Na ndiqni

Kosova

Bie numri i të punësuarve, rritet ai i punëkërkuesve

Më: 5 janar 2019 Në ora: 17:47
Foto ilustrim

Edhe në vitin 2018, punëkërkuesit kosovarë u ballafaquan me mungesë të vendeve të punës. Papunësia për vitin 2018 ka arritur shkallën prej 30.7 përqind, nga 1.2 milionë qytetarë në moshë pune, vetëm 347 mijë janë të punësuar.

Skemat sociale, mungesa e shkathtësive të punës, mungesa e investimeve dhe eksportit janë disa nga faktorët që ekspert të fushës së ekonomisë thonë se kanë ndikuar në rritjen e papunësisë në Kosovë.

Ndërkohë që numri i punëkërkuesve arrin deri në 100 mijë, bizneset private kanë nevojë të vazhdueshme për kuadro të profileve të caktuara por këta të fundit ballafaqohen me mungesë të kuadrove.

Kjo dukuri vë në pah hendekun që ekziston në mes të ofruesve të punës dhe atyre që janë të aftë për punë.  

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, thotë se problemi i papunësisë në vend është i kamotshëm. Sipas tij, shkalla e lartë e papunësisë e ka përcjellë vendin për një periudhë të gjatë, dhe për këtë shton se si ministri janë përkushtuar në zbutjen e papunësisë në vend.

Ai thotë se janë duke bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë si dhe dikastere tjera që të orientojnë të rinjtë nga arsimi profesional.

Reçica: Jemi përkushtuar në krijimin e mundësive të reja për punëkërkuesit

“Si Ministri, në kuadër të masave aktive të tregut të punës, afër 11 mijë punëkërkues i kemi trajtuar me ndërmjetësim punësim, më masa aktive të tregut të punës, me mbështetje në vetëpunësim, me aftësim profesional. I kemi afër 11 mijë punëkërkues të cilët i kemi trajnuar dhe përgatitur në punësimin e tyre... 26:31 Po përpiqemi që numrin e të papunëve, apo numrin e atyre që i kemi të regjistruar si punëkërkues të shikojmë edhe mundësi tjera. Nuk është intenca jonë që të shikojmë të shprazim vendin dhe kuadrot që i kemi përgatitë t’i dërgojmë jashtë vendit”, thotë Reçica.

Ai shprehet i bindur se vitin e ardhshëm, do të rritet edhe më shumë numri i atyre të cilët do të trajnohen për punë të përkohshme në Bashkimin Evropian. Të cilët, pas përfundimit të periudhës sa punojnë, të kthehen në vend.

Kurse kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka bërë të ditur se në krahasim më vitin e kaluar, në 2018-ën, Kosova pati mbi 15 mijë vende pune më pak, se në vitin 2017.

Sipas tij, kjo tregon se vendi nuk ka kaluar as në nivelin e vitit të kaluar të punësimit dhe ka një diferencë ekstreme me rajonin.

Krasniqi: Kosova po përballet me disproporcion në mes të kërkesës dhe nevojës

“Fatkeqësisht edhe këtë vit, mundësitë e të rinjve po janë shumë të vogla, për shkak se në Kosovë nuk ka një disproporcion në mes të kërkesës dhe nevojës. Institucionet e Kosovës, Qeveria dhe bizneset në përgjithësi nuk po arrijnë të kenë në treg atë që i nevojitet. Qeveria e Kosovës po vazhdon të krijojë kuadro të cilët nuk kanë treg pune, por vetëm po diplomojnë dhe po janë të pa punë”, ka thënë ai.

Në këtë pikë, Krasniqi thotë se janë të përkushtuar maksimalisht në përmirësimin e situatës që aktualisht po mbretëron, përmes arsimimit të kuadrove për tregun e punës.

Krasniqi: Nga 1.2 milionë qytetarë në moshë pune, janë vetëm 347 mijë të punësuar

“Jemi duke bërë një përpjekje të vazhdueshme me Qeverinë e Kosovës, që institucionet e Kosovës të arsimojnë kuadro për tregun e Kosovës, jo vetëm kuadro sa për sy e faqe, por, për nevoja të tregut. Në bizneset private ka nevojë të vazhdueshme për punëtorë, për kuadro të profileve të caktuara dhe ka mungesa, ndërkohë që papunësia është ekstrem e madhe. Sipas statistikave, papunësia është mbi 30 përqind, sipas statistikave të TM3, por praktikisht papunësia reale është mbi 70 përqind. Sepse nga 1.2 milionë qytetarë në moshë pune, janë vetëm 347 mijë të punësuar, që është një diferencë ekstremisht e madhe. Prej tyre, mbi 80 përqind janë femra”, shpjegon ai.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi thotë se për shkak të skemave sociale, nuk po mund të ketë fokusim të mjeteve buxhetore tek sektori privat gjë që do të ndikonte në rritjen e eksportit dhe rrjedhimisht edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Ai thotë se edhe kushtet e punës dhe informalitetit janë dy faktorë të tjerë që ndikojnë në shkallën e papunësisë.

Rukiqi: Janë për kritikë politikat sociale që i ka Kosova

“Unë jam kritikues i madh i këtyre politikave sociale që i ka Kosova. Jo vetëm si individ, por edhe si përfaqësues i sektorit privat sepse ne e kemi një barrë të madhe sociale për shkak të një pjese të mirë të buxhetit që shkon për skemat sociale, që unë besoj që është një barrierë edhe për reformim të tregut të punës, edhe për krijim të mundësive të reja tek të rinjtë”, u shpreh Rukiqi.

KosovaPress ka tentuar të kontaktojë edhe Odën Amerikane të Kosovës, për të trajtuar problemin e papunësisë në vend, porse një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndryshe, sipas të dhënave të ASK-së, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë (TM3) 2018 ishte 29.1 përqind.

Punësimi më i lartë ishte tek meshkujt (45.6 përqind), ndërsa punësimi te femrat ishte 12.6 përqind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.5 përqind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1 përqind.

Ndërsa sipas të dhënave që ASK pati publikuar në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2017, Kosova kishte shkallën e papunësisë prej 28.7 përqind, shifër kjo që është tejkaluar për 2 përqind vetëm deri në tremujorin e tretë të këtij viti.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test