Na ndiqni

Politika

Vetëvendosje dhe GDP të gatshme t`i bashkohen LDK-së në rrëzimin e Qeverisë

Nga: Bota sot Më: 19 prill 2018 Në ora: 20:08
Ilustrim

Përkundër raportimeve se iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i mbledhur të gjitha partitë politike në një tryezë të përbashkët po shkon drejt dështimit, një gjë të tillë po e demantojnë vet deputetët nga opozita, të cilët deklarohen se janë të gatshëm t’i bashkëngjitën një ideje të tillë. Derisa deputetët e opozitës deklarohen njëzëri rreth idesë së zgjedhjeve të parakohshme, deputet nga koalicioni qeverisës mendojnë se vendi ka prioritete të tjera.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ndalët së kërkuari zgjedhje të parakohshme, me arsyetimin se Qeveria Haradinaj ka dështuar të qeverisë me vendin. Zgjedhjet si ide edhe më tej po vazhdojnë të mbeten opsion ndaj koalicionit aktual qeverisës, të cilët nuk e kanë tashmë shumicën e votave në Kuvend. 

Përkundër raportimeve se iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i mbledhur të gjitha partitë politike në një tryezë të përbashkët po shkon drejt dështimit, një gjë të tillë po e demantojnë edhe vet deputetët nga opozita, të cilët deklarohen se janë të gatshëm t’i bashkëngjitën një ideje të tillë.

Ndërsa, lidhur me këtë, nga LDK deklarojnë se janë duke punuar në mënyrë intensive për caktimin e momentit të mbajtjes së tryezës.

Derisa deputetët e opozitës deklarohen njëzëri rreth idesë së zgjedhjeve të parakohshme, deputet nga koalicioni qeverisës mendojnë se vendi ka prioritete të tjera dhe se zgjedhjet parlamentare pa një reformë zgjedhore nuk do të prodhojnë diçka të re.

“LDK po punon në mënyrë intensive”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, në një prononcim për “Bota sot” tha se subjekti i tij është duke punuar në mënyrë intensive në këtë drejtim.

“Ne jemi duke punuar sistematikisht në këtë drejtim dhe nuk qëndron asgjë prapa saj, sepse jemi duke punuar në mënyrë intensive deri te ardhja e këtij momenti’, u shpreh deputeti Osmani.

Tutje, deputeti i LDK-së tha se janë në bisedime me subjektet e tjera për t’u koordinuar për caktimin e momentit të mbajtjes së tryezës. 

“Ne normalisht me partnerët jemi  si duke biseduar dhe duke u koordinuar dhe në momentin e caktuar kjo do të ndodh”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, për “Bota sot”.

“Opozita nuk i ka 61 vota”

Në anën tjetër edhe deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Shqipe Pantina, duke folur për “Bota sot”, lidhur me propozimin e LDK-së, tha se kurdo që mbahet një tryezë e tillë grupi i tyre do të marrin pjesë për të parë se çka po kërkohet konkretisht.

“Ende nuk kemi një ftesë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ne natyrisht kemi thënë edhe më herët se kurdo që mbahet një e tillë, ne do të marrim pjesë dhe do të shohim se çka po kërkohet konkretisht dhe si e ka parë Lidhja Demokratike e Kosovës rrëzimin e qeverisë, sepse unë nuk besoj se qeveria aktuale ka vullnet ta rrëzojë vetveten, se paku jo tani dhe kjo duhet të behet nga opozita”, u shpreh deputetja Pantina.

Pantina thotë, se aktualisht opozita nuk i ka 61 vota, përveç nëse e mbështetet edhe Lista Serbe, por, sipas saj, grupi tyre është kundër që Lista Serbe të jetë përcaktuese.

“Aktualisht opozita nuk i ka 61 vota, përveç nëse e mbështet edhe Lista Serbe dhe ne kemi deklaruar se kemi qenë kundër që Lista Serbe të jetë pjesë në themelimin e kësaj qeverie, por, jemi kundër po ashtu që Lista Serbe të jetë përcaktuese për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme”, përfundoi deputetja nga Grupit të Deputetëve të Pavarur, Shqipe Pantina, për gazetën “Bota sot”.

“Zgjedhjet e reja nuk prodhojnë diçka tjetër”

Por, ndryshe mendon deputetja nga radhët e koalicionit qeverisës, Teuta Haxhiu, e cila për “Bota sot” tha se zgjedhjet e reja kurdo që mbahen pa një reformë zgjedhore nuk do të prodhojnë diçka tjetër.

“Ajo që në opinion dinë për të thënë përfaqësuesit e LDK-së, si parti institucionaliste, po e dëshmon krejt të kundërtën. Tani si deputete, nuk mundem me pas një mendim ndryshe, pos asaj që jo vetëm si  opozitarizëm, por opozitarizëm jo të sinqertë janë duke bërë. Këtë e argumentojmë me atë që edhe një herë po e them se ende nuk ka kaluar një vit dhe është e natyrshme për të pasur kritika të përditshme, sepse ne kemi, kanë qytetarët nevoja të ndryshme, por në këtë moment ende pa kaluar një vit prej zgjedhjeve dhe e dimë se si ka shkuar viti 2017 dhe tani në këtë kohë të kërkojmë zgjedhje përderisa nuk është bërë asnjë reformë dhe as nuk ka synime për një gjë të tillë. Zgjedhjet e reja kurdo që do mbahen pa një reformë zgjedhore nuk do të prodhojnë diçka tjetër, por, vetëm një situatë pothuajse të njëjtë sikurse zgjedhjet e fundit”, tha Haxhiu.

Madje, sipas saj, këto janë deklarime të individëve brenda subjektit të LDK-së, për të dal137 në sipërfaqe se kush është i pari brenda këtij subjekti.

“Këto janë deklarime të individëve brenda subjektit të LDK-së. Në këtë subjekt, këto i kanë më tepër për të dalur në sipërfaqe se kush është i pari brenda LDK-së dhe krejt kjo lojë, pra po luhet përbrenda partisë dhe për t’ia mbushur mendjen opinionit se cili është më i forti. Ju i keni parë deklarimet e fundit si nënkryetarët dhe i kemi disa figura brenda LDK-së dhe synimet e tyre janë për të treguar se cili është i pari brenda këtij subjekti dhe kjo është krejt një qasje tjetër që më së paku kish me ju interesuar qytetarëve”, tha deputetja e AAK-së.

Haxhiu thotë se kjo është krejt temë e brendshme e LDK-së dhe nuk përkon me atë që ky subjekt në vazhdimësi e thotë si parti institucionaliste.

“Kemi shumë tema, kemi shumëçka për të diskutuar, qoftë për ta kritikuar edhe qeverinë, sepse është normale kur të jesh në opozitë, pse jo edhe kur të jesh në pozitë kur e shikon se diçka nuk shkon në rregull, por për këtë konsiderojë se kjo është krejt temë e brendshme e LDK-së dhe nuk përkon me atë që ky subjekt në vazhdimësi e thotë si parti institucionaliste edhe pse është e drejt për të kërkuar, por duke pasur parasysh edhe një herë po e them buxhetin e madh që po shkon për zgjedhje, e dyte pa një reformë, me këto dy pika nëse mendohet për çdo vjet të mbahen zgjedhje atëherë nuk po prodhohet diçka tjetër”, përfundoi deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, për gazetën “Bota sot”

“Zgjedhjet një opsion”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajqi, në një prononcim për “Bota sot” tha zgjedhjet janë një prej opsioneve, por që, sipas tij, këto si momentum janë duke u politizuar.

“Zgjedhjet janë njëra prej opsioneve, por këto si momentum tani janë duke u politizuar shumë. Më shumë janë lojëra jo serioze nga LDK-ja, sepse vetvetiu mund të konstatohet se të gjitha partitë politike, të themi realisht ende nuk janë të përgatitura sa duhet për zgjedhje”, tha deputeti i Vetëvendosjes.

Tutje, Lajqi i Vetëvendosjes, thotë se zgjedhjet për të vazhduar avazi i vjetër nuk janë të favorshme për vendin. Ai thotë se edhe mendësia e elektoratit nuk është e përgatitur sa duhet për zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet për të vazhduar avazi i vjetër nuk janë të favorshme për vendin në këtë rast edhe unë mendoj se zgjedhjet do ishin të mira po të ishte e përgatitur edhe mendësia e elektoratit, atëherë mund të ndryshonte dhe mund të binte një subjekt që faktikisht ka një program ndryshues, që i nevojitet Kosovës, e kjo mund të ishte pavarësisht prej kësaj programi i vetëm i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka përfunduar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajqi, për gazetën “Bota sot”.

“Nëse tryeza dështon vjen mocioni”

Por, ky subjekt nuk ndalet më kaq. LDK ka edhe një opsion tjetër për largimin e Qeverisë Haradinaj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti se nëse tryeza e përbashkët do të dështoi, hapi tjetër që do ta dërgoi vendin në zgjedhje të reja është rrëzimi i qeverisë me mocion.

“Kemi ftuar tryezën me partitë politike për tu dakorduar për datë të zgjedhjeve dhe hapat e mëtutjeshëm për zgjedhje. Nëse kjo nuk funksionin ne pastaj do të lëvizim me mocionin e vetëbesimit. Do të ndjekim të gjitha procedurat demokratike dhe kushtetuese për të çuar vendin në zgjedhje. Hapi i parë organizimi i tryezës për caktimin e datës së zgjedhjeve nëse kjo nuk ndodhë atëherë është mocioni e cila pothuajse është punë e kryer për rrëzimin e kësaj qeverie”, deklaroi Avdullah Hoti.

Bota sot
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test