Na ndiqni

Kulturë

Me rastin e 100 vjetorit të themelimit Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës

Nga: Lush Culaj Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 15:33
Ndertesa ku veproi Komiteti i Kosovës

I themeluar më 1 maj 1918 me qendër në Shkodër, Komiteti i Kosovës, apo siç mund ta quajmë ndryshe Qeveria e Kosovës, sidomos gjatë viteve 1918-1920, ishte një ndër organizatat politike më të rëndësishme në Shqipëri, si për nga detyrat që shtronte për zgjidhje programi i saj, ashtu edhe për nga gjerësia dhe shtrirja e veprimtarisë, përbërja dhe numri i anëtarëve. Programi i 1 majit përbëhej nga tri pika ose nyje, në të cilat në mënyrë të qartë, të përmbledhur dhe të saktë pasqyroheshin drejtimet kryesore të veprimtarisë së mëtejme të organizatës në planin strategjik dhe taktik. Që në pikën  e parë që njëherësh edhe ishte pikë  kyçe të programit vërehej qëllimi kryesor i Komitetit MKK, ku theksohej: "Me u përpjekë para fuqive të mëdha të Antantës dhe me e kërkuar bashkimin e krahinave të Kosovës (Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, Kaçanik, Ferizaj, Gilan, Prishtinë, Vuçiternë, Mitrovicë, Jeni Pazar, Rozhajë, Pejë, Plavë, Guci, Gjakovë, Prizren) në një Shqipëni të lirë dhe veturdhënuese". Ishin pikërisht këto territore që përbënin përgjithësisht territoret me popullsi shqiptare të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Kërkesa për një "Shqipëni të lirë dhe veturdhënuese" ka rëndësi të posaçme, për të konkluduar në mënyrë të qartë veprimtarinë e mëtejme të organizatës, synimin strategjik të Komitetit, vijën e tij politike, për zbatimin e së cilës u luftua vazhdimisht pa kompromis. Gjithashtu në këtë pikë potencohej, sigurisht me qëllim, se kjo do të arrihej nëpërmes përpjekjeve "para pushteteve të mëdha të Antantës". Sipas kësaj analize përfaqësuesit e Komitetit MKK pretendonin që në ato rrethana ta siguronin mbështetjen e Fuqive të Antantës me shpresë që pas përfundimit të luftës do të krijoheshin kushte të favorshme për bashkimin e të gjitha trevave shqiptare të copëtuara  më 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Pra, edhe pse pagëzimi i organizatës ishte Komiteti MKK shihet se në pikën kryesore të programit të vet themelues nuk e kishte vetëm çlirimin e territoreve të Kosovës së ngushtë, por kryesisht angazhohej për çlirimin e territoreve me popullsi shqiptare të pushtuara nga serbo-malazeztë.

Pika e dytë e programit të 1 majit 1918 parashihte si detyrë prioritare të Komitetit që të protestonte kundër politikës antishqiptare që zbatonte Qeveria serbe ndaj popullit shqiptar. Pika e tretë dhe e fundit e programit themelues të Komitetit MKK parashikonte zgjedhjen dhe dërgimin e një delegacioni për t'i mbrojtur me fitim dy pikat e sipërpërmendura para botës zyrtare e jashtëzyrtare. Serioziteti i programit ofroi rreth Komitetit ato forca shoqërore që ishin të gatshme të sakrifikonin çdo gjë për interesat e  atdheut. Prandaj rreth tij u grumbulluan përfaqësuesit më përparimtarë të inteligjencies shqiptare të kohës, elementet atdhetare dhe demokratë nga borgjezia e vogël dhe e mesme e vendit nga veriu në jug, brenda dhe jashtë atdheut, si dhe një numër i madh i të mërguarve politikë nga shqiptarët e Kosovës që gjendeshin në Shqipëri. Këshillin Qendror të Komitetit të Kosovës e përbënin 7 anëtarë, të cilët e zgjedhnin kryetarin, nënkryetarin, sekretarin dhe arkatarin. Kryetar ishte Kadri Prishtina, i cili për shkak të  erudicionit të tij quhej Hoxhë Kadriu, sekretar ishte Bedri Pejani, nënkryetar Hysni Curri.

Image
Anëtarë të Komitetit të Kosovës

Në kuadër të Komitetit të Kosovës kanë vepruar patriotë të shquar, si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Aqif Elbasani, Azem Bejta, Sadik Rama, Ramadan Shabani, Ibrahim Gjakova, Qazim Bakalli, Beqir Vokshi, Niman Ferizi, Murat Gjakova, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Tafil Boletini, Ragip Kajabegolli, Qazim Kaja Begolli etj.   Me programin kombëtar  Komiteti i Kosovës ushtroi ndikim të rëndësishëm në jetën politike të popullit shqiptar gjatë viteve 1918-1924. Përveç qytetit të Shkodrës, që ishte edhe selia e tij, Komiteti i Kosovës i kishte ngritur organizatat e tij në Tiranë, Durrës, Elbasan, Dibër dhe në qendra të tjera. Përmes degëve të organizuara në Kosovë, posaçërisht të asaj që vepronte në Gjakovë, e kishte shtrirë aktivitetin dhe rrjetin e veprimtarisë së vet në Prizren, Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Shkup, Pejë, Podrime (Anadrini), Rahovec, Vushtri dhe në shumë qytete e fshatra të Kosovës e të viseve të tjera. Për dallim nga degët e Komitetit në Shqipëri, ku zhvillimi i aktivitetit kombëtar ishte më i lehtë, në territoret e okupuara shqiptare nga Mbretëria SKS degët dhe aktiviteti organizoheshin ilegalisht. Letërkëmbimi i Këshillit Qendror si me qendrën e jashtme ashtu edhe me degët bëhej i koduar (me shifër). Kodet (shifrat) i hartonte kryetari dhe ndërroheshin herë pas here. Ato shërbenin si çelës për t'i deshifruar dokumentet e shkruara të Komitetit, e natyrisht edhe për t'i ruajtur sekretet.

Shteti shqiptar dhe Komiteti i Kosovës

Okupimi i Kosovës  dhe gjendja alarmante e saj diktuan që kjo organizatë e fuqishme kombëtare, apo Qeveria e Kosovës në ekzil, përkatësisht truri i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës ta zhvillonte veprimtarinë atdhetare në shtetin amë të ndarë padrejtësisht. Komiteti i Kosovës e zgjodhi si qendër të veprimtarisë së vet qytetin e Shkodrës. Arsyet pse pikërisht Shkodra u zgjodh si bërthamë e Komitetit ishin të shumta:

Shkodra ishte një ndër qytetet më të mëdha dhe më të njohura për tradita patriotike të Shqipërisë. Si qytet verior i Shqipërisë kontaktet e saj me Kosovën ishin të hershme. Rëndësia e saj do të vërehej më vonë me krijimin e Zonës Neutrale të Junikut, me ç’rast disa çeta të kryengritësve shqiptarë nga kjo zonë dimëronin në Shkodër dhe konsultoheshin me udhëheqjen e Komitetit për veprime të mëtejme.

Prania e ushtrisë Aleate në Shkodër krijonte mundësi të kontakteve me përfaqësuesit evropianë. Kjo gjë u shfrytëzua nga drejtuesit largpamës të Komitetit duke shpresuar që pikërisht Shkodra do t'u krijonte mundësi që nga aty në rrethana më të favorshme do t'i mbronin me guxim dhe zgjuarsi interesat kombëtare.

Shkodra e strehonte pjesën më të madhe të shqiptarëve të arratisur nga Kosova për shkak të masakrimeve dhe të torturave serbe. Populli i Shkodrës i kishte hapur portat e zemrat në mikpritje të vëllezërve fatkeq jashtë kufirit të caktuar padrejtësisht. Shqiptarët e arratisur sillnin informacione në selinë e Komitetit mbi gjendjen e rëndë në Kosovë.

Edhe pse me përfundimin e Luftës së Parë Botërore shteti shqiptar kishte shumë çështje të padefinuara, megjithatë patriotëve shqiptarë, trevat e të cilëve kishin ngelur jashtë kufijve të vitit 1913, Shqipëria u ofronte mundësi dhe kushte më të mira veprimi. Një mundësi e tillë iu ofrua edhe Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Vetë territori shqiptar, i njohur ndërkombëtarisht më 1913,  u ofronte një mundësi të tillë. Me gjithë fatkeqësinë kombëtare të ndarjes  veprimtarët kombëtarë të trevave të pushtuara shqiptare, të paktën kishin një fat në fatkeqësi, sepse kishin ku të gjenin prehje dhe mbështetje për angazhimin e tyre në favor të çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.

Besimi i Komitetit të Kosovës te personalitetet e dëshmuara kombëtare ka qenë çdoherë i madh. Në pamundësi që ta ketë përfaqësuesin e vet në paqen e Versajës, detyrën e përfaqësimit Komiteti ua beson atdhetarëve Atë Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri. Duke u bazuar në faktin se synimet politike të Komitetit të Kosovës gërshetoheshin me detyrat shtetërore dhe se veprimtaria e Komitetit nuk mund të shpjegohet pa ndikimin dhe bashkëpunimin qeveritar shqiptar dhe ndikime të ndërsjellta edhe kontributi i Komitetit të Kosovës dhënë çështjes kombëtare nuk mund të shpjegohet ndaras nga ndikimi qeveritar.

Angazhimi politik dhe ushtarak i Komitetit të Kosovës

Veprimtaria e Komitetit të Kosovës ishte e drejtuar nga dy angazhime kyçe. Angazhimi politik apo diplomatik për çlirimin e trevave shqiptare, si territore të natyrshme të shtetit shqiptar, dhe në rast të dështimit të këtyre përpjekjeve Komiteti paralelisht bënte edhe organizimin e lëvizjes nacionalçlirimtare. Komiteti i Kosovës disa herë iu drejtua kryetarëve të qeverive e ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha, si dhe personaliteteve të tjera të larta botërore, me letra e me nota proteste për gjendjen në Shqipëri e posaçërisht në territorin e Kosovës. Qëllimi ishte sensibilizimi i çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Përveç këtyre dy detyrave kyçe Komiteti i Kosovës i kushtoi rëndësi të madhe stabilizimit të gjendjes brenda shtetit shqiptar.

Kjo ishte arsyeja që Komiteti me letra e memorandume të ndryshme u drejtohej Fuqive të Mëdha dhe personaliteteve të njohura gjatë punës së Konferencës së Paqes në Versajë dhe më vonë që të përmirësohej një padrejtësi. Paralelisht Komiteti kërkon ndalimin e terrorit dhe të dhunës së Serbisë që po e rivendoste me forcë sundimin në ato territore.

Komiteti “Mbrojtja kombëtare e Kosovës” dhe veprimtaria e mijëra luftëtarëve që nën udhëheqjen e tij dhanë jetën për interesat e larta të kombit kanë lënë jurmë të paharruara në vetëdijen e popullit tonë dhe do të përkujtohen me krenari dhe respekt.                                                                                                                             

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test