Na ndiqni

Shqipëria

Makinat që ndotin ajrin, Dogana: Kujdes, nga 2 dhjetori ndalohet importi

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 14:41
Foto ilustrim

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton të gjithë qytetarët dhe bizneset se në datën 2 Dhjetor 2018, hyn në fuqi vendimi i qeverisë që ndalon importin e makinave të përdorura të prodhuara para vitit 2009.

Bëhet fjalë për VKM Nr. 633, datë 26.10.2018 “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete”.

Sipas vendimit, autoritetet doganore ngarkohen të kontrollojnë dokumentacionin shoqërues të mjetit motorik dhe të ndalojnë importin e mjeteve motorike që nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 4 të këtij vendimi. 

Ky vendim zbatohet për mjetet motorike të kategorisë M (M1, M2) për transport njerëzish dhe N (N1) për transport mallrash.

Ky vendim nuk zbatohet për importin e:

a) Automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë:

i. automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970;

ii. automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë;

iii. automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.

b) Mjeteve motorike, të cilat janë të importuara nga subjekte fizike e juridike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare.

Në përputhje me këtë vendim, automjetet që do të importohen në Republikën e Shqipërisë, duhet të përmbushin kushtet teknike lidhur me karakteristikat funksionale të sistemeve dhe të pajisjeve dhe gjendjes tekniko-fizike të tyre, të cilat duhet t?u korrespondojnë mjeteve të parashikuara si më poshtë. Këto kushte përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportet.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a) Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;

b) Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;

c) Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;

ç) Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test