: Trup, piskë dhe shpirt. Trupi është shtresa materiale, psika ka vullneti, liria, kujtimi, apo kujtesa , mësimi juanë elemente psikike, kurse elementet shpirtërorë janë drejtësia dashuria, paqja lumturia, gëzimi amshimi etj”, ka thënë Don Lush Gjergji.

Gjergji: Teoria e 72 virgjëreshave nuk ka bazë në krishterim

Ai ka vlerësuar se në mënyrë figurative  njeriu është një qenie 3 katshe , e ka truporen, e ka psikiken dhe e ka shpirtëroren.

“Dimensioni më i lartë i njeriut është pikërisht psikika, sepse është elementi i Zotit. Pasi dihet që Zoti në njeriun e ka një element të vet, dhe elementi i Zotit është shpirti . Dhe kur shpirti lirohet prej trupores dhe psikikes, atëherë i përngjan engjëjve apo qenieve të cilat nuk janë të varura në trup, në kokë, dhe në hapësirë. Dhe kjo nuk ka të bëj fare me 72 “virgjëresha” në botën tjetër, dhe aq ma pak, sepse tjetër është një situatë të cilën para 2 mijë vjetëve ka ardhur Krishti dhe Krishterimi, por dinjiteti i njeriut dhe shpirti i i njeriut nuk është as mashkullor e as femëror. Por, është njerëzor dhe hyjnor. Njerëzor sepse i kushtohet kohës dhe hapësirës në të cilën jeton kurse hyjnor sepse teza bazë e krishterimit është kjo. Prej zotit rrjedhim, pasi ai na ka krijuar, me Zotin jetojmë sa të jenë plani dhe vullneti i tij, dhe tek Zoti kthehemi”, është shprehur ai.

Ipeshkvi i Kosovës Don Lush Gjergji, mes tjerash ka cilësuar  se janë tri stacione, ku njeriu rrjedh prej Zotit, meqë jetojmë më të, udhëtojmë apo shtegtojmë me të, dhe kthehemi tek ai.

“Si të tillë, trupi i njeriut mashkullor apo femëror është plotësisht para Zotit i njëjtë, dhe fatkeqësisht traditat e ndryshme mund të kenë pasur ndikim, por feja është shumë e qartë, se njeriu është së pari qenie njerëzore, pastaj gjendje gjinore,  e pasta qenie shpirtërore. Truporja dhe gjinorja i përkasin kohës dhe hapësirës në të cilin jetojmë në këtë botë. Nuk dua të hyj në kurrfarë polemikë me botëkuptimin dhe me fenë e vëllezërve të mi me traditë, apo me besim islam apo mysliman, por interpretimi i tillë se në amshim do të kemi atë çka nuk e kemi pasur këtu, prej kthimi i një parajsë antropologjike ku do të plotësohen kërkesat nevojat dhe dëshirat që nuk i kemi arritur këtu, në krishterim  nuk ka fare bazë dhe është diçka vetëm projektim apo dëshirë”, është shprehur  përfaqësues të Ipeshkëvisë së Kosovës Don Lush Gjergji.

Mehmetaj: Puna e virgjëreshave në xhenet është një joshje e ndytë, sipas modelit të haremeve

Nga ana tjetër, profesor Gani Mehmetaj konsideron se teoria islame që thotë se në botën e përtejme myslimanët e mirë i presin 72 virgjëresha, është një marrëzi e pafundme që mund ta besojnë vetëm budallenjtë e të çmendurit.

“Shtrohet pyetja, po gratë myslimane të devotshme sa burra i presin në botën e përtejme? 74 burra apo më shumë? Puna e virgjëreshave në xhenet është një joshje e ndytë, sipas modelit të haremeve, që ishin shtëpi publike orientale. Jetën e shthurur me 72 femra islamikët e kanë shpikur që t'i mashtrojnë të varfëritë, tru-shpëlarët dhe të skllavëruarit. Por, jo të gjithë i pret haremi(shtëpia publike me 72 gra). Janë privilegje për ata që vrasin të pafe (pra të gjithë ata që nuk janë myslimanë), ata që vdesin në luftën e shenjtë (xhihad) etj. Me kujtohet para dy-tre vjetësh një xhirim në FB, kur fliste një hoxhe gjysmë analfabet në xhaminë e Kaçanikut për 72 hyriat. "Xhemati" ishin adoleshentë. Ai fliste për hyriat që i presin, ndërsa ata të shkretët shkriheshin gazit, u dukej sikur janë atje me hyria. Nga pamja e këtyre mjeranëve të paushqyer e të veshur varfërisht, shihej se ata kanë problem ta gjejnë një vajzë a një grua, sepse s'kanë më se ta mbajnë, ndërsa hoxha i mashtronte se do t'i presin 72 vajza të reja, të paprekura”, ka thënë profesor Mehmetaj.

Sipas tij, premtimi manipulativ i hoxhës ua plotësonte jetën e zbrazët, i gënjente se do të kënaqen.

“Natyrisht për këtë kënaqësi ata duhej të paguanin një tagër të madh, të shkonin në xhenet, kurse për biletën e xhenetit ka një çmim: Të vrasin dikë, por edhe të vriten nga dikush, pra të shkojnë shehid. Femrat myslimane ende e kanë pozitën e skllaves si në kohën e Muhamedit. Ato janë në shërbim të burrit dhe duhet të jetojnë për kënaqësinë e burrit pa asnjë të drejtë. Femra të myslimanët është mall që duhet të ruhen nga të tjerët, të mbulohet dhe të ndëshkohet nëse i mbushet mendja se nuk është skllave. Shihi femrat myslimane si veshën, si bëjnë plazhe, si ecin rrugës dhe do të kuptosh se ato janë tmerrësisht fatkeqe e të pabarabarta. Janë mall i pazarit”, ka thënë profesor Mehmetaj.

Bota sot
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test