Na ndiqni

Sociale

Një festë ndryshe në familjen Bajrami

Nga: Kosova press Më: 21 gusht 2018 Në ora: 10:28
Familja duke hyre ne shtepine e re

Shoqata e bamirësisë “Jetimët e Ballkanit”, në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt kanë ndërtuar një shtëpi për familjen Bajrami në fshatin Baks. Ata deri më tash jetonin në një objekt të vogël që nuk i plotësonte aspak kushtet elementare për banim. Sot, ata po e festojnë Kurban-Bajramin ndryshe nga herët e kaluara, pasi janë sistemuar në shtëpinë e re. Megjithatë, mbesin ende shumë familje të tjera në nevojë, për të cilat ende nuk është bërë zgjidhje nga shteti.

Këtë festë të Kurban-Bajramit fëmijët e Haki Bajramit (56) po e presin më të gëzuar se asnjëherë më parë. Ata tash kanë dhomën e tyre dhe një ambient të ngrohtë për të jetuar dhe e gjitha kjo iu mundësua nga njerëzit qëllim-mirë, të cilët e ndërtuan shtëpinë e tyre të re.

I zoti i shtëpisë, Haki Bajrami tregon  se deri tash ata kishin jetuar në kushte të vështira, duke u përballur edhe me motin e ftohtë gjatë dimrit.

Bajrami: Nuk kishim kushte elementare për jetesë

“Kushte nuk ka pas, nuk ka kushte me jetuar as dy ditë, por me fuqinë tonë nuk kemi pas mundësi të bëjmë asgjë, është e pabanueshme, por falë shoqatave mirë është, na kanë ndihmuar. I falënderojmë shumë, janë merita tyre shumë të mëdha”, tha ai.

Familja Bajrami ka tre fëmijë dhe jeton me 120 euro ndihmë sociale. Fëmijët vijojnë mësimet në shkollën fillore, derisa babai i tyre mundohet të gjejë punë herë pas herë, por thotë se e ka shumë të vështirë.

Bajrami: Ndonjëherë gjejmë punë por nuk është afatgjatë

“Punë gjejmë privat, ndonjë ditë, por nuk kemi të rregullt. Do të punonim, pse jo. Jemi pak larg me qendër, andaj nuk po ka punë”, thotë ai.

Duke u përballë me një jetë shumë të vështirë në këtë objekt të vogël, Haki Bajrami iu drejtua Komunës së Skenderajt për ndihmë.

Shoqata e bamirësisë “Jetimët e Ballkanit” në bashkëpunim me komunën e Skenderajt, arritën ta bëjnë me shtëpi familjen Bajrami, çelësat e së cilës ia dorëzuan si dhuratë për festën e Kurban-Bajramit. E krejt ndërtimi i saj, bashkë me mobilim arrin shifrën prej 19 mijë eurosh.

Kryetari i Shoqatës “Jetimët e Ballkanit”, Halil Kastrati tregon se këtë familje i ka gjetur në gjendje shumë të rëndë.

Kastrati: Familja ishte në kushte shumë të rënda

“Kur kemi ardhur me ia dhënë lajmin që po i niset ndërtimi i shtëpisë ka qenë në të vërtetë në kushte shumë të rënda, pikonte uji në të gjitha anët dhe aty është bë surpriza dhe lajmi që po i niset shtëpia”, tha ai.

Megjithatë, Kastrati pranon se ende ka kërkesa shumë për ndihmë, dhe tregon se vetëm për një vit e gjysmë kanë arritur t’i strehojnë mbi 200 familje, ndërkohë që kanë kërkuar ndihmën e Kuvendit Komunal të Skenderajt, në mënyre që të identifikojë familjet në nevojë.

Kastrati: Ka kërkesa shumë për ndërtim të shtëpive

“Fatkeqësisht, kërkesa ka shumë. Ne po mundohemi mos me u ndal, dhe nëse vazhdojmë me këtë ritëm, për një periudhë shumë të shkurtë do ta lehtësojmë pak situatën”, tha ai.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, pranon se ka ende shumë raste të tilla dhe në vazhdimësi po bëjnë identifikimin dhe vlerësimin e tyre.

Jashari: Duhet të bëhemi bashkë për ndërtimin e vendit

“Kam bërë komision për vlerësimin e rasteve dhe kemi dalë e kemi shikuar edhe vetë, e kemi verifikuar punën e komisionit dhe na ka dalë po ashtu qysh ka deklaruar komisioni. Fatkeqësisht, ka shumë familje ende, edhe në komunën tonë, e edhe në nivel vendi që kanë nevojë me ua shtri dorën me i ndihmuar, sepse unë kam thanë shumë herë prej marrjes se mandatit se qysh jemi bërë bashkë me çliruar këtë vend, sot kemi nevojë me u bë bashkë me ndërtuar këtë vend dhe me i dhanë drejtim zhvillimit ekonomik”, tha ai.

Republika e Kosovës vazhdon të përballet me numër të madh te të papunëve dhe me varfëri ekstreme. Ndër zonat më të prekura aktualisht janë Mitrovica, Skenderaj, Klina, Drenasi, Vushtrria dhe Novobërda.

Familjet që jetojnë në zona të thella vazhdojnë të përballen mungesë të kushteve elementare për jetesë. Ka ende shumë fëmijë që u rrezikohet shëndeti nëpër shtëpi pa kushte elementare për banim, të cilët ende nuk e kanë fatin e fëmijëve të familjes Bajrami që u bënë me shtëpi të re.

Image
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test