Na ndiqni

Politika

Derisa Haradinaj i përgjërohej, Albin Kurti lë Listën serbe jashtë koalicionit

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 12:25
Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Lista serbe, Foto ilustrim

“Për shkak të komplikimeve kushtetuese në Kosovë, ata janë edhe votues të përfaqësuesit të serbëve në Qeveri. Modeli i ofruar nga kandidati për kryeministër, Albin Kurti, është i ri në skenën politike dhe duket të jetë zgjidhja më e mirë e problemit të quajtur Lista Serbe, pra ata mund të kenë përfaqësuesit e tyre në Qeveri pa pasur nevojë të bëhen koalicione siç jemi mësuar ti shohim. Ky model i imponuar nga rrethanat është i pranueshëm dhe tjetër hapësirë nuk duhet lejuar” është shprehur politologu Albinot Maloku.

Që nga formimi i saj e deri më sot vështirë se është kundërshtuar Lista serbe në një mënyrë apo tjetrën.

Albin Kurti, gjatë fushatës si kandidat për kryeministër nga VV dhe pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit ka treguar se nuk do të vrapojë pas Listës serbe për ta formuar qeverinë.

Ai është shprehur se nuk do t’ia nisë qeverisjes duke vrapuar pas Listës Serbe, gjë të cilën e kishte bërë qeveria në largim e Ramush Haradinajt.

Ky i fundit, kishte pritur për disa orë Listën Serbe që të vinte në Kuvend dhe të votonte pro formimit të Qeverisë së PAN-it.

Haxhiu: Nuk obligohemi me Kushtetutë

Në anën tjetër, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, fatmirësisht është i tillë që nuk obligon varësinë nga lista serbe, rrjedhimisht duke mos u varur nga lista serbe, ky subjekt edhe mund të defaktorizohet.

“Ne synojmë që minoritetet jo shumicë pra romë, egjiptas, ashkalinj, boshnjakë, turq, të jenë të përfshirë në qeverisje, tashmë kemi mbajtur disa takime me ta. Sa i përket listës serbe, askund me Kushtetutë, nuk obligohemi t’i kemi në Qeveri. Ka dallim midis qytetarëve serb që e njohin Republikën e Kosovës dhe listës serbe që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve serb. Nuk mund t’i anashkalojmë serbët që e njohin Kosovën dhe angazhohen për zhvillim e të kapërcejmë te LS” ka thënë Haxhiu.

Modeli, pjesëmarrje në qeveri pa koalicion

Politologu Albinot Maloku, ka thënë për “Bota Sot” se Lista Serbe është subjekti kryesor përfaqësues i serbëve në Kosovë. Se si u bë që ata fituan gati 100% të votave, kjo mirëfilli dihet se nuk ishte në rregull dhe në frymën e demokracisë, mirëpo ky subjekt politik është realiteti i politikës serbe!

“Për shkak të komplikimeve kushtetuese në Kosovë, ata janë edhe votues të përfaqësuesit të serbëve në Qeveri. Modeli i ofruar nga kandidati për kryeministër, Albin Kurti, është i ri në skenën politike dhe duket të jetë zgjidhja më e mirë e problemit të quajtur Lista Serb, pra ata mund të kenë përfaqësuesit e tyre në Qeveri pa pasur nevojë të bëhen koalicione siç jemi mësuar ti shohim. Ky model i imponuar nga rrethanat është i pranueshëm dhe tjetër hapësirë nuk duhet lejuar” është shprehur Maloku.

Elezaj: Me ardhjen Kurtit, “Lista Srpska” nuk do ketë asnjë shans që të imponohet në qeverisje

Analisti politik Rexhep Elezaj në një bisedë për “Bota Sot” Lista serbe është pa dyshim, instrument dhe gogol i Beogradit zyrtar brenda Kuvendit të Kosovës, dhe këtë fakt e dinë të gjithë në Kosovë, pra është një kolonë e pestë brenda vetë Kosovës me mision të caktuar antishqiptar, që në çdo kohë dhe rrethanë, e me çdo mjet ta pengojë funksionimin e qeverisë dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës!

“Destruktiviteti politik i kësaj “Liste”, alias i kësaj Dege të SPS-të (partisë së S. Millosheviçit) në Kosovë, është dëshmuar qartë në çdo legjislacion dhe qeveri të deritanishme të Kosovës, e cila ka përdorur metoda të ndryshme për ta penguar punën dhe shtet ndërtimin e Kosovës, siç është sabotimi i seancave të Kuvendit, kundërshtimi dhe abstenimi gjatë votimit të ligjeve dhe dokumenteve tjera me rëndësi për shtetin tonë, duke i lëshuar dhe duke mos marrë pjesë në seanca, si dhe duke e ngrirë për disa muaj pjesëmarrjen e saj në mbledhje të Kuvendit dhe as në grupet funksionale të tij” është shprehur ai.

Sipas tij, këtë destruktivitet si dhe imponimin e kësaj “Liste” në Kosovë e tregoi qartë ndikimi i Beogradit zyrtar në zgjedhjet e 6 tetorit, ku shumica absolute e votave e komunitetit serb në Kosovë iu dhanë kësaj LISTE, duke i kërcënuar votuesit e saj, se ai i cili nuk e voton këtë subjekt do largohet nga puna. Për këtë ndërhyrje të udhëheqësve të Beogradit zyrtar dhe imponim të votave në favor të kësaj “Liste” në zgjedhjet e fundit, kanë pasur vërejtje edhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së!

“Me një fjalë, ky grupacioni politik serb, më së paku i ka përfaqësuar interesat e serbëve të Kosovës, jo vetëm në Kuvend, ngase ky nuk ka qenë misioni i saj primarë në Kosovë, veçse lufta dhe propaganda anti-shqiptare në akordancë të plotë me udhëheqësit politik të Beogradit, gjegjësisht me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç si dhe çetnikun antishqiptar, Ivica Daqiç..!? Mjerisht, ky grup “parlamentar” serb, në fundament është nacionalist-shovinist dhe ekstremist antishqiptar, që çdo gjë që e bën në Kosovë si qëllim kryesor ka dobësimin dhe shkatërrimin e shtetit të Kosovës përmes shantazheve dhe destruksioneve të ndryshme, e që në vazhdimësi i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë kundër shtetit të Kosovës! Dhe, për fat të keq, të drejtën për t’i pasur në Kuvendin e Kosovës 10 vende të rezervuara të deputetëve ua ka mundësuar Plani dhe kushtetuta e Ahtisarit, të cilën duhet ndryshuar sa më para që është e mundur, ngase ky dokument i ka favorizuar maksimalisht serbët në Kosovë, në emër të gjoja të drejtave të garantuara të minoriteteve jo shqiptare që nuk i gjen ndonjë shembull në botë “ ka deklaruar Elezaj për mundësinë ë futjes se Listës serbe në qeveri.

Sipas tij, përfaqësuesit e “Srpska Listës” insistojnë që me çdo kusht të bëhen pjesë e qeverisë së Kosovës, duke i marrë 2 ministri sipas kushtetutës përmes të cilave e kanë shumë më lehtë t`i realizojnë qëllimet e tyre djallëzore kundër pavarësisë dhe shtetit sovran të Kosovës!?

“Duhet cekur me këtë rast faktin, se z. Albin Kurti, ende pa e marrë postin e kryeministrit ka deklaruar hapur, se “Srpska lista” nuk do bëhet pjesë e qeverisë së re, derisa ajo nuk do ta njoh shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, të cilën do e dërgon në opozitë, gjë që për herë të parë një politikan dhe udhëheqës shqiptar mori vendim të drejt dhe shumë parimor ndaj këtij grupi destruktiv serb brenda Kuvendit të Kosovës..! Jam i sigurt se me ardhjen e z. Albin Kurti në krye të qeverisë së re të Kosovës, “Lista Srpska” nuk do ketë asnjë shans që të imponohet në qeverisje, sepse edhe ashtu po që se zvogëlohet numri i ministrive në 12 sosh, minoriteti serb merr vetëm një ministri të cilën duhet ta marrin përfaqësuesit e partive tjera serbe në Kosovë të cilat e njohin shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, siç është Partia e pavarur liberale, në krye me Sllobodan Petroviçin, Aleanca për Serbinë në Kosovë, në krye me Rada Trajkoviçin, Partia progresiste demokratike serbe, në krye me Nenad Rashiçin, etj” ka thenë për “Bota sot” Rexhep Elezaj.

 

 

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test