Na ndiqni

Politika

Dështimi i seancave përcillet edhe te komisionet

Nga: Zëri Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 09:41
Ilustrim

Përveç ndërprerjes së pothuajse secilës seancë plenare të Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit, tashmë kanë filluar të dështojnë edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare. Deputetët kanë filluar që t’i bojkotojnë edhe mbledhjet e komisioneve. Ndërsa monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se dështimet e seancave po pasqyrohen edhe në komisione. Ndërkohë, partitë opozitare thonë se koalicioni qeverisës tashmë është jofunksional. “Dështimet e shpeshta të mbledhjeve të komisioneve parlamentare janë kryesisht për shkak të bojkotit të punës në Kuvend nga partitë opozitare dhe nga parti që aktualisht janë në koalicion qeverisës, siç është Lista Serbe, por edhe për shkak që shumica prej deputetëve janë anëtarë në më shumë se një komision”, ka theksuar Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ajo më tej ka thënë se shkak tjetër për dështimin e këtyre komisioneve është edhe moskoordinimi i kohës se kur do të mbahen seancat dhe kur komisionet. “Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, komisionet parlamentare obligohen që të mbajnë së paku dy takime brenda muajit dhe po e njëjta rregull vlen edhe për seancat plenare, por kjo është bërë problematikë më e theksuar sidomos për shkak të mbajtjes së seancave në kohën kur është paraparë të mbahen edhe mbledhjet e komisioneve”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, i takon Kryesisë së Kuvendit që ta bëjë praktikë respektimin e kalendarit të punës në atë mënyrë që t’i caktojë ditët kur do të duhej të mbaheshin seancat plenare, për t’u dhënë hapësirë komisioneve që të planifikojnë mbajtjen e takimeve të tyre në kohën kur nuk planifikohet mbajtja e seancës, shkruan Gazeta "Zëri".

Më tutje Haxhiu shtoi se aktualisht Kuvendi e ka para vetes një agjendë të stërngarkuar, ku janë në procedurë të shqyrtimit edhe 63 projektligje që do të duhej të përfundonin deri në fund të këtij viti, duke thënë se në qoftë se performanca do të vazhdojë të jetë në këtë nivel përmbushja e kësaj agjende do të jetë sfidë për Kuvendin.

Zëri
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test