Na ndiqni

Opinione

Ishte trishtim të shihje kur ta vrisnin njeriun para këmbëve

Nga: Gani Mehmetaj Më: 1 prill 2018 Në ora: 22:19
Gani Mehmetaj

Pastaj nxori gishtin e mesëm para. Gruaja tjetër nga dritarja përbri na e mati krahun, apo na i dha munxët, duke e mbyllur dritaren me zhurmë. Nga turma askush nuk merrej me të, edhe pse të gjithë e dëgjonin. Ata na shikonin nga lart. Tanët poshtë banesave morën rrugën e madhe. Kolonë më të gjatë e më të përzishme nuk kam parë në jetën time. Kontrasti në mes nesh e tyre: ata shikonin nga dritarja në ngrohtësinë e dhomës, ende në pizhame, ne ecnim rrugës së madhe me një bohçe në duar apo pa asgjë, pizhamet i lamë në fund të krevatit, pantallonat i veshëm mbi pizhame, sepse nuk na dhanë kohë t'i hiqnim. Sa hap e mbyll sytë na lanë pa asgjë. Si nuk u dëgjua asnjë foshnjë të qante, si nuk bëzajti asnjë kalama, që ecte përbri nënës a motrës, si nuk fliste askush me askënd. Ecnim në marrëveshje të heshtur. Tërhiqnim këmbët zvarrë, por re pluhuri nuk ngrihej, na dëbuan nga shtëpitë, duke na nxjerrë në rrugë të madhe, ndërsa nuk e dëgjova asnjë ngashërim gruaje. Më vinte të çirresha në kupë të qiellit nga mllefi e zemërimi, por e dija se aty do të vulosja fatin tim, mbase edhe fatin e ndonjë tjetri bri meje. Policët rrinin anash me kallash në duar, të gatshëm për të ndëshkuar ata që do të mbeteshin prapa. Shoku pranë meje ma shtrëngoi dy herë llërën sikur ta ndiente se do të bëja ndonjë gomarllëk. Ecja i mpirë me hapa somnambuli. Shihja zverkun e fuqishëm të një burri me një foshnjë në supe, me ndiqte me sy koka e mbështjellë me kësulë foshnjash: as nuk qeshte dhe as më jepte shenjë se më shihte. 

Nuk më kujtohet të kem përsiatur atëherë apo më vonë, por e di që dëbimi ynë ishte ndryshe nga ajo që ua bënë hebrenjve para gjashtëdhjetë vjetësh. Edhe kolonat e hebrenjve ecnin të heshtura e të përzishme, edhe atyre u hidhnin romuze nga dritaret, i fyenin, ose ua matnin bërrylat, as  zëri i fëmijëve të tyre nuk dëgjohej, ose dëgjohej tepër i zbehtë si t'u kishte shterur çdo energji, ndërkaq i nisnin në geto, në kampe përqendrimi apo drejt fabrikave të vdekjes. Por dëbuesit tanë  nuk bënë geto të këtilla, nuk bënë as kampe përqendrimi (për kampe pune kam dëgjuar, ku i mbanin pengjet- shënjestra për bombat e NATO-s), por e rregulluan punën që të na dëbonin përtej kufijve ndërkombëtarë. Qyteti i tërë do të bëhej i tyre. Shtëpitë e braktisura do t'i plotësonin me kolonë që i sollën nga krahina e Likës së Kroacisë, apo nga Bosnja. Fusnin edhe policë që i sollën nga shteti i tyre. 

Që në mëngjes ia behën policët para derës së banesave. Trokisnin me tytë pushke e me këmbë. Si sot më vjen ushtima e korridoreve nga hapat e banorëve të nxjerrë nga shtrati i ngrohtë. Ecnin të përgjumur e të frikësuar, këmbët e tyre të tërhequra zvarrë e dridhnin pallatin. Vaji i fëmijëve të zgjuar me zhurmë ushtonte deri në çati, pastaj në rrugë s'qante askush.

U futën edhe në banesën tonë. Kur na dëbuan mua e shokun nga apartamenti, nuk na lejuan të merrnim asgjë me vete. –Shpejt-shpejt, zbrisni poshtë! - na urdhëroi njëri nga treshja e veshur me pancirë, duke na shtyrë me tytë të pushkës.

S'patëm kohë të kthenim kokën nga çantat, të cilat çuditërisht nuk i kishim përgatitur për ndonjë dëbim a rrugëtim të gjatë. Mora transistorin nga tryeza, kapa edhe notesin. Në çastin e fundit se si më doli para këmbëve çanta sportive. Na nxorën si plumbi i pushkës nga apartamenti, pa arritur as të mbyllnim derën me çelës. Policët kokërruar, disa të sapodalë nga burgu, shtrëngonin nofullat, kapërdiheshin, duart u hanin për një shkrepje arme mbi ne. Shpëtuam pa lëndime.

Nga hyrjet tjera dilnin banorë të frikësuar si pula pa kokë. Britma grash, zëra fëmijësh, lutje për mëshirë ta çanin timpanin e veshit. Disa nuk arrinin të mbathnin këpucët, dilnin me shapka dhome. Të tjerët mbi pizhame kishin veshur pallto. Bënte ftohtë. Më vonë nisnin të vajtonin gjërat që i lanë në banesë si t'i linin në gojë të ujkut, sepse e dinin që do t’ua plaçkitnin deri në dyshekun e shtratit.

Me t'iu bashkuar kolonës së pafundme banorët e apartamenteve e shtëpive përreth shkriheshin në turmën e pazëshme. Turma i bënte më të humbur, disave u jepte më shumë guxim, nuk e shpjegoja dot as gjendjen e parë, as gjendjen e dytë. Më pëshpërima na treguan se në disa lagje policët shkrepën me zarar, vranë e plagosen, disa kundërshtuan të dilnin nga shtëpitë.

-Ishte trishtim të shihje kur ta vrisnin njeriun para këmbëve, - më tha me pëshpërimë burri i moshës së mesme, përderisa buza i dridhej në vaj. Emrin nuk ia mësova, as ai nuk ma tha, secili shihte hallet e veta e marshonte tutje. Donin të ruanin energjitë për rrugën e gjatë. 

Shiu i ftohtë, përzier me borë e fërfëllizë, më mërdhinte deri në palcë. Kolonat e të dëbuarve vazhdonin të ecnin të përgjumur kodrave të rrëpinjta. Vargani i grave me foshnja në gji, i burrave më të paktë me bohçe në krah, i kalamajve ngjitur pas trupit të nënës, shkonin prapa të heshtur e të mërdhirë. Me rrobat e lagura, me pamjen e njerëzve të dëshpëruar që s’dinin ç’të bënin me vete e me ata që i kishin pranë, herë shanin nën buzë, herë qanin prajshëm, më shumë shikonin tej në horizont ku prisnin të rrëzëllente një fije drite.

Derisa ecja i përhumbur, prapë më kujtoheshin pamje filmash me tërmete, vërshime, stuhi polare, njerëzit që e çapëlenin njëri-tjetrin. Nuk më hiqeshin nga mendja pamjet e kolonave të gjata të të ikurve, makinat e shumta që e bllokonin rrugën, kolonat e tjera që i braktisnin makinat, duke ua mbathur këmbë kodrave e gërxheve. Por truri m’u kthjellua nga imazhet imagjinare, duke i parë kolonat reale, ashtu si ishin: të mërdhirë, të bërë gati dyfish nga lodhja, të përhumbur. Makinat e braktisura na e kishin zënë rrugën.

vijon

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test