Na ndiqni

Libra

Një monografi e shkruar për shkollat dhe sportin shkollor në komunën e Vitisë…

Nga: Tefik Selimi Më: 27 shtator 2018 Në ora: 11:27
Ballina e monografisë dhe portreti i autotit...

Nuk është thënë rastësisht fjala se, ajo që shkruhet në letër, mbetet në vepër. Kjo është një fakt i gjallë. Dhe, autor, Hasan Hasani, duke i nisur nga kjo aforizmë kohe e jete, e shkroi monografinë me titull: “Shkollat dhe sporti shkollor në komunën e Vitisë”, të cilën punë e qoi në vend, duke kurorëzoi atë me veprën në fjalë. Pse jo? Kjo vepër publicistike e tij është padyshim një monografi e kurorëzuar me një vullnet të madh prej arsimdashësi, i cili, nga momenti i mbarimit të misionit të tij të shenjtë si punëtor i arsimit, i është kthyer me elan kohës së kaluar për ta qitur e jetësuar në letër. Dhe, kjo vepër e autorit H. Hasanit (1952), nga Budriga e  Epërme, komuna e Vitisë,  është një dëshmi e rrallë i një kronisti të denjë të punës me ditar në dorë, i cili  veprimtarrinë e tij prej edukatori e kurorëzoi me një vepër mjaft të këndshme dhe të dobishme për arsimin tonë shqip. Jo vetëm kaq.

Siç dihet, Hasan Hasani (1952) është nga fshati Pozharan, por me banim të përhershëm jeton në Budrigën e Epërme. Ai nga viti 1972/73 ka filluar të punojë me ditar në dorë në fshatin Radivojc si profesor i kulturës fizike. Punoi në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti e mese tjera. Tani është në pension.

Por, menjëherë pas luftës, 12 vite me radhë, u mor me rregullimin e pishinave. Ishte mësues i shkollës së notit dhe mori epitetin e shpëtimtarit. Më vonë bëhet instruktor i notit në Beqiç. Gjatë kohës sa punoi, mori shumë mirënjohje, falënderime e pllakata për kontributin shumëvjeçar të dhënë në procesin e arsimit. Ka marrë mbi 56 mirënjohje të merituara. Edhe pas kësaj pune të vlevshme, ai ia hyri punës në projektin e kësaj monografie, e cila, si e tillë, shënon kulmin e punës së tij si veprimtar i fushës së arsimit shqip.

Sipas fjalëve të autorit, ky është libri i parë i kësaj natyre që ka vuar në  spikamë rrëgëtimin e shkollave së bashku me organizimin dhe zhvillimin e garave sportive shkollore në periudha të ndryshme kohore në komunën e Vitisë.

Andaj, karakteristikë e parë e kësaj monografie është fakti se, autori H. Hasani ka grumbulluar e ka vjelë materje të bollshme dhe të mjaftueshme për një vepër të tillë, e cila shënon fillet e themelimit të shkollave shqipe, e në veçanti, themelimin e shkollave tona ekzistuese duke i përshkruar ato në kushtet dhe gjendjen në të cilat kanë vepruar e punuar nëpër periudha të rënda kohore. Autori shton se, ajo që e ka shtyrë për ta shkruar këtë monografi ishte puna e tij 45-vjeçare si pedagog dhe organizator i shumë garave sportive komunale dhe më gjerë. Por, nga ajo që po vërehet në monografi është fakti tjetër i autorit se, e ka ndjerë të nevojshme si punëtor i arsimit që të hulumtojë rrugëtimin e fillimit të punës së shkollave shqipe në komunën në fjalë, mandej zhvillimin e aktiviteteve sportive nëpër shkolla si dhe aktivitetin e shoqërive kulturo-artistike, të cilat kanë ekzistuar në një kohë, e që edhe sot, disa prej tyre zhvillojnë aktivitete kulturore e artistike.

Vepra e Hasan Hasanit ka një “dizajn” të mirë, sepse , që në fillim ka përmbajtjen dhe vijon me një parathënie e përfundon para kaptinave me një hyrje të shkurtër. Ajo që na bie në sy është fakti se, autori ka grumbuluar një “mal” me shënime të vjelura nga tereni, si dhe ka mjaft argumente e dokumente që ka rrumbullakësuar projektin e tij për shkollën shqipe në komunën e Vitisë. Sidomos, autori i veprës është ndalur tek aktivitetet e shumta sportive shkollore. Mandej, ajo që na ka rënë në sy tek kjo monografi është e dhëna tjetër, se autori ka përfshirë kohën e rëndë që ka pësuar shkolla kombëtare shqipe gjatë okupimit  serb para viteve 1999.

Pra, në këtë monografi bëhet fjalë për shkollarët që mësuan nëpër shtëpia private, në të ashtuquajtura “Shtëpi – shkolla”. Dhe, ky segment i rëndësishëm i shtetit punoi pa e ndërprerë procesin mësimor, i cili dha rezultate të lakmueshme në vazhdimësinë e shkollës shqipe. Autori flet për nxënësit që kanë mësuar nëpër shtëpia private, ku i përmend emrat e të gjithë pronarëve, të cilët, vullnetarisht i kanë liruar lokalet e tyre për shkollarët tanë. Atë kohë, sipas autorit, kanë liruar dhoma mësimi në disa fshatra, si janë: Ramnishtë, Beguncë, Vërbovc, Radivojc, Pozharan, Sllatinë të Epërme e disa mese të tjera të kësaj komune.

Në monografi flitet edhe për shkollarët e helmuar në vitet 1990. Sipas autorit të monografisë, vetëm në fshatin Kabash të Vitisë janë helmuar 30 nxënës brenda lokalit shkollor. Helmimet janë bërë nga 16 marsi i vitit 1990. Ky ishte helm luftarak me emrin “Sarin”, i prodhuar në fabrikën ushtarake të Mostarit (Bosnje), i cili është shpërndarë për t’i  helmuar nxënësit shqiptarë në qindra shkolla shqipe të Kosovës. Janë helmuar me mijëra nxënës të shkollave të mesme dhe fillore.

Autori H. Hasani, mongrafinë në fjalë ua ka kushtuar shkollave dhe sportit shkollor në komunën e Vitisë. Por, në këtë vepër gjejmë edhe shënime mjaft interesante për historikun e shkollave fillore të komunës në fjalë. Duke qenë autori entuziast i sportit dhe aktivist i dalluar i kësaj dije, ai më tepër ka anuar të bëj fjalë për aktivitetet sportive që janë zhvilluar nëpër shkollat e këtij mesi duke i përmendur garat dhe arritjet në këtë fushë të dijes.

Në vepër flitet për infrastrukturën sportive të të gjitha shkollave të këtij mesi. Mandej, bëhet fjalë për Shkollën fillore të Pozharanit, e cila, sipas autorit, është njëra ndër shkollat më të hershme në Kosovë, që ka një histori mjaft të lashtë, por të begatshme të veprimtarisë edukativo-arsimore”(f29). Autori në një vend, shkruan: “Shkolla e parë u ndërtua në vitin 1905, me kontribunin personal të Islam (Shaban) Pirës, ku mësuesi i parë ishte Mulla Syla nga Tërpeza e Nezir Baki Efendia nga Vilajeti i Janinës. Pesë vjet më vonë, në vitin 1910, Valiu i Shkupit ka urdhëruar mbylljen e shkollës në fjalë.

Pra, në një kohë të hershme, rrugëtimi i shkollës shqipe ka qenë tejet i rëndë, por populli ynë asnjëherë nuk është gjunjëzuar para okupatorit fashist e gjenocidal. Në këtë përballje të rrugëtimit të shkollës shqipe, shumë mësues e intelektualë tanë kanë pësuar edhe me jetë.

Autori e përmend në vepër Halil Alidemajn, një intelektual i madh i një kohe, i cili ka qenë i përcjellur nga shërbimi sekret serb. Ai, sipas autorit, në vitin 1982, ishte pjesëtar i  grupit të quajtur “Grupi i intelektualëve”, i cili arrestohet dhe dënohet me 11 vjet burg. “Pas lirimit nga burgjet serbe, me më ngulm merret me çështje kombëtare, ku, në pamundësi të veprojë i lirë, ai ësht detyrua të largohet nga Kosova. Thuhet se atë kohë gjendet në Maqedoni, pastaj kalon në Shqipëri, ku aktivozohet për rekrutimin e të rinjve shqiptarë në radhët e UÇK-së. Halil Alidemaj ishte intelektual i shquar i kauzës sonë kombëtare, i cili punoi në disa mese me ditar në  dorë. Ishte edhe punëtor administrativ në Universitetin e Prishtinës, i cili vdiq në Tiranë, më 19 mars të vitit 1996. 

Në monografi gjejmë edhe shumë të dhëna, si bie fjala numrin e nxënësve, të punëtorëve, të aktiviteteve shkollore, garat e nxënësve, vendet e fituara e shumë “sende” të tjera të natyrës sportive. Kah fundi i mongrafisë, autori ka shëtuar disa biografi të kuadrit profesional nga lëmia e sportit etj. Por, monografinë e autorit e hijeshojnë edhe fotot jo vetëm të mësimdhënësve, objekteve të shumta shkollore, por edhe të ekipeve sportive të shkollave që janë zënë në fjalë./Tefik Selimi

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test