Na ndiqni

Politika

“Rrotulloi shtetin për postin e Kryeministrit”, LDK kërkon nga Haradinaj të dorëzohet

Nga: Bota sot Më: 9 prill 2018 Në ora: 10:33
Ramush Haradinaj, Isa Mustafa

Dalja e Listës serbe nga koalicioni qeverisës me PDK-AAK-Nisma-AKR, për shkak të ngjarjeve të fundit, ka shkaktuar krizë institucionale në Qeverinë e Kosovës. Kjo pasi Qeveria më nuk i ka as 61 vota për të miratuar një ligj të thjeshtë në Kuvendin e Kosovës.

Si zgjidhje për këtë Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka propozuar zgjedhjet e reja e jo rrëzimin e Qeverisë. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie Avdullah Hoti, ka kërkuar nga partitë tjera një marrëveshje që të dakordohen për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

“Tash kemi një gjendje krejt të re. Sot kemi në pushtet një qeveri që ka vetëm 40 deputetë, janë 350 mijë vota në opozitë deputetë, pra shumicë me 350 mijë vota në opozitë, ndërkaq pozita ka deputetë që kanë që kanë vetëm rreth 200 mijë vota. Një qeveri e pakicës nuk mund ta udhëheq vendin më tutje. Dhe si rrjedhim zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme për këtë situatë ”, ka deklaruar ditë më parë Hoti në një konferencë për media.

E propozimi i LDK-së, i ka pëlqyer edhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo të paktën është lënë të kuptohet nga deklarata e kryetarit të AAK-së dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se LDK është e gatshme për zgjedhje atëherë edhe AAK do ia jap votën për zgjedhje.

Haradinaj në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë, ka pohuar se edhe koalicioni Qeverisës e përkrahë kërkesën e LDK-së për zgjedhje të reja.

“Për me shku në zgjedhje edhe Aleanca dhe koalicioni qeverisës ia jep votat nëse janë për zgjedhje”, ka deklaruar Haradinaj.

LDK: Haradinaj joserioz për zgjedhjet e reja

Mirëpo në LDK nuk e shohin serioze këtë deklaratë të Haradinajt. Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, anëtari i kësaj partie Bajram Gecaj, ka thënë se Haradinaj është në gjendje të bëjë çmos për pozitën e kryeministrit. Andaj, sipas tij, kryeministrit duhet detyruar të dorëzohet.

“Si zakonisht, edhe këtë herë, besoj që kryeministri nuk ka qenë serioz dhe në nivel të funksionit. Kryeministri e ka “rrotullu” siç thotë populli shtetin, për të arritë në atë pozitë dhe unë besoj që është në gjendje të bëjë shumë që mos ta lëshojë atë pozitë. Por, atë duhet detyruar të dorëzohet”, është shprehur Bajram Gecaj.

Më shumë
Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test