Na ndiqni

Politika

Bëhen bashkë LDK dhe Vetëvendosje, synim rrëzimi i Haradinajt

Nga: Bota sot Më: 11 prill 2018 Në ora: 09:44
Qeveria Haradinaj

Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon zgjedhje të parakohshme, për të rrëzuar qeverinë aktuale, të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj. Kësaj kërkese i është bashkëngjitur edhe Lëvizja Vetëvendosje, si parti opozitare.

Gjatë ditës së djeshme,  kreu i kësaj partie, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij është pro mocionit të rrëzimit të qeverisë dhe se duan zgjedhje të parakohshme. Madje, ai ka përmendur edhe disa arsye pse janë pro zgjedhjeve.

“U bënë katër javë prej se Lëvizja VETËVENDOSJE! (LV) ka shprehur qëndrimin e saj se kjo qeveri ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bie edhe me numra. Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe ‘Demarkacioni’, e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet. Interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi inicuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë. LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë”, ka shkruar të martën Kurti në Facebook.

Tryeza e LDK-së

LDK-ja po kërkon me ngulm zgjedhjet e reja, madje zyrtari i saj, Bajram Gecaj thotë se kjo parti propozon një tryezë në të cilën do të diskutonin për këtë çështje.

“Ju e keni dëgjuar qëndrimin zyrtarë të LDK-së. Ne propozojmë një tryezë në të cilën në mënyrë të civilizuar do të merreshim vesh për zgjedhjet e reja. Nëse jo, ky vend do të shkojë në zgjedhje gjithsesi, sepse zgjedhjet tanimë janë të paevitueshme”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

LVV është e gatshme të mbështes mocionin

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se duhet një strategji e përbashkët për mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie.

“Situata është e komplikuar dhe besoj se duhet të bëjmë një strategji të përbashkët për rrëzimin e  qeverisë, edhe për mocion të mosbesimit duhet të llogariten gjërat shumë mirë dhe saktë”, thotë ajo.

Deputetja Millaku potencon se bashkëpunimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së duhet të ketë për qëllim rrëzimin e qeverisë së ‘komandantëve’.

“Mendoj se bashkëpunimi në mes LVV dhe LDK duhet të jetë shumë i sinqertë dhe qëllim të ketë rrëzimin e kësaj qeverie të komandantëve. Por duke u bazuar në të kaluarën kam një skepticizëm në sinqeritetin e LDK. Por edhe jam e bindur se pa një vendosshmëri te të dyja grupeve nuk mund të rrëzohet kjo qeveri. LVV është e gatshme të mbështes mocionin”, thotë deputetja e Vetëvendosjes.

Ndërsa, njohësit e çështjeve në vend, thonë se nëse dy partitë opozitare bashkojnë forcat, atëherë Qeveria Haradinaj rrezikohet seriozisht.

Rrezikohet Qeveria

Kështu, njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj thotë se nëse Vetëvendosja e përkrahë LDK-në në kërkesën për rrëzimin e Qeverisë, atëherë qeveria aktuale nuk mund të kalojë një varg vendimesh.

“Nëse VV e ka me gjithë mend të përkrah LDK-në, atëherë Qeveria rrezikohet seriozisht sepse, ka para vetes një varg detyrash e vendimesh që pa opozitën nuk mundet t’i kapërcejë dhe kjo është situatë nuk mund të mbahet gjatë! Kryeministri Haradinaj, besoj unë, do të hapet dhe të bëjë hapa më të qartë në drejtim të LDK-s dhe interesat politike t’ia dedikoj krizës shtetërore, që është interesi madhor dhe shpëtimtar edhe i partive politike, të cilat duhet ta kuptojnë se, i ka ardh fundi stinës së kalkulimeve konspirative për qëllime përfitimesh politike”, thekson ai.

Zogaj shprehet se Vetëvendosja nuk e ka shumë seriozisht rrëzimin e qeverisë, sepse nuk e di ende rezultatin që mund të ketë në zgjedhjet e ardhshme.

“VV është një marionetë, së cilës vetëm heshtja nuk i konvenon, prandaj lëviz papandehur dhe qëllon sikur breshëri, bën kërdi e pastaj tërhiqt dhe akuzon të tjerër duke i fajësuar për veprat që i ka bërë vet! Vetëvendosja tjetër thotë e tjetër mendon, prandaj, nuk është për ti besuar as rreth deklaratave të fundit për rëzimin e qeverisë, sepse është duke e thënë me gjysmë zëri, sepse, ka shumë dilema se cili do të jetë rezultati i saj në zgjedhjet e parakohshme”, thekson analisti Zogaj.

Nuk ka interesim për zgjedhje

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se në rast se tentohet rrëzimi i Qeverisë, duhen 61 vota pro. Mirëpo, sipas tij nuk shihet ndonjë interesim i madh për zgjedhje të reja.

“Në secilën situatë duhet të ketë mocion prej 61 votave. Çështja kryesore është se a janë të përgatitur për zgjedhje. Nuk ka shumë gatishmëri të përgjithshme për zgjedhje, duken të jenë më tepër deklarime për elekorat dhe për të bërë marketing, deri tash nuk ka një vendosmëri të madhe ta prish edhe PDK këtë koalicion. PDK e prish kur të do këtë koalicion të paaftë dhe të kot për të zhvatë para”, thekson Burjani.

Ai thotë më tutje se nuk ka asgjë nga kjo qeveri jo produktive.

“S’ka gjë prej kësaj teme, kjo qeveri është e përkohshme, mjaft joproduktive”, përfundon Burjani.

Ndërsa, gjatë natës së mbrëmshme, kryeministri Haradinaj deklaroi se vetëm Kadri Veseli, si udhëheqës i koalicionit qeverisës mund ta rrëzojë Qeverinë.

Bota sot
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test