Na ndiqni

Opinione

Dështimi i Interpolit – Ja pse duhet të jetë goditja e fundit ndaj qytetarëve të pafajshëm!!

Nga: Valon Alimi Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 23:59
Ilustrim

Lajmi që Kosova pas dy raundeve përfundimisht dështoi të bëhet anëtare ne organizatën e Interpolit për shume shqiptare por sidomos qytetarë të Kosovës ishte një “surprizë” e papritur. Shumica duke ndjekur nga afër përpjekjet e Kosovës për Interpolin mendonte që pos abstenimeve të parashikuar siç ishin ato të Marokut, Serbisë apo Greqisë Kosova prapë se prapë do anëtarësohej në organizatën e Interpolit. Tashti pasi kaluan tërmetet e para diplomatike dhe politike politika shqiptare në përgjithësi dhe jo veç ajo “kosovare” duhet t’i përkushtohen analizës së sinqertë dhe jo të shfaqin skenën e njëjtë të pseudoanalizes politike që është bash arsyeja për ndodhjen të këtyre fatkeqësive politike në dem te popullit shqiptar anembanë Ballkanit.

Ndoshta për shkak të probabilitetit të lartë që politikanët tanë do vazhdojnë me përsëritjen e kësaj skeme, nevojitet të shfaqet funksionimi i pseudoanalizes duke nënvizuar përse funksionon kjo taktikë. Në fakt në mënyrë më fatkeqe ka gjasa të mëdha që edhe ky dështim do mburret duke përdorur terma si “maksimumi, angazhim, gjithsesi, prape sukses”. Kështu ka ndodhur qysh nga politizimi i kombit shqiptar deri në kohen aktuale që tregon që pseudoanaliza është një defekt i lindjes së politikës shqiptare. Andaj, duhet një angazhim i posaçëm me bipolaritet politik që në njërën anë përfshin votuesit dhe një tjetrën anë sidomos partitë politik. Por derisa të ndodh kjo mrekulli do bëhet si përherë – Ja si:

Në radhe të parë, pseudoanaliza funksionon sepse krijon ndjenjat e vjetra populiste siç janë frika, patriotizmi, nostalgjia dhe më në fund shpresa për përmirësim më te cilën pak a shumë falen gabimet aktuale. Frika bash zen vendin primar në këtë silogjizëm irracional dhe jologjik me të cilën bëhet çmos që të devijohet opinioni publik nga epiqendra e gabimit / në këtë rast dështimi i diplomacisë për shkak të mungesës se efikasitetit në argumentacionin pro pranimit të Kosovës. Subjekti i frikës, objekti politik mbi të cilin bazohet frika andaj është gjithmonë më shqetësues dhe më i rrezikshëm sa problemi origjinal. Bazuar në këtë, frika përdoret për të krijuar një skenë kërcënuese te jashtëzakonshme e cila realisht detyron elektoratin t’i mbështes gjerat të njohura që japin sigurim dhe qetësi – si gjithmonë klasën e vjetër politike që manipulon dhe korrupton për djepin e saj. Faktikisht frika dhe patriotizmi përbejnë një simbioze perfektë në procesin e gënjeshtrës pasi krijimi i frikës gjithmonë figuron si mënyrë për te shkaktuar patriotizmin militant dhe nostalgjik e bazuar në luftën për pavarësinë kosovare. Ja pra sigurisht dihet cili bllok politik përfiton nga inskenimi të frikës dhe patriotizmit – blloku i reaksionarëve militant me një nacionalizëm falso që përmes qeverisjes së tyre kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme që një numër i lartë të elektoratit kosovar (dhe shqiptar) të gjindët në diasporë duke zbrazur vendin dita ditës më shumë. Dhe më në fund është e vetëkuptueshme që gjithë kjo skema ndodh nën hijen e nostalgjisë. Si shtesë duhet të theksohet që ky sistem gjithashtu funksionon dhe ka funksionuar ndër vitet me sukses për shkak të fatalizmit shqiptar ku qytetaret nuk shfaqin asnjë rezistencë për ta ndaluar suksesin e mashtrimit ndaj elektoratit në favor të nepotizmit dhe korrupsionit dhe kundër mirëqenies së shtetit dhe kombit tonë.

Fatalizmi në radhët e shqiptarëve për fat të keq është vdekja e mençurisë politike të qytetarëve dhe më keq vdekja e frymëzimit politik që nevojitet për garantimin të përparimit dhe ekologjisë së përgjithshme në vend. Fatalizmi në bazë të fjalëve: “Kështu ka dashur zoti. S’kemi fat.”, është budallallëku më i madh që shqiptarët sidomos në Kosovë në situatën aktuale munden të bëjnë pasi politikanet tanë me pseudoanalizen bash duan të arrijnë ndarjen e politikes në dyshen militant partiak dhe qytetaret e thjeshtë. Këtë e bëjnë me qëllimin që qytetaret e thjeshte apo zemra racionale pos militantëve partiak te shuhet dhe politikanët e korruptuar dhe kuislingë të kenë udhën e lire për te vjedhur dhe rraskapitur shtetin tonë. Nëse qytetaret tashti pas këtij dështimi të madh siç është mospranimi ne Interpol nuk e ngrijnë zërin atëherë ky dështim nuk do jetë i fundit por fillimi i katastrofës qe do ndodh pastaj – sistematizimi i vjedhjes dhe sidomos legjitimizmi i heshtur dhe pranimi i korrupsionit që do thellojë eksodusin shqiptar jo veç nga Kosova por edhe nga trojet e tjera shqiptare. Heshtja ndaj vjedhjes dhe gënjeshtrës masive në politiken shqiptare në rrethanat e demokracisë realisht mundet të interpretohet si tolerancë ndaj atyre që dita ditës po shfrytëzojnë shtetin për te cilin shumë njerëz kane derdhur gjak. Heshtja ndaj genjeshtarëve në fakt i ofendon të rënët e luftës pasi ata nuk vdiqën apo luftuan për një shtet krimi që zen vendin e Titos për sa i takon mashtrimit dhe nënçmimit te shqiptarëve. Heshtja e qytetarëve të thjeshtë shqiptaret në skenën ndërkombëtare i shpall si idiota dhe maniak pasi gjithë kauza shqiptare për Kosovën dhe bashkimin kombëtar humb legjitimin. Nuk do ishte çudi nëse ndërkombëtaret do konsideronin bashkimin si një monopol i mundshëm i krimineleve dhe të korruptuarve. Mundet të nënvizohet që mospranimi i Kosovës në Interpol është i bazuar në faktin që qeveria Kosovës dhe politika e saj është e infiltruar nga njerëzit kriminel dhe Klanit Pronto. Në Interpol aktualisht janë prezent shumë shtete ku krimi është institucionalizuar në masa te jashtëzakonshme që përben një barrikadë të madhe në luftën nderkombtare të krimit. Andaj, pse te pranojnë edhe një shtet të tillë duke përkeqësuar situatën edhe më shumë?

Politikanët tanë thonë që Kosova nuk u pranuar sepse Serbia fuqimisht ka lobuar kundër Kosovës. Nëse i konsiderojmë faktet atëherë vërehet që politikanet tanë janë lobuesit më te mëdhenj kundër Kosovës dhe integrimin e saj. Koncentrimi i krimit në radhët e qeverisë dhe parlamentit totalisht e bën shtetin joatraktiv pa marrë parasysh nëse pavarësia prej kasapit ballkanik ka qenë legjitim. Bylbyli i pseudoanalizës përherë do fajësojë veç Serbinë pa mos konsideruar arsyet tjera. Natyrisht që edhe Serbia ka faj për humbjen e legjitimitetit të Kosovës por diplomacia e saj veç nënvizon faktet e qarta. Interesant do ishte të dëgjohej çfarë po ndodh në presidencën dhe kryeministrinë serbe. Jam i sigurt që duartrokitjet ironike ndaj zyrtarëve kosovar janë gjithmonë prezent ne agjendën të këshillit serb i përbërë nga militantet dhe politikanët. Prandaj, edhe nëse arrihet një marrëveshje shqiptaroserbe kjo nuk siguron plotësisht pranimin e pavarësisë se Kosovës. Kufiri ndryshohet por kriminelet mbeten aty....

Përgjegjësia qytetare dhe kombëtare na obligon jo veç të humbasim kohën duke dëgjuar këngët patriotike por këtë patriotizëm ta transferojmë në logjikë politike në favor të kombit. Testi i vërtetë a i përket Kosova organizatave nderkombtare duhet të kalohet në radhët e politikes. Ekzistenca dhe pranimi si shtet nuk vlerësohet në bazë të luftërave por në bazë të politikes dhe përfaqësuesve që duam apo jo pasqyrojnë shtetin dhe përgjegjësinë elektorale. Gjithmonë krenohemi për kulturën shqiptare, sakrifikimin i shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni për kauzën shqiptare. Ky sakrifikim ende s’ka mbaruar por vazhdon pos fushave të luftës në nivelin politik. Qytetaret nuk duhet te mashtrohen prapë nga pseudoanaliza e politikanëve tanë që nuk ndihmon askënd përveçse përkeqësimit të situatës aktuale ne Kosovë por sidomos korrupsionit dhe padrejtësisë në vend. Mospranimi në Interpol duhet të jetë goditja e fundit që pësojmë si qytetarë. Nuk duhet më të lejojmë talljen e politikanëve tanë por përmes ngritjes së zërit dhe angazhimit aktiv të shkaktojmë domosdoshmerisht zhbërjen e vjedhacakëve dhe gënjeshtarëve nga skena politike për t’i krenuar të rënët dhe mos shfaqur vdekjen e tyre si të kotë apo ende më keq si mundësinë për të vjedhur idealin e tyre që patjetër ka qenë një shtet shqiptar me transparencë dhe përfaqësim të ndershëm të popullit shqiptar. Epoka e re nuk fillon duke kujtuar luftën heroike por duke përdorur atë si frymëzim për të mundësuar një politikë të ndershme dhe efektive që nuk ndalon njohjen e Kosovës (dhe kauzës shqiptare) por përmes funksionimit jep argumente të qarta pro njohjes. Epoka e re më në fund nuk komandohet nga të korruptuarit për t’u shërbyer djepave por duhet të komandohet nga qytetaret patriotik dhe të zgjuar për t’i shërbyer popullit dhe kauzës shqiptare. Nëse nuk jemi në gjendje të bëjmë këtë atëherë në de-facto pështyjmë mbi varrezat e rënëve dhe turpërojmë kombin dhe vuajtjet tona!!!!  

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test