Na ndiqni

Reportazhe

Fshati i thellë në Dibër, aty ku infermierja kuron në shtëpi

Nga: top-channel Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 18:45
Vjollca Buci

Një ish-bar kafe e shndërruar në konsultore, buzë rrugës së fshatit Rrethas në thellësi të Dibrës, është shndërruar në një qendër shprese për plot banorë të zonës. Nusja e shtëpisë, infermiere, pas punës në shtet, ofron ndihmë për të gjithë banorët e zonës që e kanë të vështirë të udhëtojnë 1 orë larg, deri te qendra më e afërt shëndetësore. Alma Demiraj udhëtoi për në Dibër, për të sjellë detajet e kësaj historie të veçantë humanizmi.

Në Rrethas në Fushëcidhen të Dibrës, një godinë e vogël buzë rruge ka shërbyer më parë si bar kafe për banorët. Por familja ka hequr dorë nga ato pak të ardhura. Sot nusja e shtëpisë Vjollca, që është infermiere, ofron shërbim shëndetësor për 300 banorët e kësaj zone.

Vjollca Buci punon si infermiere prej 26 vitesh në qendrën shëndetësore në Fushecidhen, ku edhe po të jesh shëndosh e mirë, është e vështirë të shkosh.

Përveçse është një ore larg, rruga është shumë e keqe. Për 26 vjet Vjollca u ka shërbyer këtyre banorëve herë në shtëpinë e saj e herë në shtëpitë e tyre pa hezituar as në orët e vona të natës, duke bërë shpesh edhe rolin e mjekut.

“Po njerëzit kishin nevojë, kishin helmime, temperaturë të lartë, matje tensioni apo një gjilpërë. Unë u shërbeja në shtëpinë time. Atëherë familja e pa të arsyeshme që këtë ambient ta vëmë në shërbim të komunitetit”, shprehet Vjollca Buci.

Vjollca tregon se është përballur edhe me raste shumë të rënda. Madje deri në vitin 2005 ajo ka pritur edhe lindje të bebeve në shtëpitë e pacientëve. Por tani u përllogarit nënave shtatzënë datën e përafërt të lindjeve që të shkojnë në maternitet.

Banorët e fshatit Rrethas marrin çdo shërbim shëndetësor këtu, por kjo konsultore ka vetëm një krevat dhe disa medikamente në rast urgjence. Familja e Vjollcës dhe humanizmi i tyre deri këtu mund të shkojnë, duke ofruar ambientet, madje pa marre as qira nga shteti.

“Kam nevojë të më rregullohet ambienti, të kemi një peshore për fëmijët, çantën e infermierit dhe të paktën të me heqin shpenzimet e energjisë”, shprehet ajo.

Drejtori i Qendrës Shëndetësore Fushëcidhen thotë se kjo zgjidhje e infermieres e ka ndihmuar edhe atë si mjek, por konsultorja duhet të pajiset.

“Vjollca me zgjidhjen e saj ka ndihmuar banoret edhe mua si mjek. Ne si Qendër Shëndetësore i kemi dhënë vetëm një krevat, por ndoshta do të ishte mirë që ajo të pajisej me disa pajise mjekësore të domosdoshme për urgjencat”, u shpreh Erjol Shehu, drejtori i qendrës shëndetësore Fushëcidhen.

E kontaktuar nga Top Channel Drejtoria e Shëndetit publik Dibër premtoi pajisjen e shpejtë të konsultores me mjetet e nevojshme mjekësore.

top-channel
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test