Na ndiqni

Politika

Kalkulimet e rrezikshme të Thaçit, situata politike në Kosovë drejt tensionimit

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 12:54
Hashim Thaçi

“Andaj z. Thaçi duhet të heq dorë nga këto kalkulime të rrezikshme, dhe para interesave personale, t'i vejë interesat e vendit. Çdo përpjekje për ta penguar formimin e qeverisë së re me këto metoda aktuale që po i përdor z. Thaçi, do të jenë avantura të rrezikshme për të ardhmen e vendit”, deklaroi ai.

Nuk ka më shumë se një muaj që përfunduan zgjedhjet nacionale në vend. Siç është e ditur, Vetëvendosje prinë e para në këto zgjedhje, duke vazhduar më pas me LDK-në si e dyta dhe në vijim vijnë PDK e treta, AAK e katërta e kështu me radhë. Ishte partia e Fatmir Limajt, respektivisht Nisma Social Demokrate e cila nuk e kaloi pragun zgjedhor me të parën.

Pati numërime e rinumërime deri sa, Gjykata Supreme morri vendim që i shkoi për shtati Nismës, duke bërë që të kalonte pragun zgjedhor.

Se si do të vijoj situata mbetët të shihet, veçse sovrani vendosi për të ardhmen e vet duke ia besuar qeverinë Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Qytetarët, përgjithësisht, ishin entuziast në raport me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

Në rast se Vetëvendosje dhe LDK, nuk arrijnë marrëveshje për të krijuar qeverinë, atëherë, rruga e vetme është shkuarja përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kusari Lila: Pazaret e çojnë vendin në zgjedhje

Kështu vlerëson Mimoza Kusari, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila për “Bota sot”, deklaroi se nëse nuk krijohet qeveria Kurti, atëherë është e domosdoshme që të shkohet përsëri ne zgjedhje.

“Nëse hipotetikisht nuk formohet Qeveria Kurti, vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Çfarëdo formati tjetër i marrëveshjes apo pazareve politike është kundër vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kusari Lila për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në një status në profilin e tij në facebook, ka deklaruar se po vjen era prapë zgjedhje

“Te gjitha kurthat e vendosura nga nëntoka e mbitoka kosovare ndaj atyre që i fituan zgjedhjet, si duket do të na dërgojnë përsëri në zgjedhje të reja”, ka shkruar Zeka ndër të tjera.

Shahu: Mund të aplikohen formula të dështuara dhe të ketë tentativa që humbësit të bëjnë qeveri

Nëse nuk krijohet qeveria e re, sigurisht me Kurtin në krye, publicisti Rexhep Shahu, vlerëson se vendi duhet të shkoj në zgjedhje të reja.

“Nëse nuk krijohet qeveria nga këto dy parti politike, në Kosovë nuk funksionon aritmetika e thjeshtë dhe për shkak se zgjedhjet në Kosovë nuk shihen si tragjedi kombëtare, vendi shkon në zgjedhje të reja”, tha ai.

Sipas tij, mund të aplikohen metoda të tjera për të krijuar qeverinë, por kjo nuk do të ketë kurrfarë efekti.

“ Mund të aplikohen formula të dështuara dhe të ketë tentativa që humbësit të bëjnë qeveri, por morali dominon dhe politikanët janë aq të përgjegjshëm sa ta çojnë vendin në zgjedhje të reja. Populli në Kosovë ka fuqi imponuese, ndryshe nga Shqipëria që populli ka ulë qafën për temlikun e qeverisë mafioze”, tha ai.

Haziri: Thaçi duhet të heq dorë nga këto kalkulime të rrezikshme

Nga ana tjetër, publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, për “Bota sot”, deklaroi se një situatë e këtillë, gjegjësisht mos krijimi i qeverisë Kurti, i shkon për shtati presidentit të vendit Hashim Thaçit.

Sipas tij, Thaçi, është duke luajtur “lojën” përmes mekanizmave të tjerë ligjor e jo ligjor që janë nën ndikimin e tij.

“Sikur një situatë e tillë po provokohet nga vet presidenti Thaçi përmes KQZ-së, por edhe përmes mekanizma të tjerë ligjor që janë nën ndikimin e tij të drejtpërdrejtë, për ta penguar krijimin e qeverisë së koalicionit LVV-LDK”, tha ai.

Haziri, shtoi se një lojë e tillë është mjaftë e rrezikshme pasi vendin mund ta dërgojë drejtë një anarkie institucionale dhe një tensionim të situatës politike por edhe të sigurisë, që as zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do të mund të qetësonin një situatë të tillë.

“Andaj z. Thaçi duhet të heq dorë nga këto kalkulime të rrezikshme, dhe para interesave personale, t'i vejë interesat e vendit. Çdo përpjekje për ta penguar formimin e qeverisë së re me këto metoda aktuale që po i përdor z. Thaçi, do të jenë avantura të rrezikshme për të ardhmen e vendit”, deklaroi ai.

Kandidatja për deputete nga radhët e VV-së, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, ka deklaruar se nëse është nevoja, prapë vendi do të ketë zgjedhje.

Ajo përmes Facebook ka shkruar se nuk ka ç’kapje të shtetit duke mos konkloduar në dikë konkret ndërsa ka shtuar në koment se vendi do të ketë përsëri zgjedhje nëse ka nevojë.

“Jo për inat, por për parim! Nuk ka ç’kapje të shtetit me ju brenda. Nëse është nevoja, prapë(zgjedhje)”, ka shkruar Mulhaxha – Kollçaku.

E për zgjedhjet e reja ka folur analisti politik, Faik Krasniqi. Ai konsideron se edhe në rast se zhvillohen ato, Vetëvendosje do të fitonte përseri bindshëm.

Krasniqi në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se ishte e befasishme dalja para mediave e menjëhershme e kryetarit të PDK-së, kur edhe e pranoi humbjen e zgjedhjeve.

“Ka qenë “befasuese” dalja e menjëhershme e Kadri Veselit në konference për shtyp, kur pranoi humbjen e zgjedhjeve. Të gjithë u çuditen dhe thanë që PAN-i u dorëzua. PAN-i nuk dorëzohet lehtë. Nëse njeri nga ta del dhe bëhet gjoja po e pranojnë verdiktin e sovranit, do të thotë që ata i kanë mekanizmat e tjerë që i kanë për të penguar formimin e Qeverisë. Ata kanë marionetën e saj Valdete Daken në KQZ, që t’i numëron e rinumëron votat me muaj të terë, deri sa Nisma një nëndegë e PDK-së të bëhet pjesë e Kuvendit”, është shprehur Krasniqi.

Kursë, për Valdete Dakën, Krasniqi ka një kërkesë publike që të ndiqet edhe penalit, shkruan gazeta “Bota sot”.

Në fund, analisti Krasniqi ka theksuar se LVV dhe LDK mund ta formojnë Qeverinë, vetëm me minoritetet joserbe.

“Valdete Daka duhet të ndiqet penalisht për prishje të procesit. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Albin Kurti i ka fituar zgjedhjet dhe ata kanë frikë, sepse po këputet zinxhiri kriminal ku janë të kapur me mijëra njerëz. LVV dhe LDK mund ta formojnë Qeverinë edhe vetëm me minoritetet joserbe. Nisma s’bën në asnjë mënyrë të bëhet pjesë e Qeverisë. Ata janë pjellë e PDK-së. Hajdutë dhe zhvatës të mëdhenj. Nëse edhe minoritetet vendosin kushte absurde, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje. Në zgjedhje Vetëvendosje do të fiton bindshëm zgjedhjet, sepse populli është vetëdijesuar. Kurse për minoritetet të hiqen vendet e rezervuara pas formimit të Qeverisë”, ka përfunduar Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

 

 

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test