Na ndiqni

Politika

"Skenari për dështimin në Interpol është përgatitur në Beograd dhe është zbatuar nga argatët në Prishtinë"

Nga: A.M. Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 22:19
Ilustrim

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi ka deklaruar për “Bota sot” se jemi mësuar që shkakun ta kërkojmë në Serbi  për dështimet tona, dhe nëse diplomacia serbe ka marrë fuqi, kjo i dedikohet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçiti cili ia krijoi këtë mundësi Beogradit.

“Po, është e vërtetë se Kosova dështoi në Dubai të bëhej pjesë e organizatës më të madhe botërore për luftën kundër krimit e sidomos krimit të organizuar, INTERPOL. Ajo nuk siguroi mbështetjen 2/3 të vendeve pjesëmarrëse. Për arsye absurd e banale nuk mori pjesë as vetë Ministri i Brendshëm i Kosovës në këtë betejë. Është vërtet një histori e trishtë. Gjithkush do të kishte dashur që sot të festonte një fitore të vendit si anëtare e INTERPOL. Por nuk qe e thënë.  Ne jemi mësuar që shkakun ta kërkojmë në Beograd për dështimet tona. Në fakt këto dështime duket sikur janë skenarizuar në Beograd dhe I zbatojnë politikanët e Prishtinës, argatë të Beogradit. Edhe nëse diplomacia serbe ka marrë kaq shumë fuqi, kjo i dedikohet Hashim Thaçit, vetë presidentit të Kosovës i cili ia krijoi këtë mundësi Beogradit, thjesht që të siguronte mbështetjen e tij për pushtetin e tij të korrupsionit e të krimit. Bisedimet me Serbinë në këto 8 vite, të udhëhequra nga Hashim Thaçi ishin një proces rehabilitimi të politikave serbe dhe të politikanëve bashkëpunëtorë të Milosheviçit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Arsyeja kryesore, sipas profesorit, pse diplomacia serbe është kaq aktive është për shkak të kontributit të Prishtinës dhe posaçërisht presidentit  Thaçi.

“Kjo është arsyeja kryesore pse diplomacia serbe është kaq aktive dhe Beogradi na shfaqet si fitues, të cilit do të duhej t’i shkonte nga pas edhe kancelari austriak, siç e thoshte sot Ivica Daçiq. E gjitha është kontribut i Prishtinës dhe posaçërisht presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ndonjë vend, i cili ka njohur Kosovën, të votojë kundër pranimit të saj në INTERPOL e në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka potencuar Bytyçi  për “Bota sot”.

Ai shpjegon se ka pasur edhe arsyeje tjera të dështimit të Kosovës  dhe se sipas tij, Vuçiq, Thaçi dhe Rama kanë nevojë për “argument” shtesë sa i përket idesë së tyre për ndarjen e Kosovës.

“Por ka patur dhe një arsye tjetër në këtë dështim: Konjuktura. Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçi dhe Edi Rama kanë nevojë për “argument” shtesë sa i përket idesë dhe opsionit të tyre për ndarjen e Kosovës. Retorika e tyre, mbështetur dhe nga Baton Haxhiu, lidhet me atë se “Pa Serbinë Kosova vdes”! Ministri serb i Punëve të Jashtme e thotë me fjalë tjera se “Serbia është çelësi i zgjidhjes”! Të dy palët ajo serbe dhe ajo serbofile në Kosovë mbrojnë të njëjtën pikëpamje, fetishizojnë rolin e Serbisë në integrimet, shtetësinë dhe zhvillimet e Kosovës. Qëllimi është ta copëtojnë atë dhe pasuritë e saj më të çmueshme t’ia japin Serbisë. Pra të bëjnë kompromise me territoret. Ndërkohë që kompromiset me Serbinë i kanë kushtuar Kosovës edhe këto dështime të mospranimit jo vetë në INTERPOL, por edhe në UNESCO”ka shtuar më tej profesori Bytyçi.

Më tutje, ka thënë se duhet kuptuar se dështimet e Kosovës nuk janë pasojë e forcës së Beogradit, janë pasojë e kompromiseve dhe lëshimeve pa fund ndaj politikave serbe në Kosovë.

Si dhe ka thënë se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe bashkim të forcave politike kundër serbëve të Kosovës.

“Këto lëshime i ka bërë të gjitha Hashim Thaçi. Deri te territoret. Dhe dështimi në fjalë është manipulim e skenarizim i krijimit të atmosferës disfatiste, fataliste te shqiptarët. Politika në Prishtinë duhet ta shmangë disfatizmin. Për ta shmangur do të duhet që politika e Prishtinës t’ia presë fijet tentativave të presidentit Thaçi për rrëzimin e qeverisë aktuale. Deri në pranverën e vonë deri pas zgjedhjeve në parlamentin europian, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe bashkim të forcave politike kundër serbëve të Kosovës me Hashim Thaçin në krye. Kjo duhet t’i bëhet e qartë edhe Behgjet Pacollit. Ai ka një trashëgimi të errët në lidhje e të kaluarën e tij në e për Kosovën. Nëse bëhet faktor destabilizimi, atëherë do të marrë edhe përgjegjësitë e së shkuarës. Nuk mund të ketë askush në këtë botë njëmijë shanse. Shanset sidomos në politikë mund të të vijnë një ose dy herë. Nuk mund të ketë herë të tretë. Prandaj Pacolli, Thaçi e kushdo tjetër duhet t’i bëjnë llogaritë mirë e të mos gëzohen me dështimet e Kosovës se këto dështime mund t’i përdorin për destabilizimin e vendit e më pas për realizimin e planeve të Serbisë kundër Kosovës!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test