Na ndiqni

Shqipëria

Policët marrin hakun e koleges, i thyejnë gishtat 18-vjeçarit, gjykata e lë në burg

Nga: Shekulli Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 13:37
Danjel Drobaj

18-vjeçari, i pyetur nga mediat, ka thënë se është dhunuar nga policia, ndërsa gishtat i ka të ngrirë dhe nuk i përthyen dot. Drobaj, student ekselence, në vitin e parë në universitet.

Në një seancë me dyer të mbyllura, Gjykata e Tiranës vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Danjel Drobajt, ndërsa ky i fundit, u paraqit në seancë me dorën e fashuar. Ndërkohë që pak para se të fillonte seanca, vetë 18-vjeçari i pyetur nga mediat, ka thënë se është dhunuar nga policia, ndërsa gishtat i ka të ngrirë dhe nuk i përthyen dot. Ndërkaq, avokati i të riut, Alfred Duka, ka thënë se klienti i tij ka nuk ka kryer veprime të jashtëligjshme dhe se, ka qenë një nxënës ekselence, ndërkohë që është edhe student, i degës Inxhinieri Ndërtimi. Gjatë seancës së djeshme, në fillim ishin të pranishëm edhe disa prej deputetëve të opozitës, të cilët me kërkesë të prokurorisë, u nxorën jashtë në mënyrë që seanca të zhvillohej vetëm në pranin e palëve. Por, për të monitoruar procesin, kanë qenë edhe dy përfaqësues të Avokatit të Popullit, të cilët kanë ardhur të ndjekin procesin pas akuzave se Drobaj, është dhunuar nga punonjës të policisë.

Seanca

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, prokuroria ka pretenduar se Drobaj, në protestën e zhvilluar ditën e enjte, 22 nëntor, përballë Kuvendit, ka konsumuar 5 vepra penale, “Plagosje e rëndë me dashje”,  “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”. Gjithashtu, prokuroria në seancën e djeshme, i ngarkoi të riut edhe një tjetër vepër penale, atë të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë”, kjo sipas prokurorisë, sepse gjatë protestës, ai i është larguar policisë, duke kundërshtuar shoqërimin e tij. Ndërkohë, mbrojta i kundërshtoi pretendimet e organit të akuzës, duke u shprehur se Drobaj në asnjë moment nuk është treguar i dhunshëm ndaj policisë, ndërsa vetë ka pranuar hedhjen e 3 kapsollave, por jo në drejtim të njerëzve, por në drejtim të llamarinave që rrethojnë namazgjanë që po ndërtohet. Gjatë seancës, avokati i 18-vjeçarit kërkoi një masë më të zbutur për të, pasi është edhe student. Ndërkohë, paraqiti para gjykatës edhe disa dokumente, si dëftesa e shkollës së mesme, e cila tregonte që Danjel Drobaj e ka mbaruar shkollën me një mesatare të lartë dhe nuk është person problematik për shoqërinë. Gjithashtu, avokati ka kundërshtuar edhe provat e paraqitura nga akuza, që konsistojnë në video dhe dëshmi, sipas avokatit, akuza ka ecur me supozime në hetimin e çështjes.

Reagimi i avokatit

Pas përfundimit të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për mediat ka folur edhe avokati Alfred Duka, i cili tha se ata si mbrojtje dhe palë e akuzuar, i mohojnë të gjitha akuzat e ngritura nga prokuroria. Sipas tij, plagosja me dashje nuk qëndron, pasi edhe nëse ka hedhur ndonjë kapsolle në drejtim të policisë, qëllimi nuk ka qenë dëmtimi i policisë. “Nëse ai e ka hedhur një kapsollë në drejtim të grumbullit të policisë nuk ka pasur qëllim për të dëmtuar ndonjë policë. Nuk kemi konfirmim për nivelin e dëmtimit të të dëmtuarës, pasi Instituti i Mjekësisë nuk ka dalë me një rezultat për nivelin e dënimit”, tha avokati. Më tej, ai tha edhe se akuza e “Kundërshtimit të punonjësit të policisë”, nuk qëndron, pasi për natyrën e protestave, ato janë të tilla, tregojnë qëndresën e qytetarëve. “Për sa i përket kundërshtimit të policisë, ai ka dalë në mbrojtje të banesës nuk ka ushtruar dhunë. Protesta është në natyrën e saj, qëndresa e qytetarëve dhe nuk ka pranuar për ta shoqëruar në polici”, shtoi më tej ai. Ndërkohë, sa i përket dhunës së pretenduar që është ushtruar nga policia, avokati Duka, tha se Danjeli i ka thënë se e kanë dhunuar. Duka tha se ai do të vetë dorëzohej, në momentin kur është ndaluar nga policia. “Kam shkuar dhe takuar drejtues të komisariatit, për ta dorëzuar. Ka qenë çështje kohe, kur i ati e ka nxjerrë nga banesa duke udhëtuar drejt komisariatit dhe policia e ka ndaluar. Pasi e kanë futur në makinë e kam takuar më pas, sipas tij, është ushtruar dhunë me sharje dhe goditje me grushte. Prokuroria nuk ka asnjë provë se plagosjen e ka kryer Drobaj, por pretendon se ka një kohë televizive dhe në mënyrë të përafërt pretendojnë se mund të jetë ky person. Ka pranuar se ka hedhur tre kapsolla, por nuk ka pasur qëllim që t’i plagosë”, përfundoi avokati prononcimin e tij.

Politika

Ndërkohë që nuk u lejuan të merrnin pjesë në seancën ku u vlerësua i ligjshëm arrestimi i Danjel Drobajt, deputetët e opozitës, PD-së dhe LSI-së, së bashku, kanë folur jashtë ambienteve të Gjykatës. Ata e vlerësuan veprimin e gjykatës të padrejtë, ndërsa thanë se dhuna e ushtruar ndaj 18-vjeçarit, është një veprim cubash dhe tregon fundin e pushtetit. Konkretisht, deputeti demokrat Flamur Noka, ka folur jashtë gjykatës pasi u nxor jashtë seancës për caktimin e masës së sigurisë për 18-vjeçarin. Ai e quajti veprim cubash të shtetit, që po jep shpirt. “Ky nuk është veprim i ligjit dhe shtetit ligjor. Është veprim cubash të veshur me kapele dhe çizme polici. Veprimi i cubave të shtetit që po jep shpirt. E gjitha për të fshehur dhunën dhe barbarinë që banda e Edi Ramës e veshur me uniformë ka ushtruar ndaj këtij djaloshi. Prandaj u bë me dyer të mbyllura. prokurori Edi Rama së bashku me gjyqtarin Edi Rama nuk mund ta fshehin”, tha Noka.

Shekulli
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test