Na ndiqni

Peja

U përurua kompleksi memorial i Dr. Rugovës

Nga: Maxhun Smajli Më: 13 shtator 2018 Në ora: 20:38
Pamje nga perurumi

Ka muaj të tërë që gjindem në regjim mjeku, ku sëmundja po ma vështirëson jetën. Por, dëshira e madhe për të qenë pranë Dr. Rugëvës, në Malaj, bëri që ta mposhti sëmundjen dhe të mos përfillë udhëzimet e mjekëve. Bashkë me gruan time Hatmanen, djalin, Liridonin dhe veprimtarin, Albanez Muriqin, u nisëm për Kosovë. Për të na dëshiruar rrugë të mbarë, në Passau, na doli para Maxhun Jefkaj, i cili me vete kishte 30 çanta, dhuratë për nxënësit në Kosovë. Ky humanist ka ndihmuar edhe aksionin për Kompleksin Memorial Dr. Rugova, me 1000 evro.

Pas njëzet orësh udhëtimi arritëm në kryeqytetin e Dukagjinit, në Pejë. Albanezi, mori rrugën për tek nëna e tij, Begija, për të cilën kishte mallë. Ndërsa , ne, u nisëm për në veri-perëndim të Dukagjinit, për atje ku dielli fshehu kokën për 54 vitet e jetës sime, në Bjeshkët e Rugovës. I rrethuar nga lartësitë krenare të Bjeshkëve të Rugovës, për gjysmë ore udhëtimi arritëm tek Shtëpia mikpritëse “Shqiponja” në Drelaj. Shtëpi kjo, e njohur për turizëm familjar, si forma më e kërkuar nga të huajtë. Me flokët e thinjura, si kurorë bukurie, që shprehnin pjekurinë, na mirëpriti, Osman Shala, i cili duke u ndjerë i lumtur në tokën Ilirë, nuk largohet as në dimërat e acartë. 

Dielli shndriste, ajri me një aromë të lehtë e të ëmbël ma përkëdhelte fytyrën. Sytë kënaqen duke parë ngjyrat e gjalla të gjelbërimit përreth. Në oborrin e Osman Shalës, qetësinë ma prishin turistë të shumët të ardhur nga anë të ndryshme të botës.
Të gjitha rrugët qonin në Malaj

Në mëngjesin e hershëm të 07 shtatorit, Yjet e kombit tonë; Mark Krasniqi, Fehmi Agani, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Smajl Hajdari, e të jerë, kishin nxjerrë kokat dhe ndriqonin rrugët gjarpërore që qonin në Malaj. Lumenjë njerëzish ngjiteshin rrugëve të ngushta dhe të rrëpira për tek Kulla e ngritur buzë një bregore, 1350 metra naltësi. 
Kur arrita në Malaj u shpërbleva me një panoramë të paharrueshme. Natyra shfaqej  me tërë gjallërinë, me të gjitha fuqitë që i ka  dhuruar qielli, ashtu veshur me të gjelbra, në të arta. Në sfond të Kullës  kodrat e mbuluara me barë dhe gjethe bimësh. Lugina që zbriste butë, e shtruar me qilim të gjelbër spikaste në sfondin e paanë të çukave krenare që shponin qiellin përqark nesh. 

Tek soditnja Kompleksin memorial të Dr. Rugovës, për të cilin bëri aç shumë mergata shqiptare nëpër botë, m'u shfaq figura e Prometeut. Dr. Rugova, deshti ta ndriçonte mendjen dhe ndergjegjen e shqiptarit, të vërtetën dhe arsyen, duke ngritur krye kundër Zeusit serb dhe sistemit shovenist që orvatej ta mbante shqiptarin të shtypur e ndërkombëtarët në errësirë dhe në padije për atë çfarë po ndodhte në atdheun e tij. 

Eci nëpër oborrin e shenjtërisë qiellore i bindur se, ky Kompleks memorial do të marshojë përpara duke përbuzë  çdo buzësheshje ironike, çdo shpifje dhe insinuatë të turpshme dhe do të kaloj kohën me kryelartësi mbi kokat e pseudointelektualëve dhe atyre që u munduan ta pengojnë.

Këtu në oborrin e shenjtërisë qiellore, në këtë pjesë të atdheut tim, në Malaj të Rugovës, po shoh bashkatdhetarët e mi që u përpoqën sinqerisht të realizojnë këtë vepër madhore. E, unë ndihem i lumtur që isha pjesë e kontributit për realizimin e këtij Kompleksi Memorial. 

Përulur pranë shtatorës së Dr. Rugovës në oborrin e Kullës së tij, i fola përulësisht dhe ndjeva praninë e tij. Posa deshta të hy në këtë tempull të miqësisë, bujarisë, urtisë dhe trimërisë, mendja më iku përpara, shkoi e u ndal tek oxhaku, pranë burrërisë dhe urtisë së Dr. Rugovës.

Është ky Dr. Rugova, të cilin e shoh pranë bashkpunëtorëve të tij. Besnikëve të rrugës së çlirimit; Fetah Rudit, Aqif Shehut, Idriz Zeqirit, Dom Lush Gjergjit, Salih Jah Lajqit, Bekë Osmanit, Anton Çuninit, Gazmend Muhaxherit, Haki Rugovës, Blerim Regjbogajt etj.

Në Malaj ndodhi mrekullia

Nën patronatin e Komunës së Pejës u organizua ceremonia e përurimit të Kompleksit memorial të Dr. Rugovës, në Malaj. Pas Intonimit të Himnit të shtetit të Kosovës, ndryshe nga ky që e kemi sot, të pranishmit u përshendetën nga Kryetari i Këshillit Organizativ për ndërtimin e Kompleksit Memorial të Dr. Rugovës, në Malaj, Ztr. Salih Jahë Lajqi, i cili mes tjerash, tha: “Mirë se keni ardhur në Rugovën tonë kreshnike! Jemi krenarë, që më në fund, jeni në mesin tonë, President! Më lejoni që në emër të Këshillit drejtues dhe në emrin tim përsonal t'i falinderoj përzemërsishtë të gjithë ata që ata që kontribuan, veçmas shoqatat “Salih Çekaj” në Zvicer, “Salih Çekaj” në Gjermani dhe “Rugova” në Nju Jork. Ju, të nderuar, arritet që Presidentin Historik, Dr. Rugovën, ta ktheni në vendin e të parëve të tij, Në Malaj”.

Mëpas, para të pranishmëve u paraqit, Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, i cili ka punuar me përkushtim për realizimin e Kompleksit memorial të Dr. Rugovës. “Të nderuar të pranishëm, sot, Peja, ka dy gëzime të mëdha; Në Malaj po vëndoset shtatorja e Presidentit historik,  si dhe vendosja e gurthemelit të projektit të madh “Borea”, për të cilin Presidenti historik gjithmonë dëshironte që në Pejën e tij, në Rugovën e tij, të ndërtoheshin projekte të mëdha që ndihmojnë zhvillimin”, tha mes tjerash, Gazmend Muhaxheri.

Prof. Dr. Frasher Demaj, Anëtarë i Akademisë së Shkencave dhe Artëve të Kosovës, dha një pasqyrë biografike të Dr. Rugovës, me titullin: “Ibrahim Rugova, intelektual, shkrimtar, politikan e Akademik”. “E kam titulluar kështu, ngase përsonaliteti i Presidentit tonë historik përmblidhte të gjitha këto atribute dhe kualitete që janë të rrallë njerëzit që i kanë të gjitha këto”, tha mes tjerash Prof. Dr. Demaj.

Ajo që ngrtiti shpirtërat peshë të pranishmëve ishin fjalët e të madhit Dom Lush Gjergjit. Ai, me oratorinë e tij, me fjalët e nxjerrura nga mushullia e zemrës, tha: “Vëllezër dhe motra, unë po jep një profil, si e kam përjetua gjatë 30-të viteve të bashkpunimit miqësor dhe vëllazëror me këtë njeri që na dhuroi historia dhe madhëria e Zotit. E, ne sot, në këtë djep, që është djepi i shqiptarizmës; mikëpritjes, trimërisë dhe burrërisë, natyra dhe Zoti e kanë krijuar një Përmendore të pathyeshme. Një Përmendore jetësore, të cilës i bashkangjitet edhe Presidenti ynë, Dr. Rugova. Ai, për mua është histori dhe mrekulli. Sot, si dhe shumë ditë dhe shumë herë jam në shoqëri me mikun, vëllaun dhe vizionarin tonë, Profetin dhe Arkitektin e Kosovës, Dr. Ibradim Rugovën. Ndihem mirë sëbashku  me të shpirtërisht dhe me bashkatdhetarët e tij. Me njerëzit, të cilët e patën për së afërmi dhe ia dhuruan Kosovës, shqiptarizmës dhe botës. Kërkonim shpeshherë shtigje dhe rrugë për popullin tonë të shkretë dhe të robëruar, të nëpërkembur dhe të poshtërsuar. Mirëpo, ai me vizionin e tij, me mendjen dhe zemrën e tij, kurrë nuk e humbi besimin  në Zotin dhe në popullin tonë shqiptarë. Presidenti ynë kishte një besim të madh dhe të pathyeshëm edhe në Shtetet be bashkuara, Evropën dhe në selinë e Shenjtë, sidomos në Papën Gjon Palin e Dytë. Dhe, nuk ishte mashtruar! Ai, përpos Zotit, besonte dhe kërkonte edhe ndërmjetësimin burimor të njerëzve të vullnetit dhe të zemrës së mirë. Më thoshte shpeshë herë: “Dom Lush, nëse bota na njeh, vërtetë për atë çka kemi dhe jemi, bota do të jetë me ne”. Dhe, ndodhi mrekullia, bota e madhe ndërhyri në Kosovën e vogël, sepse ishte kauza e madhe, ishte çështja e madhe dhe ishte njeriu i madh. Avokati i cili na paraqiti denjësishtë para botës. Ai, shpesh herë thoshte: “ Arma e jonë e fuqishme është lashtësia e jonë, është tradita, kultura, janë rrënjët tona dhe identiteti ynë, si dhe rinia e jonë”. Kjo mbetet një porosi historike dhe aktuale. Presidenti ynë, Dr. Ibrahim Rugova, ishte është dhe do të mbetet protagonist, jo vetëm i popullit shqiptarë dhe i Kosovës, por i gjithë njerëzimit. Shumëkush e ka reduktuar duke e njohur si Gandi i Ballkanit, jo, ai është Gandi i njerëzimit, sepse dëshmoi dhe e tregoi fuqinë e një populli të vogël, por me vlera të mëdha. Prandaj, sot, ju keni bërë shumë mirë që e keni kthyer në rrënjet e tija dhe në rrënjet tona, sepse e mirja, e drejta, e verteta, mirësia dhe dashuria janë të pavdekshme. Unë, dëshiroj t'ju përgëzoj për këtë punë të madhe që keni bërë. Dhe, dua ta përfundoj fjalën time me një fjalë të madhe  që thoshte Shën Nëna e jonë Tereze: “ Jepe pjesën më të mirë të vetvetës”. Malaj, Rugova, Kosova, shqiptarizmi i ka dhënë pjesën më të bukur, Dr. Rugovën”.

Në emër të të gjithë atyre që kontribuan dhe në emër të tr shoqatave; “Salih Çekaj” në Zvicërr, “Salih Çekaj” në Gjermani dhe “Rugova” në Nju Jork, të cilët bënë të mundur realizimin e Kompleksit Memorial të Dr. Rugovës, në Malaj, të pranishmit i përshendeti, Idriz Zeqiri, kryetar i LDK-s, Nëndega në Bayern, njëherësh Zëdhënës i LDK-s , Dega në Gjermani.

“Të nderuar të pranishëm në këtë përurim fisnik, fillimisht ju përcjellë përshendetjet e dlira të mergatës shqiptare të kudo ndodhur dhe dashurinë e tyre të çilter. Jemi sot, këtu në Malaj, në fshatin e origjinës së Ibrahim Rugovës për ta hijeshuar dhe përjetësuar në bronz, në shtatore. Është logjike, që për njerëzit e veçantë të bëhen edhe kudese të veçanta. Pikërishtë, bazuar në këto veçantira, banorët e këtij fshati me rugovasit e tjerë, vendosën të bëjnë diçka të veçantë për Dr. Ibrahim Rugovën, krenarinë e Rugovës, Kosovës dhe të shqiptarisë mbarë. Pesë vite më parë dinjitetshëm e bujshëm malajt vunë gurëthemelin e Parkut Memorial të Dr. Rugovës, ku ishte i pranishëm edhe  Plakut urtak të Kosovës, Akademik Mark Krasniqit, ndjesë pastë. Por, donatorët nuk i përmbushën premtimet e dhëna dhe vazhdimi i punimeve deshtojë. Malajt e Rugovës, ngulmues për ta realizuar ëndërrën e tyre fisnike, formuan Këshillin Organizativ për ndërtimin e Parkut Memorial të Dr. Rugovës. I kryesuar nga kryetari Salih Jahë Lajqi, Kryeplaku i fshatit Malaj, Demë Ali Lajqi, dhuruesi i trollit, Cenë Lajqi, Fadil Lajqi, Mustafë Lajqi, Bashkim Lajqi, Salih Ramë Lajqi etj.. Kontaktet e para  i bënë me kryetarin e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Salih Çekaj” në Zvicërr, Saim Tahirin, i cili konsultoi Kryesinë e shoqatës dhe Nëndegët e LDK-s në Zvicër. Përgjigja ishte miratuese. Aksioni i filluar në Maj, përfundoj me sukses mbrenda muajit, ku janë tubuar 71.000 franga dhe 2750 evro. Këtij aksioni i është bashkangjitur edhe  SHKSH “Salih Çekaj” në Gjermani, me kryetar, Osman Ferizin. Të dy kryetarët; Saimi dhe Osmani, bashkluftetar të Salih Çekajt, si gjithmonë edhe kësaj radhe u rreshtuan sëbashku për realizimin e aksionit financiar, ku nga 368 përsona u grumbulluan 54.000 evro. Nënkëshilli Organizativ i kryesuar nga treshja; Osman Ferizi, Albanez Muriqi dhe Idriz Zeqiri, zgjeruan rrjetin financues me Degën e LDK-s në Gjermani dhe në Amerikën e largët, ku shoqata “Rugova”, realizoi 21.000 dollar. Aksioni përfundoi me sukses, financimi i bollshëm realizoi me sukses. Nënkëshillat e mergatës shprehin respekt e mirënjohje për Kryetarin e Komunës së Pejës, Ztr. Gazmend Muhaxherin, me të cilin kanë pasur bashkëpunim dhe mirëkuptim lidhur me Parkun memorial. Mirënjohje nga mergata kanë edhe për angazhimin e madh të arkitektit të shkelqyer, Blerim Bajraktarin, skulptorin, Gëzim Nikqin, ndërtuesin e Kullës, “Vëllezërit Demiri” nga Açareva e Ismet Rrahmanit të Drenicës, si dhe ndertuesit e tjerë. Një mirënjohje kemi edhe për “Radio Fontana”, drejtorin e saj, Zeqir Mehmetin, i cili sensibilizoi aksionin, duke informuar përpikërishtë për mbarëvajtjen e aksionit. Një mirënjohje dhe falinderim i veçantë shkon edhe për redaksinë e “Bota sot”, të cilët edhe përmes gazetës dhe portalit prezantuan emër për emër kontribuesit dhe vullnetmirët e këtij aksioni. Poashtu, përshendesim edhe Kryetarin e LDK-s për Rugovë, ztr. Blerim Rexhëbogajn, i cili ka një meritë të madhe në realizimin e këtij projekti madhor. Faleminderit edhe Këshillit Organizativ Qëndror me kryesuesin Ztr. Salih Jahë Lajqi, si dhe anëtarët e tjerë të këtij Këshilli!”

Në emër të familjës së Presidentit Dr. Rugova, të pranishmit i përshendeti, Dr. Naser Rugova, i cili mes tjerash, tha: “ Në emër të familjës së Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, përshendes dhe falinderoj të gjithë kontribuesit e këtij projekti, që ia shtuan krenarinë dhe bukurinë këtyre Alpeve shqiptare, kësaj treve kreshnike. Faleminderime të veçanta edhe për tri shoqatat; “Salih Çekaj” në Zvicërr, “Salih Çekaj” në Gjermani dhe “Rugova” në Nju Jork të SHBA-ve. Poashtu, ju falinderojmjë edhe ju të nderuar të pjesmarrës, ku prania e juaj e begatoj këtë tubim përurues”.

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Pejës, Ztr. Gazmend Muhaxherit, në shenjë falinderimi për gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij projekti madhor, u ndanë “Mirënjohje”. Me “Mirënjohje” u nderuan tri shoqatat “Salih Çekaj”, Zvicer, “Salih Çekaj”, Gjermani dhe “Rugova”, Nju Jork, si dhe Albanez Muriqi, Ismet Shala, Asllan Lajqi, Adem Shoshi, Maxhun Smajli, Bekë Osmani, Bujar Lajqi, Gëzim Muriqi dhe Feriz Lokaj.

Mëpas, u dha një pasur artistik me këngë e valle nga Rifat Berisha, Shaban Demaj, Isë Elezaj dhe Ansambli “Rugova”.Ky epizëm kaq madheshtorë, ashtu si shkëmbi lidhet me malin prej nga i dolën të parët Dr. Rugovës. Vend të veçantë kishte edhe lirizmi i theksuar e i hollë, si fishaj burimi të kristalt, me pafundësi ndjenjash që flatrohet në ylberin e mijëra ngjyrave  derdhur zanash, ku pushon e qetohet rrezja e hënës mbretëreshë e qiellit, zë vënd lëndinash e malesh, agimesh e përëndimesh...a Pra, në Malaj ndodhi mrekullia

Dhe, krejt në fund, për rreth 300 të pranishëm u kthye një drekë.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test