Na ndiqni

Politika

Lidhjet e Haradinajt me bandat serbe në veri, kërkohet dorëheqja e tij

Nga: Bota sot Më: 22 janar 2018 Në ora: 08:20
Ramush Haradinaj

Akuza që ish-deputetja serbe, Rada Trajkoviq i bën Milan Radojiçiq se ai qëndron prapa vrasjes së Oliver Ivanoviçit ka ngritur në pikëpyetje edhe legjitimitetin e kryeministrit Ramush Haradinaj për të ndenjur ende në krye të Qeverisë.

Kjo për faktin se Haradinaj, në muajin tetor të vitit të kaluar pati mbajtur një takim me Radojiçiq në njërën nga lokalet në kryeqytet për të siguruar nga ai votat e Listës Serbe për tu bërë kryeministër.

Kurse, në një deklaratë në televizion publik, i pari qeverisë ka përmendur atë edhe si bashkëpunëtor.

“Unë punoj shumë mirë me kolegët serbë, për shembull me zëvendëskryeministrin Dalibor Jevtiq, me ministrat Nenad Rikalo, Teodosijeviqin, punoj me kryetarin Goran Rakiq, punoj edhe me Sllavko Simiqin, punoj edhe me njerëzit nga veriu- Millan Radojçiqin për shembull, besoj që edhe ai e ka rolin e tij dhe të gjithë… “, kishte thënë Haradinaj në një intervistë televizive në RTK 2.

Avni Arifi që është këshilltar i kryeministrit në një përgjigje me shkrim për “Bota sot”, kurse është pyetur se si i komenton kritikat ndaj shefit të tij për takim me Radojiçiq, ai ka thënë se shefi i tij nuk është fajtorë për përfaqësuesit serb që zgjedhën nga komuniteti në veri të vendit.

“Nuk i zgjedhim ne përfaqësuesit e serbëve, por serbet vet i zgjedhin. Edhe liderët tonë për shtetin serb dhe bashkëpunëtoret e tyre janë terroristë, por as ata nuk i zgjedhin njerëzit tonë. Përpjekjet e Millosheviqit në vitet 90 që nga Sejdo Bajramoviqi të bëjë lider shqiptarësh kanë pas dështuar keq. Shqiptarët nuk duhet ta ndjekin rrugën e tij të dështuar dhe duhet të bisedojnë më të gjithë serbët që kanë përkrahje tek populli i vet”, ka thënë Arifi për “Bota sot”.

Nga ana tjetër, përfaqësues të LDK-së dhe analistë politik në vend thonë se Haradinaj nuk do të duhej të takohej me Radojiçiq, pasi që sipas tyre ai nuk është i zgjedhur, por një person që dyshohet se e udhëheq kontrabandën dhe krimin në veri.

Dyshimet për vrasjen e Ivanoviçit nga Radojiçiq

Deklarata e Arifit, se qeveria nuk i zgjedh përfaqësuesit serb nuk qëndron për faktin se Milan Radojiçiq nuk është një person që i ka hyrë garës politike, por është një njeri i fuqishëm që dyshohet se e kontrollon krimin dhe kontrabandën në veri të vendit.

Kundër tij, janë ngritur mbi 50 dosje hetimore për krime dhe përfshirje edhe në trafikimin e drogës.

Kurse, pas vrasjes së Ivanoviçit, janë politikanët serb ata që po e akuzojnë atë se ai qëndron prapa këtij krimi.

Një akuzë të tillë e ka bërë ish-deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq.

Trajkoviq ka thënë se ai është njeri që e kontrollon krimin në veri të vendit dhe rrjedhimisht i përfshirë edhe në këtë vrasje.

Edhe në përgjimet e publikuara nga Gazeta online “Insajderi”, një asambleist serb në Komunën e Mitrovicës Jugore, i thotë Nikola Sanduloviq, kryetarit të Partisë Republikane se ai e di kush e ka vrarë Ivanoviçin.

Ai thotë se vrasjen e ka kryer mafia në krye me Milan Radojiçiq, mik i afërm i kriminelit Zvonko Veselinoviq.

Kurse, organizatori i këtij krimi, është shteti i Serbisë.

LDK kritikon Haradinajn për takim me Radojiçiq

Nga ana tjetër, zyrtarët e LDK-së thonë se ishte i panevojshëm takimi i kryeministrit me njeriun e nëntokës.

“Ashtu si Kryeministri Mustafa, edhe Kryeministri Haradinaj do të duhej të takohej vetëm me përfaqësuesit legjitim të popullit të Serb të Kosovës, edhe atëherë kur këta përfaqësues nuk respektojnë në plotni institucionet e shtetit të Kosovës. Pra, Kryeministri Haradinaj nuk do të duhej të takohej me personat e nëntokës në asnjë rast, sepse ai tani nuk përfaqëson vetëm personin e tij fizik, por përfaqëson popullin e Kosovës dhe si i tillë nuk i falen gabimet e tilla”, ka thënë për “Bota sot”, anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

Bota sot
Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test