Na ndiqni

Opinione

Botën e shihnim përmes klithmave e bombave

Nga: Gani Mehmetaj Më: 30 prill 2018 Në ora: 10:01
Gani Mehmetaj

Ditët u bënë të njëtrajtshme, bezdisëse, të ankthshme sa edhe netët. Kurrë nuk e hapnin dritaren me grila hekuri. Nuk zgjasnin kokën të shihnim çfarë ndodhte jashtë. Nga trotuari dëgjohej ndonjë urdhër  i prerë "Ndal!",  sikur u drejtohej atyre, banorëve të bodrumit. Fatkeqi nuk shihej, por shkarkoheshin nga ankthi kur e lejonin të kalonte. Sigurisht ndonjë qytetar të tufës së tyre e zuri nata në rrugë. Ndryshe po të ishte i tufës tjetër: do të shpërthenin britmat, mbase edhe ndonjë breshëri plumbash, nëse ai përpiqej t’ia mbathte. Rastiste që ai ndalonte. Atëherë e dinin se është nga tanët. Nuk e merrnin vesh fatin e të ndalurve. Përzihej zhurma e patrullës me zërin e frikësuar të të ndaluarit, kalonte ndonjë makinë policie që e merrte me vete.

- Asnjëherë nuk e kuptonim çfarë po ndodhte jashtë, në botën e madhe, përtej bodrumit  të mbyllur e të ndryrë me dyer të hekurta. Hapat e shpejtë, të zhurmshëm e arrogantë e sugjeronin grupin e tyre. Hapat e druajtur, të lehtë, e dinim se janë të njerëzve tanë që iknin apo ktheheshin, por gjithnjë me zemër që u vinte deri te gryka. Jehona e  bombardimeve vinte e shurdhër në bodrumin tonë.  Netëve kur s'pushonin bombardimet u gëzoheshim si fëmijët fishekzjarrëve. Po të guxonim do të brohorisnim si tifozët në stadiumin e futbollit, por as këtë kënaqësi nuk na e lejonin rrethanat. Nuk e dinim efektin e bombave në objektet e armikut, ishim të sigurt se do të dorëzoheshin shumë shpejt, s'kishte si t'i përballonin një serie të këtillë të bombave që shpërthenin me zhurmë të mbytur dhe e dridhnin tërë objektin, në themelet e të cilave banonim. Gjithnjë na mbante shpresa se nata e sotme e fluturimit të aeroplanëve ushtarakë do të jetë e fundit. Prisnin që nesër një komunikatë nga kryeqyteti armik të njoftonte për dorëzimin e pa kusht. Dhe netët me dridhje të themeleve të ngrehinës, por edhe netët kur s'dëgjohej asnjë zhurmë avionësh vinin njëra pas tjetrës. Lajmet nga transistori nuk na inkurajonin për një përfundim të shpejtë të luftës.    

- Botën e jashtme e perceptonim nga klithmat, krismat e pushkëve, shpërthimet e bombave, nga zërat e ndryshëm që vinin herë nga shkallët, herë  nga rruga. Asnjëherë nuk ishin të njëjtë dhe asnjëherë nuk na sillnin lajme inkurajuese. Nëse herën e parë hapat e zërat e çjerrë paralajmëronin bastisje, kontrolle, ndjekje të viktimave, herën e dytë na bënin me dije se dikush është në hall. Dhe ne druanim si herën e parë, si herën e dytë. Sepse, po na pikasën gjahtarët e njerëzve, na përlanin të gjithëve, por edhe po të na afroheshin viktimat po ashtu na merrnin në qafë, sepse gjahtarët shkonin gjurmëve të viktimave. Sa herë janë përpjekur të thyejnë derën e hekurt të podrumit. Një palë  kërkonin plaçka, të dytët strehim, ndërkaq, ne, megjithëse me zemër të dridhur, na ndalej fryma derisa kalonte stuhia. Nuk na shkonte ndër mend t’ua hapnim derën as të parëve dhe as të dytëve. Gjuetarët një herë i binin me shkelma derës, pastaj me kondak pushke, dikur iknin, të sigurt se prapa dyerve nuk ishte askush, sikurse që ishin të sigurt që bodrumi nuk kishte gjëra me vlerë për të cilat e vlente të shpenzonin më shumë kohë, duke e thyer derën me mjete të veçanta.

Viktimat trokisnin më gjatë, ishin më durimtarë, dikur pushonin, sërish vazhdonin trokitjet, sepse e nuhasnin që ka njerëz brenda. Nuk ua hapnim edhe atëherë kur na përgjëronin, na lusnin me vaje, që na pikonte në shpirt. Dikur na mallkonin. Nuk kishte vend për ta. Druanim që duke ua hapur derën do ta zbulonim furrikun tonë, do ta ndillnim policinë e cila kontrollonte mos ka mbetur edhe dikush nëpër banesa a strehimore.

Gjysmë dite ndenji një burrë te dera e bodrumit, trokiti, na përgjëroi, na luti, qau, por  nuk ia hapëm. Mujsharët nuk erdhën ta merrnin. Të ketë qenë provokator? Ta ketë bërë nga halli? Ai shkoi ashtu si erdhi. Nuk u qetësuam nga ndërgjegjja e vrarë disa ditë, mirëpo nuk e hapem bisedën e burrit që na përgjëroi aq dhimbshëm.

Netët ishin ankthe pritjesh. Paramilitarët ngjalleshin si minjtë nëpër korridore, dilnin me vrap si t’i yshte dikush prapa, ndërsa po me hap të shpejtuar ktheheshin. Gjithnjë futeshin me ulërimë, kur kapnin viktima, kryesisht ishin femra, zëri i tyre herë shpërthente i thekshëm, herë i lodhur e i zvargur si ta kishin rrjepur. Atëherë banorët e bodrumit përpiqeshin të mbyllnin veshët, nuk ishin nga ata që mund t’i ndihmonin fatkeqen dhe as nga ata që i përballonin klithmat.

Dikur pushonte çdo gjë: klithmat, ulërimat, hapat në ethe dhe vajtje- ardhjet nëpër dhoma banimi. Sa herë e kanë ndjekur banorin e bodrumit edhe më vonë këto klithma të lemeritshme, Besmiri zgjohej i bërë qull nga djersët, përpiqej të mbyllte veshët, por klithmat i vinin nga brenda. Edhe sot e kësaj dite kur fle i mbyll veshët me shtupë, e mbulon kokën me mbulesë sa gati i zihet fryma, djersinë nga vapa, por nuk do të dëgjojë zhurma të jashtme, sepse i shndërroheshin në klithma të padurueshme. Nuk mund të fle pa u mbuluar dhe pa u kruspullosur si embrioni në barkun e nënës.  

Pas  një muaji mungonte ushqimi, u shteruan gjërat elementare. Si t'ua kishte me borxh të gjithë kthenin shikimin nga ai. Vendosi të dilte në kërkim të ushqimit, apo mbase në kërkim të fatit. Nuk e kishin idenë si zhvilloheshin ngjarjet jashtë, botën e perceptonin nga dritarja e vogël e ngushtë, nga klithmat e netëve të gjata, nga britmat nëpër korridoreve. Edhe kur shihnin diçka, i shihnim vetëm copa të gjymtyrëve: shputa këmbësh, gjunjë, pjesë të prapme, kokën mund t'ia shihnin vetëm nëse ai e ofronte kokën në cepin e dritares nga trotuari.  Nuk e panë asnjërin të tërin, s'kishim se si, sepse pamja ishte me fokus të ngushtuar.     

- Një herë të vetme u përpoqa të dilja nga bodrumi. Sa nuk e lashë kokën në trotuare afër udhëkryqit. Nuk e di si mora guxim, apo mbase u bëra i mpirë nga ndjenjat, nga qëndrimi i gjatë në një vend ku nuk më rrihej më. Mbase edhe rrjedha e ngjarjeve më provokoi, sepse e dëgjoja kohë pas kohe radion. Disa net nuk bombarduan aeroplanët e NATO-s. Qetësia ishte e frikshme e shpresëdhënëse njëkohësisht, policët nisën të frikeshin në errësirë, flitej për komando. Një radiostacion dha lajmin se qenka bërë një marrëveshje në një qytet shqiptar të Maqedonisë në mes të tre kufijve. "Kjo duhet të jetë arsyeja që nuk dëgjohen lëvizje të policëve nëpër rrugë apo shkallë të pallatit", i dhashë zemër vetes.

Nga dita kur motra u përball me kolegun e punës, askush nuk bënte ballë të nxirrte kokën jashtë, ndërkaq dritarja e vogël nuk mjaftonte të perceptonim jetën reale, askush nga ne nuk bëri ballë të dilte e të kërkonte furnizime. E biseduam disa herë këtë gjë, i shikova të gjithë, por të gjithë e ulnin kokën. Dikush propozoi që gratë ishin më të përshtatshme për këtë gjë. Të tjerët thanë se pikërisht gratë mund të binin në sy.

Shikova nga gruaja ime me bark të fryrë dhe nga dy kalamajtë që e ndiqnin bisedën duke e shikuar sa njërin, sa tjetrin. U thashë të mbyllnin derën e hekurt pas meje. Gruaja më pa me pikëllim.

-Burrë, i ke dy fëmijë që të presin, - më tha me zë të ulët. Nuk bëzana. 

Kalamajtë hapën sytë. Dola i shqetësuar, por shqisat i mpreha si bisha kur del nga strofulli në botën e pasigurt. Në kthesën e parë të trotuarit pata marramendje nga dielli i fortë pas kaq ditësh në gjysmerrësirë. Ecja më drojë, më bëhej se të gjithë banorët e mbetur të pallatit më shihnin nga dritaret. Megjithatë ecja drejt pa e kthyer kokën majtas as djathtas. Befas afër udhëkryqit dëgjova një urdhër që m’i preu këmbët": "Ndal!"

Thashë mbarova. Më dolën parasysh fëmijët e gruaja. U ktheva të shihja andej nga vinte zëri kërcënues. Pashë policin pak  më tutje. Isha në mëdyshje: të prisja afrimin e policit me leshra të lëshuara e mjekër se si rrinte me armë në dorë apo të ecja. T'ia mbathja nuk më shkoi nëpër mend. 

Nuk e di, por befas një alarm nga brenda më sinjalizoi furishëm: "Mbathja!" Këmbët që pak më parë i kisha të rënda plumb m’u liruan, u shkëputën nga toka. Kurrë në jetën time as më herët dhe as më vonë nuk kam bërë një vrap të këtillë, thashë se po fluturoja. Pasi e lashë prapa policin, bëra një rrotullim rreth e përqark pallatit, duke u futur në një rrugicë që t'ua humbisja gjurmët. Vrapin e ndala para portës së bodrumit. Nuk u përpoqa të sfidoja fatin, as të dilja nga bodrumi  më: streha ime, shpëtimi im.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test