Na ndiqni

Politika

LDK çon në interpelancë kryeministrin Haradinaj për energjinë elektrike

Nga: Bota Sot Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 18:20
Deputetët e LDK-së në Kuvend

Zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kanë thënë se energjia elektrike mund të shtrenjtohet për rreth 20 për qind. Sipas këtyre të fundit, kjo mund të ndodhë si rezultat nëse furnizimi vazhdon të mbulohet nga importi.

Sipas ZRRE-së, një sasi e madhe e energjisë elektrike është duke u importuar nga shtetet e rajonit, kryesisht nga Shqipëria, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.

E këtij mendimi është edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Ajo në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se shtrenjtimi i energjisë elektrike në Kosovë është duke ndodhur edhe për faktin se nuk është duke u punuar me kapacitetet e plota.

Bajrami ka thënë se energjia elektrike mundet të shtrenjtohet, nëse nuk arrihet problemi me banorët e Shipitullës.

“Energjia elektrike mundet të shtrenjtohet nëse nuk arrihet të zgjidhet problemi me banorët e Shipitullës dhe nëse nuk ka rezerva të mjaftueshme të qymyrit për prodhim të energjisë elektrike”, është shprehur deputetja e LDK-së.

Bajrami: Opozita do të parandalojë shtrenjtimin e rrymës

Ish-ministrja Bajrami ka deklaruar se deputetët e LDK-së në koordinim me pjesën tjetër të opozitës, do të bëjnë gjithçka që mos të ndodhë shtrenjtimi i paralajmëruar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, në koordinim me pjesën tjetër të opozitës, do të bëjë gjithçka që është në kompetencën tonë që këtë problem ta parandalojë, para së gjithash duke kërkuar llogari nga Qeveria Haradinaj, sepse kjo punë është stërzgjatur”, ka thënë Bajrami.

Sipas saj, deputetët opozitar janë në përgatitje të një interpelance për të thirrur kryeministrin Haradinaj.

Image
Hykmete Bajrami

“Ne si grup, jemi në përgatitje të një interpelance për të thirrur kryeministrin Haradinaj, pikërisht për çështje të energjisë elektrike, rreth problemit të Shipitullës dhe faturat e Veriut, të cilat tash e një periudhë të gjatë dolën që kanë qenë pjesë e faturave të banorëve të Republikës së Kosovës, të cilët e kanë paguar rrymën në baza të rregullta”, ka përfunduar Hykmete Bajrami.

Mospagesa e energjisë elektrike në veri, në kundërshtim më të drejtat e njeriut

Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Nexhat Kryeziu, për “Bota sot”, ka thënë se shtrenjtimi i paralajmëruar i rrymës, duke u bazuar në rrethana aktuale, mund të quhet edhe shtrenjtim politik.

“Shtrenjtimi i paralajmëruar i rrymës duke u bazuar në rrethana aktuale lirisht mund të quhet shtrenjtim politik dhe pa ndonjë vlerësim ekonomik të kostos së prodhimit të rrymës apo edhe do të ndikojë në shtrenjtimin dhe rëndim të gjendjes sociale dhe kostos së jetës së qytetarëve të Kosovës, gjë që nuk dallon nga metoda deri më tani aktuale e inkasimit të faturave të energjisë për pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka thënë se mospagesa e energjisë elektrike nga komunat me shumicë serbe, është në kundërshtim më të drejtat e njeriut.

Image
Nexhat Kryeziu

“Me sa kam informata unë, ende s’ka vendim konkret që tarifa e humbjeve nga mospagesa e komunave me shumicë serbe, një gjë e tillë ashtu edhe siç është konstatuar nga organet ligjore tona, është në kundërshtim me të drejtat njeriut, ndërsa edhe ideja që kjo “humbje” tani e tutje të financohet apo kompensohet nga buxheti i shtetit të Kosovës, është praktikë shumë e dëmshme. Më këtë rast, përfiton operatori ekonomik i licencuar për një gjë të tillë dhe koston do ta bartin prapë qytetarët e Kosovës. Sipas meje, ZRRE-ja gjatë shqyrtimit të ndonjë kërkesë për ngritje të çmimit, kurrsesi nuk duhet të merr në konsideratë “elementin politik” të operatorit që kërkon një gjë të tillë, por vetë argumentin ekonomik. Mospagesa e energjisë nga grupe të caktuara nga ZRRE-ja, nuk duhet pranuar si humbje e energjisë”, ka përfunduar kryeshefi i NPB-së, Nexhat Kryeziu.

Kujtojmë se që nga viti 2011, qytetarët e Kosovës, kanë paguar energji elektrike për pjesën veriore në shumë prej 53 milionë euro. Sipas vlerësimeve të fundit, qytetarët e Kosovës paguajnë në vit për energjinë elektrike të shpenzuar në veri rreth 8 milionë euro.

Bota Sot
Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test