Na ndiqni

Kosova

Përkujtohet Xhavit Ahmeti në 22 vjetorin e vdekjes

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 07:26
Xhavit Ahmeti

Kryesia e LDK-së sot në ora 11:00 do të bëjë homazhe te varri i veprimtarit Xhavit Ahmeti, në 22 vjetorin e vdekjes së tij.

Ahmeti pas dëbimit me dhunë nga objektet universitare të studentëve e mësimdhënësve shqiptarë, mbajti për studentët e Degës Fizikë-Kimi të SHLP të Prishtinës ligjëratat në lëndën Kimia e përgjithshme dhe inorganike. Krahas punës edukative-arsimore, ai është shquar me punën shkencore-hulumtuese.

Ai ka punuar në nëntë projekte shkencore-hulumtuese, ndërsa si absolvent ka qenë i angazhuar në projektin ndërkombëtar të UNDP. Ahmeti ka bërë një punë të frytshme shkencore. Me punimet dhe kumtesat e tij ai është paraqitur, si autor dhe koautor, në shumë revista, simpoziume dhe tubime shkencore. Ai ka botuar 24 punime shkencore, 27 kumtesa, në nëntë projekte ishte autor ose koautor, ndërsa mori pjesë edhe në përgatitjen e 7 teksteve shkollore që nga niveli i ulët e deri tek ai universitar. Punimet e tij shkencore-hulumtuese janë botuar në revista e buletine të ndryshme shkencore e profesionale. Një pjesë të rezultateve të tij shkencore Ahmeti i ka kumtuar në simpoziume, konferenca e kongrese me karakter ndërkombëtar.

Ahmeti ishte një veprimtar i dalluar në lëvizjen për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ai ishte një nga aktivistët e shquar për organizimin e Referendumit për pavarësi të Republikës së Kosovës më 1991 dhe u dënua për këtë shkak me dy muaj burg. Në zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare të Kosovës ai u zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës. Në Kuvendin II të LDK-së më 1994 ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Për disa vite Ahmeti ishte këshilltar për arsim i kryetarit të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova dhe njëri nga organizatorët e sistemit të arsimit të pavarur të Kosovës.

Xhavit Ahmeti, ka humbur jetën tragjikisht më 21 nëntor 1996, në Beograd, në një udhëtim zyrtar për arsimin shqip dhe hapjen e shkollave shqipe.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test