Na ndiqni

Politika

“Lufta” ndaj LDK-së, e mban Thaçin në politikë

Më: 24 mars 2018 Në ora: 22:39
Deputetet e LDK-se

Të premten ka filluar edhe faza e fundit e dialogut Kosovë- Serbi me ndërmjetësim të BE-së, e cila pret më së largu vitin tjetër të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet palëve.

Në këtë takim që ishte zhvilluar në mes të presidentit Hashim Thaçit, presidentit serb Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësim të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, nuk kishte rezultate konstruktive.

Partitë politike në Kosovë fillimisht kishin kundërshtuar që dialogu të jetë në nivel presidentësh, mirëpo më vonë një gjë e atillë është “heshtur”.

Analistët politikë thonë se opozita do të duhej të bashkohej që ta kundërshtojë Thaçin që çështjen e bisedimeve ta konsiderojë si çështje personale.

Sipas analistëve, deri në fund të vitit mund të ketë marrëveshje historike, e sipas projektit serb është ndarja e Kosovës dhe këtë propozim e mbështetë edhe kjo e fundit.

Analisti politik, Leon Duhanaj, konsideron se temat me interes nacional do të duhet të bëheshin me konsensu nacional.

Sipas Duhanajt, opozita përkatësisht Vetëvendosja e “lufton” LDK-në, e jo Qeverinë dhe Presidentin Thaçi.

“Dialogu, si dhe temat me interes nacional, do duhet të bëheshin me konsensus nacional. Kjo nuk ndodhë, pasi që opozita ( LVV), është e përqendruar vetëm në shantazh dhe destruktivizëm. Kjo mënyrë e sjelljes ndikon që të krijohet një formë mjegulle dhe të mos ketë qartësi rreth zhvillimeve politike. Nuk e di, a e bëjnë këtë me qëllim, por LVV-je, me format e aktivizimit të saj, ka ndikuar që Thaçi të qëndrojë në majat e politikës së Kosovës. Ai madje, ka edhe luksin ta konsiderojë çështjen e bisedimeve si çështje personale të tij. Për këtë, nuk po del kush ta pengojë, pasi që opozita nuk është që punon e bashkuar në rolin e saj. Përderisa LDK, në momente kyçe tregon pjekuri politike dhe konstruktivizëm politik, është LVV-je që më shumë e lufton LDK-në që është në opozitë,  se sa vetë qeverinë e aq me pak Presidentin Thaçi, gjë që shpërfaq aktivitetin e dyshimtë të tyre”, pohon Duhanaj.

Sipas tij, projekti serb është ndarja e Kosovës nga ku rrjedhon edhe thirrja e bazuar në idenë e një marrëveshje historike shqiptaro-serbe.

“Çështja e bisedimeve, sipas disa parashikimeve, pritet të përmbyllet ndoshta edhe kah fundi i këtij viti. Është biseduar për një marrëveshje historike. Por, cila do jetë ajo, ende nuk është e qartë. Serbia shantazhon çdo progres të Kosovës, me qëllimin e vetëm që Kosovën ta shpallin shtet jofunksional. Për këtë ka ndihmesë të madhe edhe nga faktori politik shqiptar. Projekti serb, është ndarja e Kosovës, nga ku rrjedhon edhe thirrja e bazuar në idenë e një marrëveshje historike shqiptaro-serbe. Për këtë kanë bërë thirrje serbët vazhdimisht. Ata e dinë që një Kosovë e pavarur dhe stabile, ështe humbje për ta si shtet. Prandaj nuk lënë gurë pa rrokullisur, për ta destabilizuar Kosovën. Ka sinjale që edhe Presidenti Thaçi, e favorizon ndarjen. Kjo jep të kuptohet mes tij dhe LVV-je paska edhe bashkëpunim të heshtur. Epilogu do të varet pikërisht nga mënyra e zgjidhjes. Marrëveshja eventuale, do të ketë karakter përmbyllës dhe do të jetë e zbatueshme, pasi që pas një marrëveshje të tillë, supozohet që palët të jenë të kënaqur me rezultatin e arritur”, thekson Duhanaj.

Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test