Na ndiqni

Politika

LDK: Partia e Kryeministrit po i kërcënon me burg pjesëtarët e KQZ-së e PZAP-së

Nga: Mediat Shqiptare Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 14:34
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës, procesin e rivotimit në Komunën e Istogut e konsideron si proces tejet të rregullt, me ç’rast falënderon qytetarët e Istogut dhe organet kompetente për pjesëmarrje, përkatësisht organizim të mirë të procesit zgjedhor në këtë komunë.

LDK, përmes një komunikate për media, e ka vlerësuar lart mbështetjen e qytetarëve të Istogut për kandidatin e saj Haki Rugova, duke u nisur edhe nga fakti se “përballë tij ishin në një koalicion të ‘natyrshëm’ të gjitha partitë tjera politike që ishin pjesë e garës në raundin e parë të zgjedhjeve në këtë komunë”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga organet përgjegjëse që me profesionalizëm dhe paanshmëri t’i përfundojnë të gjitha procedurat e parapara ligjore për shpalljen dhe certifikimin e rezultatit me qëllim që të përmbyllet sa më parë ky proces i tejzgjatur zgjedhor në Komunën e Istogut që ndodhi pikërisht për shkak të manipulimeve të identifikuara nga LDK e të konfirmuara nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme, të kandidatit Gani Dreshaj dhe subjektit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, thotë ky subjekt politik.

LDK thotë se me shqetësim të thellë është duke përcjellë presionin e jashtëzakonshëm që është duke iu bërë organeve të pavarura kushtetuese siç janë KQZ dhe PZAP, “pjesëtarët e të cilave madje janë kërcënuar edhe ‘me burg’ nga partia e Kryeministrit Haradinaj dhe nga pjesëtarët e caktuar të kësaj qeverie”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës këto veprime i konsideron si të papranueshme duke i vlerësuar edhe si veprime që cenojnë rëndë rendin kushtetues dhe demokratik në Republikën e Kosovës”, thotë LDK.

Më tej kjo parti thotë se nuk do të lejojë “me asnjë kusht që, përmes presionit të hapur që po i bëhet organeve të pavarura kushtetuese nga ana e Qeverisë që udhëhiqet nga të njëjtit partnerë koalicioni që ishin bashkë edhe në mbështetje të kandidatit të AAK-së në Istog, të cenohet integriteti i procesit zgjedhor, proces ky që sipas të gjitha vlerësimeve, ishte i rregullt, i lirë e demokratik”.

“Sido që të jetë, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë proces duke e dhënë kontributin e saj brenda kornizave ligjore që, procesi zgjedhor në këtë komunë i cili u vlerësua si plotësisht i rregullt nga të gjithë, deri në daljen e rezultatit, të mos devalvohet me prova të fabrikuara, me dëshmitarë të rrejshëm dhe me pretendime të pabazuara për kinse parregullsi gjatë procesit zgjedhor”, ka përfunduar LDK.

Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test