Na ndiqni

Politika

Kuvendi i Kosovës “peng” i Hashim Thaçit

Nga: Bota sot Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 08:17
Hashim Thaçi

“Rezoluta  të cilën e ka propozuar opozita do duhet të kalonte, për faktin se e njëjta ka për synim të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të një vendi nga ndërmarrja  e rrezikshme e presidentit Thaçi, natyrisht se rezoluta nuk u votua për faktin se ka presione të shumta nga deputetë edhe nga vete presidenti Thaçi, por edhe nga qeveria e cila është e shantazhuar nga presidenti Thaçi” ka thënë deputetja Albulena Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës ka kohë që nuk është mbushur nga deputetët e partive opozitare. Karriget janë bosh dhe që nga mos votimi i rezolutës që i ndalon presidentit Thaçi diskutimin për korrigjim të kufijve, LDK dhe VV nuk janë parë në parlament. Ndërsa, herët e pakta kur Kuvendi “ushton” nga zërat e deputeteve janë seancat e jashtëzakonshme.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me deputetët e partive opozitare për t`i pyetur ata rreth kushtit qe kanë për tu kthyer në Kuvendin e Kosovës.

LDK: Të bëhet votimi i rezolutës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kushti që ata të kthehen në kuvend është votimi i rezolutës.

“Kushti ynë është të votohet rezoluta e propozuar nga opozita e bashkuar”, ka thënë deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi.

Image
Albulena Haxhiu

LVV: Duke diskutuar për bojkot të Kuvendit, në koordinim të plotë me LDK-në

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se janë dike diskutuar për koordinim të punës të Kuvendit, deri sa të votohet rezoluta.

Sipas saj, ka presione të vazhdueshme nga Presidenti Thaçi ndaj deputetëve për mos votimin e rezolutës së opozitës.

“Rezoluta  të cilën e ka propozuar opozita do duhet të kalonte, për faktin se e njëjta ka për synim të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të një vendi nga ndërmarrja  e rrezikshme e presidentit Thaçi, natyrisht se rezoluta nuk u votua për faktin se ka presione të shumta nga deputetë edhe nga vete presidenti Thaçi, por edhe nga qeveria e cila është e shantazhuar nga presidenti Thaçi” ka thënë ajo

Haxhiu ka nënvizuar se do të marrin mekanizma qoftë brenda apo jashtë kuvendit për ndalim të Presidentit Thaçi.

“Prandaj cili do të jetë qëndrimi jonë  karshi me bojkotin aktiv që e kemi praktikuar deri tani do të bëhet e ditur shumë shpejt, kjo do të diskutohet edhe në organet tona mirëpo ne konsiderojmë se përball kësaj gjendje ,  përball këtij rreziku që po tenton ta fus presidenti i vendit, natyrisht që ne nuk do të qëndrojmë të heshtur, do të marrim mekanizma qoftë brenda qoftë jashtë kuvendit. Nuk ka ende vendim të VV-së për bojkot të kuvendi, do të diskutohet brenda Vetëvendosjes dhe në koordinim të plotë me LDK. Pra ne jemi duke u koordinuar dhe natyrisht që në seancën e radhës do ta keni të qartë qëndrimin tonë” ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Image
Faton Topalli

PSD: Më mirë të veprojmë , se sa të vajtojmë

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli ka thënë për gazetën “Bota sot” se në vend se të dy partitë të vinë në Kuvend dhe ta pengojnë praktikisht Presidentin Thaçi në qëllimet e tij, ato po e godasin në fjalë por në praktikë ia kanë lënë duart e lira që ai ti realizoj politikat që vetë i konsiderojnë  të dobishme.

“Bojkoti ka kuptim kur përmes tij mund të arrihet një qellim. Unë nuk i di qëllimet e këtij bojkoti, por nga ajo që kam parë, LDK dhe LVV, sa herë që qeveria ka pas nevojë për 80 vota, të dy partitë janë paraqitur në seance dhe i kanë votuar marrëveshjet e arritura prej qeverisë. Sidoqoftë është çështje e tyre për ta vlerësuar nëse duan apo nuk duan të kthehen në seancë. Ne e kemi mbështetur rezolutën e të dy partive opozitare, madje më shumë se vetë partitë që e kanë propozuar. Kjo pjesë e rezolutës ka qenë edhe në rezolutën tonë. Në vend se të dy partitë të vinë në Kuvend dhe ta pengojnë praktikisht Presidentin Thaçi në qëllimet e tij, ato po e godasin në fjalë por në praktikë ia kanë lënë duart e lira që ai ti realizoj politikat që vetë i konsiderojmë  të dobishme. Në këtë kuptim mendoj që është me mirë të jemi të gjithë në Kuvend dhe të veprojmë, se sa të vajtojmë” ka përfunduar deputeti i PSD-së, Faton Topalli.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Opozita duhet të jetë në kuvend

Ndërsa, për analistin politik, Faik Krasniqi opozita duhet të jetë në Kuvend në mënyrë që ta parandalojnë Presidentin Thaçi në aventurat e tij

“Kosova po kalon nëpër disa procese jetike për vendin. Çështjet si Ushtria, Interpoli, liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë. Në anën tjetër, kemi një President që po negocion me Serbinë për territorin e Kosovës. Prandaj, opozita duhet të jetë në Kuvend në mënyrë që ta parandalojnë Presidentin Thaçi në aventurat e tij. Kushti i opozitës duhet të jetë miratimi i Rezolutës që do t'ia parandalonte Presidentit të bisedojë me Serbinë për territorin e Kosovës, por edhe për kushtëzimet që duhet bërë Serbisë dhe BE-së për të vazhduar dialogun, sepse në formatin e vjetër Kosova veç ka humbur” ka thënë ai

Krasniqi ka shtuar se pas votimit të rezolutës opozita duhet të ngritë mocion për rrëzim të qeverise.

“Duhet të ketë një harmonizim mes partive politike rreth kësaj Rezolute, sepse Kosova është e të gjithëve. Kushtëzime duhet të ketë edhe për BE-në e sidomos rreth liberalizimit të vizave, sepse është absurde që qytetarët e Kosovës të ngelin të izoluar për faj të politikanëve të korruptuar. Kur kjo Rezolutë të hidhet në votim, duhet të jenë prezent gjithë deputetët e opozitës, dhe jo si herën e kaluar kur mungonin shumë prej tyre. Pas përfundimit të këtyre proceseve opozita menjëherë duhet të ngritë mocionin për rrëzimin e kësaj Qeverie, sepse Kosova nuk guxon të ketë Qeveri e cila shantazhohet nga Lista serbe” ka përfunduar Faik Krasniqi.

Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test