Na ndiqni

Opinione

Shtet fiktiv – Qeveri fiktive

Nga: Klevis Balliu Më: 17 janar 2018 Në ora: 19:29
Klevis Balliu

Në çdo vend ka probleme të ndryshme ekonomike, shoqërore apo edhe ushtarake. Janë probleme të cilat nuk kanë një zgjidhje direkte dhe të përfundimtare. Për këtë arsye, qeveri të ndryshme, që i përkasin kaheve të ndryshme politike, të majtë apo të djathtë, ndërmarrin reforma të ndryshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe gjendjes së shtetit në këto fusha problematike.

Në rast se një shtet nuk ka zhvillim periodik pozitiv, ai rrezikon falimentin dhe si rrjedhojë, edhe vetë pavarësinë e tij. Shqipëria sot, si çdo vend tjetër, ka probleme të tilla. Por ndryshe nga shtetet e tjera, sot si kurrë më parë, mund të vihet re një kthim pas, për sa i përket fushës ekonomike shoqërore edhe asaj ushtarake. Madje, mund të them se sot jemi kthyer në një shtet fiktiv. Legjitimiteti i një shteti varet nga disa shtylla, të cilat e bëjnë shtetin SHTET.

E para, nuk mund të ketë shtet, kur nuk ka drejtësi. Çdo shqiptar me një informacion minimal është i vetëdijshëm se drejtësia në Shqipëri çalon. Sot drejtësia është bërë një mjet politik i uzurpuar nga një pushtet arrogant dhe meskin. Nuk mund të pretendosh që një individ apo parti politike të krijojnë drejtësi duke e shkelur, uzurpuar apo edhe shantazhuar njerëzit e drejtësisë si Gjykatës dhe Prokurorë. Nën këtë kontekst, mund të them se është më mirë një drejtësi e korruptuar, por që njihet si e tillë, sesa një drejtësi e inkriminuar dhe e kapur, por që zbukurohet si e drejtë.

Shtylla e dytë e një shteti është absolutisht Ekzekutivi, Qeveria. Të majtë apo të djathtë të jenë shqiptarët, kjo nuk ka shumë rëndësi, por nuk mund të mohohet se Kryeministri Rama dhe qeveria e tij në tërë- si, kanë një lidhje biznesi me botën e KRIMIT, lidhje e cila pengon Kryeministrin të ndërmarri reforma reale dhe efektive në të mirë të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë. Për shembull, në mandatin e parë, qeveria ndërmori hapa, të cilat dukeshin serioze në pamje të parë, siç ishte reformimi i Policisë së Shtetit, por lidhja e kësaj qeverie me krimin nuk e lejojnë reformimin e vërtetë të Policisë, por e inkriminojnë atë.

Ndaj dhe sot kemi disa eksponentë të lartë të Policisë, që ndodhen në kërkim nga vetë Policia e inkriminuar. Sot, më shumë se kurrë siguria e vendit është në RREZIK. Për shkak të inkriminimit të Policisë së Shtetit, operacionet e Policisë janë dekonspiruar. Gjithashtu, informacionet sekrete të shtetit, sot janë nën rrezik, pasi bandat e veshura me kostume të Policisë nga qeveria e bandave, ia kanë kaluar këto informacione bandave dhe pishtarëve të korruptuar.

Për më tepër që qindra vrasje dhe plaçkitje, ende nuk kanë autorë në Shqipëri, jo se s’mund të ketë, por sepse pushtetarët e krimit nuk duan të ketë. Shtylla e tretë, është në mënyrën më absolute pushteti mediatik ose siç quhet ndryshe pushteti i tretë i pavarur. Sot nuk ka absolutisht asnjë shqiptar, që mendon se mediat në vendin tonë janë të pavarur.

Madje, mund të shkoj edhe më tej duke ju thënë se shumica e shkrimeve apo lajmeve, të cilët qytetarët lexojnë apo dëgjojnë, sot shkruhen nga vetë qeveritarët dhe më pas i vihet emri i ndonjë gazetari, që paguhet vetëm për vënien e emrit të tij ose të saj në shkrime qeveritare. Mosfunksionimi i këtyre shtyllave sjell pasoja të ndryshme. Kur drejtësia nuk funksionon, qytetarët janë të detyruar të paguajnë para. Ju paguajnë para individëve të drejtësisë për një punë që nuk e bëjnë në bazë të ligjit, me qëllim që të marrin një drejtësi, që nuk vjen ose një drejtësi që nuk meritohet.

Si pasojë, shumë të drejta të tyre nuk i marrin çka i jep më shumë pushtet vetë pushtetarëve, të cilët korruptojnë drejtësinë për të vazhduar aferat e tyre të paligjshme në dëm të vendit. Kur një qeveri është e korruptuar dhe ka në dorë drejtësinë, çdo shërbim publik bëhet në fakt privat për ekzekutivin, i cili e trajton atë si një lavatriçe për paratë e pista. Për shembull, qindra miliona euro janë harxhuar në emër të shëndetësisë apo arsimit. Fakt është që sot, spitalet nuk kanë as mjetet dhe as doktorët e duhur për tu kujdesur për qytetarët, duke e lënë shëndetësinë në një mjerim të jashtëzakonshëm. E njëjta gjë vlen dhe për arsimin.

Sot të rinjtë shqiptarë mund të blejnë edhe të shesin diploma si domatet në pazar, duke i ulur autoritetin arsimit dhe arsimtarëve të vërtetë. Por kjo sjell edhe një problem më të madh, nuk them të gjithë, por patjetër në shumicë, të rinjtë mendojnë se arsimi nuk i intereson dhe nuk sjell absolutisht asgjë në Shqipëri. Arsimi nuk ju siguron një të ardhme të ndritur, por duan thjeshtë një diplomë. Kjo tezë e rinisë shqiptare për arsimin është absolutisht e vërtetë e njëkohësisht e rëndë, por për ta ndryshuar problemin, çdo i ri i këtij brezi dhe i atyre që do të vijnë, duhet ta marrë seriozisht arsimin. Të gjitha këto problematika do të rrëzonin çdo qeveri, nëse në Shqipëri do të kishte një pushtet të tretë. Media.

Por pushteti i tretë është inekzistent, pasi vetë mediat janë të përfshira në skandale dhe afera korruptive. Më duhet të them që ka ende televizione, gazeta apo portale, të cilat mundohen të bëjnë një transparencë të sinqertë të problemeve të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por llumi mediatik i korruptuar ka më shumë para, të cilat vijnë nga aferat korruptive dhe lidhjes së qeverisë me krimin e organizuar. Paratë janë të rëndësishme në pushtetin e tretë, pasi siç dihet botërisht, mediat nuk prodhojnë para realisht, por pushtet, kur ato janë serioze. Ndërkohë që, nëse janë media,të cilat presin blerësin e radhës nga politika, nuk fitojnë pushtet, por para.

Të majtë apo të djathtë, mund të kenë pikëpamje të ndryshme se si arritëm në këtë gjendje, por të gjithë mund të themi se këto probleme janë reale dhe qeveria e krimit absolutisht nuk ngjall shpresë. Këtë nuk e them unë, por ato qindra e mijëra aplikime për azil. Janë pikërisht këto fakte, që e bëjnë Shqipërinë sot një shtet fiktiv. Ka spital, por s’ka ilaçe, ka shkolla, po s’ka libra, ka media, por s’ka shkrime, ka Polici, por s’ka siguri dhe arrestim të bandave kriminale, ka gjykatës, por s’ka drejtësi, ka Kryeministër, por s’ka qeveri.

Një shtet fiktiv nuk mund të ketë një qeveri reale, ndaj sot kemi një qeveri fiktive. Është koha që të vijë një ndryshim duke filluar nga baza, që janë shqiptarët. Nuk mund të adaptohemi me fiktivitetin e këtij realiteti, që na shërben qeveria në kanalet e saj të korruptuara mediatike. Është koha për të hapur sytë dhe të bëjmë atë që duhet dhe jo atë që duam.

*Deputet i PD-së

Panorama
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test