Na ndiqni

Prishtina

Shpend Ahmeti: Javën e ardhshme më së largu emërohen drejtorët e rinj

Nga: Kallxo Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 15:41
Shpend Ahmeti

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka thënë për kallxo se deri javën e ardhshme do të zyrtarizohen drejtorët e rinj, si zëvendësim i atyre të shkarkuar javë më parë, në drejtoritë e Kadastrit dhe Shëndetësisë.

Sipas Ahmetit, kjo çështje nuk është për ngutë, pasi drejtoritë po funksionojnë normalisht dhe pa asnjë ngecje.

‘’Unë besoj që deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër do ta përfundojmë këtë proces të përzgjedhjes së drejtorëve. Nuk jemi për ngutë, drejtoritë po funksionojnë dhe nuk ka asnjë ngecje. Drejtoria e Kadastrit dhe ajo e Shëndetësisë po funksionojnë ashtu siç duhet’’, ka deklaruar Ahmeti.

Ndërsa, Yll Rugova drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, edhe pse nuk u shkarkua zyrtarisht nga kryetari, ai tha se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas shkëputjes së koalicionit me Vetëvendosjen nga Shpend Ahmeti.

‘’Zyrtarisht që nga momenti i prishjes së koalicionit nga kryetari, unë kam dhënë dorëheqje. Tani momentalisht kanë mbetur të plotësohen vetëm dokumentet përkatëse, pasi unë më nuk jam drejtor për Kulturë’’, ka thënë shkurtimisht Rugova.

Shpend Ahmeti i kishte shkarkuar dy drejtorët nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia të Shëndetësisë dhe Nora Kelmendi të Kadastrit.

Sipas Ahmetit shkarkimi kishte ndodhur për arsye se situata ishte bërë e paqëndrueshme në Komunë dhe “nuk mund të sakrifikonte Prishtinën për inate personale”.

Ndërsa të shkarkuarit kishin thënë se nuk kishin marrë arsye se pse janë shkarkuar dhe se “gjesti i Ahmetit ishte qyqarllëk ndaj tyre dhe qytetarëve”.

Ndërsa Yll Rugova kishte deklaruar se Ahmeti e kishte përdorur taktikën e serbëve me ‘shqiptarët e ndershëm’ dhe ka tendenca që të zgjerohet në koalicion me PDK-në.

Kallxo
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test