Na ndiqni

Politika

T’i bëhet tronditja e dytë e madhe Serbisë, me mërgimtarët tanë!

Nga: Bota sot Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 08:40
Foto ilustruese

“Serbia nuk ka pushuar me luftën kundër Kosovës, por vetëm strategjinë. Ka shumë mëkate që duhet të dëmshpërblejë, para se qytetari kosovar ta konsiderojë vend normal! Ka dhe shumë arsye tjera, por jashtë...”, thotë Lis Bukuroca për gazetën “Bota sot”.

Republika e Kosovës, për herë të parë ka filluar të tregojë fuqinë e saj karshi Serbisë fashiste.

Vendimi i Kosovës për rritjen e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, i ka tronditur këto dy shtete, të cilat kanë luajtur me Kosovën si “maca me miun”.

Bosnja ka kaluar edhe më keq se Kosova gjatë luftës me Serbinë. Veç ky fakt do të ishte i mjaftueshëm që ditën e parë kur Kosova e shpalli pavarësinë të ngriheshin në këmbë dhe ta njihnin shtetin më të ri në Evropë, por nuk ndodhi kjo sot e kësaj dite.

Në anën tjetër, Serbia fashiste përgjatë rrugëtimit të saj, sidomos që nga paslufta ka vazhduar mos njohjen për shtetin tonë. Kurse, miliarda euro ka fituar pikërisht nga ne, nga qytetarët e Kosovës dhe nga mundësia e institucioneve tona, të cilat ndaj Serbisë tregoheshin Servile.

Serbia edhe pas dhjetëra marrëveshjeve në Bruksel, nuk është as afër ta njoh shtetin e Kosovës. Ajo Kosovën e thërret “Kosovo Metohija”.

Është dashur të presim 19 vite pas çlirimit për një vendim që do ta gjunjëzonte Serbinë para nesh. E kjo ka mundur të ndodh qysh moti.

Nëse liderët tanë e kanë seriozisht këtë punë, nuk duhet të tremben as nga Bashkimi Evropian e as nga Serbia.

Përkundrazi, ne duhet të dëshmojmë se jemi shtet i fuqishëm, dhe nuk do të bëhemi “vegël” e askujt, në këtë rast as e BE-së. Pse? Për shumë arsye.

Dihet mirë, se pas gjithë kësaj kohe, pra nga paslufta e deri sot, Serbia ishte ajo që gjithmonë ka fituar prej nesh. E kjo është bërë në sytë e botës, pra në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së dhe shteteve tona mike.

Kjo taksë, përveç që ka irrituar Serbinë dhe Bosnjën, ka irrituar edhe shumë shtete evropiane dhe vet Bashkimin Evropian. Por, nuk është që ne do të humbasim, do humb Serbia dhe Bosnja. Ne jemi fitues!

Kosova përveç shpalljes së pavarësisë asgjë nuk ka fituar që nga paslufta e deri më sot. Andaj ne për shtetin dhe kombin duhet larguar çfarëdo që është serbe!

Serbia të bojkotohet edhe nga mërgimtarët shqiptarë

Kosovës iu premtuan vizat për qytetarët, kjo nuk ndodhi, madje deri në vitin 2020 është e pamundur të ndodhë. Kosova nuk është anëtarësuar as në INTERPOL. Por pse? Sepse liderët tanë, kanë punuar gjithmonë për Serbinë, duke mos pasur guxim të veprojnë ashtu siç vepruan njëherë në jetën e tyre ndaj Serbisë!

Kjo ndodhi, por duhet pasur guxim për ta mbajtur. Duhet treguar Bashkimit Evropian se Serbia është fashiste. Që Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve, ka vra gra, pleq e fëmijë. Ka dhunuar qindra-mijëra motra e nëna tona. Ka shkaktuar miliarda dëme gjatë luftës. Duhet treguar BE-së se Kosova tashmë është shtet, ka fuqi që të vendos për të ardhmen e saj dhe Serbia nuk duhet të jetë e privilegjuar por Kosova, në këtë rast ne kemi mbetur të izoluar brenda territorit tonë, duke mos pasur mundësi të lëvizim të lirë, sikurse Serbia dhe secili qytetar evropian.

Andaj, çka na duhet bashkëpunimi me Serbinë ose ndonjë shtet tjetër përderisa jemi gati populli më i varfër në Evropë, popull i cili nuk ka mundësi të lëvizjes së lirë!

Andaj, ne duhet treguar Bashkimit Evropian se do ta bojkotojmë Serbinë derisa të arrihet një marrëveshje me të, por edhe me vet Evropën. Që të bëhemi të barabartë, ose të paktën të kemi privilegje në Evropë ashtu siç kanë edhe shtetet ballkanike.

Përveç kësaj, po kërkohet që Serbia të bojkotohet edhe nga mërgimtarët shqiptarë, që ata të mos kalojnë nëpër territorin serb.

Bukuroca: Serbia nuk ka pushuar me luftën kundër Kosovës, por vetëm strategjinë

Kështu thotë edhe njohësi i zhvillimeve dhe opinionisti Lis Bukuroca.

“Meqenëse populli tundohej nga çmimet, atëherë një leksion i nevojitet edhe diasporës: Kushdo që kthehet në Kosovë nëpër Serbi, të paguajë 1.000 euro në arkën e shtetit të Kosovës”, ka thënë Bukuroca gjatë një opinioni të tij.

Ndërsa, kur është pyetur se pse mendon që duhet të veprohet kështu, ai shprehet se nëse mërgimtarët kalojnë nëpër Serbi, krijohen iluzione se ajo është e parrezikshme dhe shtet i së drejtës.

“Sepse nuk është normale të kalohet nëpër një vend armik, sepse krijohen iluzione për parrezikshmëri dhe shtet të drejtë. Serbia nuk ka pushuar me luftën kundër Kosovës, por vetëm strategjinë. Ka shumë mëkate që duhet të dëmshpërblejë, para se qytetari kosovar ta konsiderojë vend normal! Ka dhe shumë arsye tjera, por jashtë...”, thotë Bukuroca për gazetën “Bota sot”.

Por, a duhet te vendoset një taksë e tillë apo cilat janë masat që duhet të ndërmerren?

Zogaj: Mallrat serbe duhet bojkotuar

Analisti politik, Skënder Zogaj pohon se, shqiptarët janë populli më humbës në botë dhe që kurrë nuk kanë zënë mend, e siç po shihet do të vazhdojnë të jenë humbës, sepse asnjë punë nuk e bëjnë si i ka hije në kohën dhe në vendin e duhur!

“Shqiptarët janë harrestar të vuajtjeve që ua shkaktojnë armiqtë dhe përbuzës të mirësive që ua bëjnë miqtë! Shqiptarët e Kosovës veçanërisht janë mendjelehtë dhe trupash, sepse vëllanë e vrasin për një sharje, ndërsa shk.. ia falin dhunën e familjes dhe të atdheut! Kjo po vërtetohet me pasluftën kur i harruam krimet monstruoze dhe serbet vazhdojmë ta ruajmë kumbarinë me kriminelet serbë! Kosova ushqehet me produktet serbe pa e vra fare mendjen se çfarë mund të ketë në  ato produkte! Shqiptarët fyhen, shahen, burgosen, dënohen, por prapë nëpër Serbi e kanë udhën! Turp dhe mëkat! Turp i tmerrshëm. Jo taksa por mallrat serbe duhet bojkotuar, nuk dihet të konsumohen me asnjë çmim! Serbia duhet të shpallet inekzistente! Përfundimisht, duhet të vetëdijesohemi, Serbia është armikja jonë dhe si të këtillë duhet ta trajtojmë e të sillemi ndaj Serbisë!”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Shqiptarët duhet t'i bojkotojnë edhe rrugët nëpërmjet Serbisë

Ndërsa, opinionisti dhe analisti politik Faik Krasniqi, thotë se, sikur ne shqiptarët të kishim qenë patriotë, nuk do t'i kishim konsumuar produktet e atyre që na vranë e na masakruan.

Ai thotë se, sot për taksën ndaj Serbisë as që do të diskutohej.

“Ne më shumë gjëra e kemi favorizuar dhe faktorizuar Serbinë, si në aspektin ekonomik duke i blerë prodhimet e tyre, por edhe favorizim në arenën ndërkombëtare me fillimin e dialogut, dhe duke udhëtuar nëpër Serbi. Në aspektin ekonomik i kemi krijuar vende të reja të punës, dhe në anën tjetër i kemi shtypur prodhimet vendore. Kurse me dialogun e kemi amnistuar Serbinë për krimet e kryera ndaj nesh, dhe tash Serbia nga një agresor është kthyer në viktimë. Pas taksës së vendosur kundër produkteve serbe, shqiptarët duhet t'i bojkotojnë edhe rrugët e tyre. Kjo duhet të vlejë edhe për shqiptarët e Diasporës. Bllokadë në çdo formë të ndryshme duhet t'i bëjmë Serbisë!”, potencon Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Bota sot
Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test