Na ndiqni

Politika

Iniciativa për hetimin e SHIK-ut, drejt dështimit!

Nga: Nesib Hoti Më: 28 prill 2018 Në ora: 17:07
Kuvendi i Kosovës, logo e SHIK-ut

Iniciativa e Vetëvendosjes për të mbledhur nënshkrimet e nevojshme, nga e cila do themelohej një Komision, po shkon drejt dështimit. Kjo pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës po refuzon me çdo kusht që të bëhet pjesë e saj.

Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se subjekti i tyre tashmë ka mbledhur 31 nënshkrime për formimin e Komisionit për hetimin e SHIK-ut, nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklarohen se kjo është vetëm një lojë e padrejtë nga ana e iniciuesve, ngase, sipas këtyre të fundit, ky subjekt ka qëllim vetëm të “shpërlaj” vetën.

Nga paslufta të bëmat e Shërbimit Informativ të Kosovës janë komentuar jashtëzakonisht shumë, e sidomos nga akteret politik në vend. Kjo organizatë e njohur ndryshe me shkurtesën SHIK, ishte formuar në vitin 1999 dhe në krye të saj kishte qenë Kadri Veseli, tani kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë edhe kryeparlamentar i Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, ka kohë që ka filluar një iniciativë për formimin e një Komisioni Hetues Parlamentar më qëllim të hetimit dhe zbardhjes së veprimtarisë së Shërbimit Informativë të Kosovës (SHIK). Përkundër se deputetët e këtij subjekti një gjë të tillë e kishin bërë edhe në të kaluarën, të njëjtit edhe në këtë legjislaturë përsëri kanë filluar mbledhjen nënshkrimeve nga deputetët e Kuvendit, që të bëjnë të mundur formimin e Komisionit Hetimor.

Por, iniciativa e Vetëvendosjes për të mbledhur nënshkrimet e nevojshme, nga e cila do themelohej një Komision, po shkon drejt dështimit. Kjo pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës po refuzon me çdo kusht që të bëhet pjesë e saj.

Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se subjekti i tyre tashmë ka mbledhur 31 nënshkrime për formimin e Komisionit për hetimin e SHIK-ut, nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklarohen se kjo është vetëm një lojë e padrejtë nga ana e iniciuesve, ngase, sipas këtyre të fundit, ky subjekt ka qëllim vetëm të “shpërlaj” vetën.

 “Vetëvendosje i ka mbledhur 31 nënshkrime”

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se subjekti i tyre ka mbledhur 31 nënshkrime për formimin e Komisionit hetimor.

Haxhiu thotë se për këtë, kanë ftuar edhe deputetët e LDK-së, që të nënshkruajnë për këtë nismë.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka mbledhur 31 nënshkrime për formimin e Komisionit hetimor për SHIK-un. Ne e kemi ftuar deputetët e LDK-së që të nënshkruajnë për këtë nismë dhe kemi menduar se shumica prej tyre do të nënshkruanin pa hezitim meqë deklarativisht shprehen të interesuar për kundërshtimin e kësaj strukture”, është shprehur deputetja Haxhiu.

Tutje ajo thotë se nuk e kuptojnë tërheqjen e LDK-së, që as nuk ka bërë dhe as nuk po e përkrah këtë iniciativë.

“Nuk e kuptojmë tërheqjen e LDK-së që as nuk ka bërë dhe as nuk e përkrah një veprim konkret që ka për qëllim hetimin e SHIK-ut”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për gazetën “Bota sot”.

“Lojë e padrejtë e Vetëvendosjes”

Por, në këtë linjë nuk qëndron edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se kjo është një lojë shumë e padrejtë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas Gaxherrit, politikisht subjekti i tyre nuk do të lejojë që të themelohet një Komision hetimor.

“Kjo është një lojë shumë e padrejtë. Vrasjet e kanë atakuar vetëm LDK-në dhe është lojë aq e ulët që dikush, nga cilido subjekt politik, përjashtuar LDK-në, ka eksponentë të SHIK-ut brenda partisë së vet dhe po pretendojnë për të na bërë një Komision hetimor, për të pastruar vetën. Ne nuk kemi ekspertizë. Ne si LDK nuk kemi dëshmitar, sepse ne nuk kemi qenë e atyre gjërave. Ne pa pasur dëshmitar nuk mund t’i zbardhim gjërat. Nëse partitë politike, me lojërat e tyre, dëshirojnë ta shpërlajnë vetën përmes këtij Komisioni hetimor dhe për ta mbyllë këtë çështje politikisht, e kanë shumë gabim, pasi që nuk do ta lejojmë”, tha deputetja Gaxherri.

Ajo thotë se janë duke punuar, që mandatin e ardhshëm të kenë një votë popullore, për të pasur një shumicë të fuqishme politike, sepse, sipas saj, vetëm atëherë gjërat shtyhen më shpejt.

“Ne jemi politikan dhe do punojmë politikisht çdo ditë, deri të zbardhet edhe  vrasja e fundit. Tjetër është se institucionet e drejtësisë janë të kapura dhe fatkeqësisht drejtësia jonë nuk ka mundur të zbardh as edhe një vrasje politike, por lëndët e vrasjeve nuk plaken, ato do të jenë gjithmonë aty. Ne politikisht, kundërshtarëve tanë do t’ju themi çdo ditë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur vrasje politike dhe partia jonë nuk bëhet pjesë e asnjë subjekti politik, për të bërë lojëra me dhimbjet e veta. Ne jemi duke punuar që mandatin e ardhshëm të kemi një votë popullore dhe për të pasur një shumicë të fuqishme politike, sepse vetëm atëherë gjërat shtyhen më shpejt”, u shpreh ajo.

Krejt në fund, deputetja e LDK-së, thekson se politikisht nuk do të lejojnë që të bëhen lojëra të tilla.

“Politikisht ne nuk do ta lejojmë askund që të bëjë lojëra, as me la dhe as me shpërla vetën me një Komision hetimor, ky gjithmonë ka qenë mendimi i imi personal dhe me vjen mirë që edhe LDK-ja ka këtë qëndrim”, përfundoi deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, për gazetën “Bota sot”.

“Formimi i një Komisioni, ka edhe rreziqe”

Ndërsa, ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se SHIK-u ka qenë dhe mbetet një organizatë e rrezikshme kriminale, e cila, sipas tij, ka marrë nën kontroll pothuajse të gjitha institucionet shtetërore.

“SHIK-u ka qenë dhe është një organizatë e rrezikshme kriminale, e cila ka depërtuar dhe ka marrë nën kontroll pothuajse të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Kosovës, përfshirë Kuvendin, gjithë qeverinë me institucionet përcjellëse dhe presidencën”, ka thënë Salihaj.

Ish-deputeti i LDK-së, mendon se formimi i një Komisioni të tillë ka edhe rreziqe që mund të arrij efektin e kundërt.

“Nën kontroll të SHIK-ut janë edhe agjencitë, kompanitë publike dhe çdo segment tjetër që ka lidhje me shtetin. Në mandatin e kaluar, unë kam qenë nënshkrues i kërkesës për formimin e Komisionit për Hetimin e SHIK-ut.  Thënë të drejtën, formimi i një Komisioni të tillë ka edhe rreziqe, sepse mund të arrij efektin e kundërt. Nëse dominohet apo ndikohet nga pozita, mund ta rehabilitojë këtë organizatë kriminale”, ka thënë Adem Salihaj.

“Çdo tentativë për të hetuar SHIK-un dështon”

E, analisti politik, Faton Mehmeti, duke folur për gazetën “Bota sot”, tha se çdo iniciativë për të hetuar SHIK-un, me njerëzit e SHIK-ut në krye të shtetit, nuk të mund të jap dot asnjë rezultat.

Sipas tij, së pari duhet larguar Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) nga pushteti, e pastaj të themelohet një Komision hetimor.

“Çdo iniciativë për të hetuar SHIK-un, me njerëzit e SHIK-ut në krye të shtetit, s’do të mund të jap dot asnjë rezultat. Andaj, iniciativa e Vetëvendosjes, ndonëse e duhur, por nuk mund të jap asnjë rezultat. Së pari duhet larguar SHIK-u nga pushteti, pastaj të hetohet. Por, është vështirë që këta prokuror dhe gjykatës të hetojnë SHIK-un, të cilët janë të emëruar me urdhër dhe pa asnjë meritë. Iniciativa e VV-së është mirë që të iniciohet pasi klani "Pronto" të largohet nga pushteti të cilin e ka kapur”, tha Mehmeti.

Mehmeti mendon, se opozita duhet të jetë e fokusuar së pari  që të largoj nga pushteti, pastaj të hetoj ish-kreun e kësaj organizate.

“Çdo tentativë për të hetuar SHIK-un dështon, pasi mekanizmat e kapjes së shtetit të pamundësojnë arritjen e një rezultatit real dhe korrekt. Opozita të fokusohet së pari të largoj nga pushteti, pastaj të hetoj Kadriun me jarana”, përfundoi analisti, Faton Mehemti, për gazetën “Bota sot”.

Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test