Na ndiqni

Politika

Beriane Mustafa: Politika po e pengon zbardhjen e vrasjes së Xhemail Mustafës

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 08:36
Beriane Mustafa, vajza e të ndjerit Xhemail Mustafa

“Është politika ajo që po e pengon zbardhjen e vrasjes. Janë ata që kanë dhënë urdhër për këto vrasje, të cilat tashmë duhet prokuroria të filloj të i hetoj” ka thënë Beriane Mustafa për gazetën “Bota sot”

Data 23 Nëntor shënon 18 vjetorin e vrasjes së veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit bashkëpunëtorit të afërt të ish presidentit Rugova dhe ish kolumnistit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhemail Mustafa.

Mustafa u vra në hyrje të banesës së tij nga dy njerëz të panjohur,  teksa po kthehej nga puna në orët e pasdites.

Kjo vrasje përbën një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura menjëherë pasluftës në Kosovë.

Nuk dihet se në çfarë faze po zhvillohen hetimet nga prokuroria, pasi e njëjta nuk është përgjigjur për gazetën “Bota sot”, lidhur me këtë rast. Për rrjedhojë, kjo vrasje vazhdon të mbetet enigmë.

Në vrasjen e Xhemail Mustafës, u tha se ka gisht një deputet i Kuvendit të Kosovës. Por, asnjëherë nuk pati ndonjë hetim përfundimtar apo edhe ndonjë të vërtetë të këtyre akuzave.

Image
Beriane Mustafa

“Politika është ajo që po e pengon zbardhjen e vrasjes së Xhemail Mustafës”

Beriane Mustafa, vajza e të ndjerit Xhemail Mustafa, ka thënë për gazetën “Bota sot” se, politika po e pengon zbardhjen e vrasjes së babait të saj.

“Është politika ajo që po e pengon zbardhjen e vrasjes. Janë ata që kanë dhënë urdhër për këto vrasje, të cilat tashmë duhet prokuroria të filloj të i hetoj” ka thënë ajo

Ajo ka theksuar se shpresa e vetme për drejtësi mbetet Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale mbetet shpresa e vetme dhe e fundit që mundet ta zbulojë këtë vrasje dhe t`i bjerë përpara drejtësisë urdhërdhënësit e vrasjes së tij” ka përfunduar Beriane Mustafa.

Image
Adem Salihaj

Salihaj: Vrasësit para syve tanë, në majat e pushtetit dhe kanë në dorë policinë, prokurorinë e gjyqësinë

Ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, në një bisedë me gazetën “Bota sot”,  ka thënë se vrasësit e Mutafës janë këtu, para syve tanë, në majat e pushtetit dhe kanë në dorë policinë, prokurorinë dhe gjyqësinë, kështu që nuk lejojnë zbardhjen e asnjë vrasjeje politike.

Ndërsa, Salihaj shprehet skeptik sa i përket Gjykatës Speciale.

“Vrasja e veprimtarit të shquar dhe bashkëpunëtorit e mikut të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, ka mbetur e pandriçuar sepse vrasësit janë këtu, para syve tanë, në majat e pushtetit dhe kanë në dorë policinë, prokurorinë dhe gjyqësinë, kështu që nuk lejojnë zbardhjen e asnjë vrasjeje politike” ka thënë ai.

Salihaj ka theksuar se Gjykata Speciale mund të përdoret si mjet shantazhi ndaj politikanëve të Kosovës.

“Vrasjet politike do të zbardhen vetëm atëherë kur ky popull i shporrë nga pushteti vrasësit dhe i qet para drejtësisë. Lidhur me Gjykatën Speciale jam skeptik, nuk kam shumë besim në të, sepse ka mundësi të përdoret si mjet shantazhi ndaj politikanëve të Kosovës për arritjen e qëllimeve të vendeve të ndryshme në dëm të Kosovës” ka përfunduar ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Image
Skënder Zogaj

“Mos zbardhja e vrasjes së Mustafës, dëshmi që kemi të bëjmë me vrasje politike nga nëntoka mafioze, duke rrëmbyer pushtetin e konceptit rugovian”

Kurse, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj ka thënë për gazetën “Bota sot” se mos zbardhja e vrasjes së Xhemail Mustafës është dëshmi  se, kemi të bëjmë me vrasje politike nga nëntoka mafioze, e cila në këtë mënyrë ka arritur t’ua rrëmbej pushtetin forcave demokratike të konceptit rugovian.

“Mos zbardhja e vrasjeve të veprimtarëve me të devotshëm demokrat të LDK-së , nga rrethi i bashkë punëtorëve më të afërt të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, është dëshmi e pakundërshtueshme se, kemi të bëjmë me vrasje politike nga nëntoka mafioze e cila në këtë mënyrë ka arritur t’ua rrëmbej pushtetin forcave demokratike të konceptit rugovian! Kjo është e vërteta që tashmë e dimë të gjithë dhe e cila na tregon se, vrasjet politike nuk janë zbuluar, sepse vrasësit janë më të fortë se institucionet e drejtësisë prandaj qe 20 vjet nuk zbardhen vrasjet e heronjve: Xhemail Mustafa, Kol. Ahmet krasniqi, Enver Maloku, Smajl Hajdaraj, Ismet Raci, Shaban Manaj, Tahir Zemaj, Sebahate Tolaj, Ukë Bytyqi, etj, etj. !?!” ka thënë ai

Tutje, Zogaj ka shtuar se Gjykata Speciale është mundësia e mirë për zbardhjen e krimeve, pra edhe për dënimin e vrasësve të Xhemail Mustafës.

“Normalisht që vrasësit nuk lejojnë të zbardhen krimet e tyre, dhe kjo ka bërë që Kosova edhe pse është çliruar nga robëria e huaj po vazhdon të jetë e vet robëruar! Por, e vërteta nuk mund të vritet dhe, po i vjen fundi kriminelëve! Gjykata Speciale është mundësia e mirë për zbardhjen e krimeve, pra edhe për dënimin e vrasësve të Xhemajl Mustafës! Mirëpo, gjykatës i duhet ndihma reale e qytetarëve të Kosovës të cilët nuk duhet të ngurrojnë të tregojnë për faktet që i dinë! Edhe vet dorasit është mirë të mos heshtin, sepse dorasit janë bërë vrasës duke u manipuluar e shantazhuar nga bosët që kanë urdhëruar vrasjet! Gjykata Speciale besoj unë ka me hap kutinë e krimeve” ka përfunduar Skënder Zogaj.

Ndryshe, Besian Mustafa, i biri i Xhemail Mustafës, në një intervistë për gazetën “Bota sot” , ditë më parë ka ftuar Prokurorinë që të merret me emrat e përveçëm të urdhërdhënësve dhe ekzekutuesve të babait të tij.

“Vrasja e babit është qartazi vrasje politike e urdhëruar dhe mundësuar nga ata që kanë gjykuar që për të ardhur në pushtet duhet ta vrasin Xhemajl Mustafën dhe shumë udhëheqës të tjerë të LDK-së. Me emrat e përveçëm të urdhërdhënësve dhe ekzekutuesve duhet, dhe pres, të merret Prokuroria e Shtetit të Kosovës” ka thënë ai.

Në fund ai ka shtuar se shpresë për trajtimin e këtyre vrasjeve është Gjykata Speciale.

“Ligjërisht, këto vrasje politike deri në fund të vitit 2000 janë nën mandatin e Gjykatës Speciale prandaj unë dhe familja jonë presim që ato të trajtohen, të zbardhen dhe të dënohen nga kjo Gjykatë” ka përfunduar Besian Mustafa.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test