Na ndiqni

Kosova

Komedi e madhe: Gjykata e shtynë seancën kundër Ministrit të Brendshëm - nuk po ia gjejnë adresën

Më: 5 janar 2019 Në ora: 19:08
Ekrem Mustafa

Një gjykatë në Kosovë s’ia ka gjetur adresën njeriut kryesor të Policisë. Për këtë arsye nuk është mbajtur një seancë gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar kundër Ministrit të Brendshëm, Ekrem Mustafa. Ky i fundit ka konfirmuar se s’ka pranuar ftesë. Në Gjykatën e Ferizajt kanë thënë se kanë kërkuar ndihmën e policisë për t’ia gjetur adresën Ministrit me aktakuzë

Ekrem Mustafa, Ministër i Punëve të Brendshme, nuk e ka humbur asnjë ditë të dhjetorit nëpër gjykatat e Kosovës.

Edhe pse ishte paraparë që një seancë të mbahej në muajin e fundit të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Ferizajt s’ia ka gjetur adresën Ministrit të ri të Punëve të Brendshme i cili akuzohet se nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve, në një aksident trafiku që kishte ndodhur para 32 muajsh.

Ministri i Brendshëm ka thënë se ka pritur që të paraqitej në gjykatë por nuk i kishte ardhur ftesa.

“S’kam pasur ftesë hiç, kam prit që po e marr ftesën s’më ka ardhë”, ka thënë Mustafa.

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj kanë thënë se kanë pasur problem t’ia gjejnë adresën e re të vendbanimit njeriut që udhëheq me punët e brendshme të Kosovës.

“Ka kërkesë për verifikim të vendbanimit pasi duhet zyrtarisht me kërku adresën e vendbanimit. Ministri e ka ndryshu vendbanimin, por zyrtarisht duhesh me ju drejtu policisë me siguru adresën e saktë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Ekrem Mustafa ka deklaruar se i është i pafajshëm dhe sipas tij një pjesë e ekspertizës së këtij aksidenti i është montuar.

Ministri i ri i Punëve të Brendshme ka një aktakuzë, e cila e ngarkon Shefin e MPB-së se nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve në një aksident të vitit 2014.

Rasti kishte ndodhur në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, konkretisht në fshatin Prelez.

Lëndime trupore të rënda sipas aktakuzës kanë pësuar dy persona, ndërsa një tjetër lëndime më të lehta. Po ashtu janë shkaktuar edhe dëme materiale të veturave të përfshira në aksident.

Atëkohë, Mustafa kishte thënë se s’është fajtor.

Sidoqoftë, Qeveria Haradinaj ka numrin më të madh të ministrave me aktakuza. Çdo i treti ministër ka një aktakuzë. Opozita vazhdimisht ka kërkuar që të shkarkohen ministrat që kanë aktakuza, por kjo nuk është marrë parasysh nga koalicioni qeverisës.

Në mesin e burrave me aktakuzë në këtë qeveri hyn Ekrem Mustafa dhe disa të tjerë. Si: ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, zv.kryeministri njëherit ministër i diasporës Dardan Gashi, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ministri i FSK-së Rrustem Berisha, ministri i Inovacionit Besim Beqaj dhe kishte qenë me aktakuzë Ministri  i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Ky i fundit është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Secili nga ta akuzohet për vepra të ndryshme penale.

Ekrem Mustafa u emërua në postin e ministrit të brendshëm në tetor të vitit që e lam pas. Kur Mustafa mori në dorë udhëheqjen e kësaj ministrie u kremtua në Ferizaj. Kjo pasi Labinot Tahiri kishte këmbëngulur që në pozita të rëndësishme të shtetit të vendoseshin edhe njerëz nga Ferizaj. Kjo ministri i takon partisë së Behgjet Pacollit, AKR-së.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test