Na ndiqni

Ndryshe

U gjet nëndetësja e fundosur para një viti në Oqeanin Atlantik

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 17:03
U gjet nëndetësja e fundosur para një viti në Oqeanin Atlantik

Kërkuesit e kanë gjetur nëndetësen e zhdukur argjentinase “ARA San Juan” të fundosur thellë në Oqeanin Atlantik, një vit pasi ishte zhdukur me 44 persona brenda saj. Flota argjentinase njoftoi se nëndetësja u gjet në 800 metra thellësi pranë ishullit argjentinas “Valdes”.

Zyrtarët e flotës thanë se gjetja u bë nga një nëndetëse e vogël që i takonte një anije amerikane, e cila ishte bërë pjesë e ekipit kërkues së fundi. Njoftimi për gjetjen e nëndetëses u bë vetëm dy ditë pasi familjarët e personave të zhdukur e mbajtën një ceremoni përkujtimi për njëvjetorin e zhdukjes së saj.

Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri, kishte deklaruar se do të bëhet një hetim i plotë për zhdukjen e nëndetëses, ndërsa policia kishte ndërtuar baza në det. Nëndetësja ishte duke u kthyer në bazën e saj, kur kontakti me të ishte humbur. Argjentina i kishte humbur shpresat për gjetjen e të mbijetuarve pas një kërkimi të gjerë, në të cilin ishin përfshirë 18 shtete. Sidoqoftë, flota ushtarake kishte vazhduar kërkimet.

Nëndetësja ishte prodhim gjerman i viteve të 80-ta, ndërsa ishte modifikuar në vitin 2008 dhe 2014, me ç’rast ishte ndarë në dy pjesë për t’ia ndërruar motorin dhe bateritë. Ekspertët thanë se modifikimet janë çështje problematike sepse përfshijnë vendosjen e sistemeve të prodhuara nga prodhues të ndryshëm dhe gabimi më i vogël gjatë prerjes mund ta vë në rrezik nëndetësen dhe personat që gjenden në të.

Ditën kur ishte humbur kontakti me nëndetësen, kapiteni i saj kishte raportuar se në një pjesë të saj ka depërtuar uji dhe kishte shkaktuar lidhje të shkurtër në njërën nga bateritë e nëndetëses. Më vonë ishte vërejtur një shpërthim afër vendit ku besohej se ndodhet nëndetësja. Zyrtarët e flotës kishin thënë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga përqendrimi i hidrogjenit që lidhet me raportimin e kapitenit për problemin me bateri, shkruan “The Guardian”.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test