Na ndiqni

Kosova

LDK në koordinim me Vetëvendosjen për rrëzimin e Qeverisë?

Nga: Bota Sot Më: 2 janar 2018 Në ora: 08:29
ilustrim

Në ditën kur po tentohej shfuqizimi i Gjykatës Speciale u pa një përafrim i zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës me ata të Lëvizjes Vetëvendosje, për të kundërshtuar këtë veprim të pozitës, që rezultoi si i pasuksesshëm.

Derisa 43 deputetë kishin nënshkruar për shfuqizimin e kësaj gjykate, të cilën e votuan rreth 3 vjet më parë, ata të premten deshtën të zhbëjnë vendimin e tyre, gjë që u kritikua mjaftë shumë nga ndërkombëtarët.

Përfaqësuesit e miqve ndërkombëtarë, përfshirë këtu ambasadorin amerikan Delawie, atë Britanisë O’Conell, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe zyrtarët e Vetëvendosjes, u mblodhën në zyrat e LDK-së në Kuvend, për të treguar qëndrimin e tyre njëzëri.

Përafrimi edhe i mëtejshëm i dy partive opozitare, LDK e VV do të formonte një opozitë më të fuqishme se sa pushteti aktual, duke pas parasysh që së bashku do të formonin shumicën shqiptare në Kuvend.

LDK, koordinimin me Vetëvendosjen

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë se kjo parti do të vazhdojë të kordinojë veprimet e saj me ato të Vetëvendosjes, për të kundërshtuar dhe rrëzuar qeverinë aktuale.

“LDK do të tentoi në vazhdimësi t’i koordinoi veprimet me LVV në interes të kundërshtimit dhe rrjedhimisht rrëzimit të qeverisë më të keqe që ky vend e ka pasur ndonjëherë. Kjo posaçërisht kur treshja shtetshkatërruese tenton të zhbëj tërë atë që e kemi arritur me mund, djersë dhe gjak”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, Bajram Gecaj.

Por se a ka një gatishmëri edhe nga e Vetëvendosjes për të bashkëpunuar me LDK-në, ndonëse të kontaktuar, zyrtarët e kësaj partie nuk e kanë komentuar këtë çështje.

Veprim befasues

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj duke folur për seancën kur tentohej shfuqizimi i Speciales, thotë se veprimi i dy partive opozitare është për tu përshëndetur.

“Pozicionimi, në këtë rast institucionalist i dy subjekteve opozitare e posaçërisht LVV-je për mua pak befasues megjithatë duhet përshëndetur. Nëse politika kosovare, edhe përkundër dallimeve, gjënë rrugë bashkëpunimi në interes gë së mirës së përgjithshme, atëherë është për t'u përshëndetur dhe mund të themi që kanë qenë në krye të detyrës”, ka velësuar Duhanaj.

Ndërkaq, tentativën për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale, Duhanaj ka thënë se ishte një lloj aksioni kamikaz.

“Unë personalisht, nuk besoj që ka edhe një njeri të vetëm, shqiptar, që nëse do të pyetej  dëshira e tij, ta pohonte themelimin e një gjykate speciale. Këndej, analiza nuk duhet të bëhet nga këndvështrimi i tillë. Secili qytetarë, duhet ta pyes veten e tij. Çfarë bëra une? Dhe çfarë do duhej të.bëja ndryshe, që mos të vije deri të themelimi i kësaj gjykate? Për mendimin tim kjo gjykatë, është më së shumti produkt i yni. Madje ata që sot janë  më së shumti kundër themelimit të sajë, kanë dhënë kontributin me të madh që kjo sot të ndodhë”, ka theksuar ai.

Sipas Duhanajt, Kosova më nuk ka asnjë shancë për të penguar këtë gjykatë.

“Unë thëm assesi. Kosova është akter i papërfillshëm në marrëdhënien ndërkombëtare. Madje brishtësi e saj është aq e madhe sa që në rast mungese të mbështetjes së miqve ndërkombëtarë (sponsorizues) të vetë këtij shteti, ne as që do mbijetonim si shtet. Këndej ta vesh ekzistencën e vetë shtetit në rrezik, për shkaqe të tilla është akt kamikaz. Kosova e ka dëshmuar edhe para drejtësisë ndërkombëtare se UÇK ka bërë luftë çlirimtare dhe se nuk ka për se të shqetësohet. Nëse vërtetë ka ndonjë individ, që ka dicka për të fshehur, dhe tani, nga frika e lufton drejtësinë në emër të UÇK-së dhe Kosovës, kjo është e papranueshme. Ne si qytetarë, duhet të jemi në gjendje, madje edhe ta djegim vetën tonë, për interesin e përgjithshëm, e jo të ndodhë pikërisht e kundërta”, ka vlerësuar ai.

Mospajtime LDK-VV

Nga ana tjetër, analisti politik Skënder Zogaj thotë se LDK e Vetëvendosje kanë mospajtime sa i përket Gjykatës Speciale. Kështu sipas tij, LDK-ja është pro kësaj gjykate për të pastruar vlerat e luftës, derisa Vetëvendosja është kundër edhepse kësaj radhe ka refuzuar shfuqizimin e saj.

“Mospajtimet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosja për të marrë pjesë në miratimin e kërkesës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk janë motivuar nga qëllimi i rrëzimit të Qeverisë, por sepse dihet saktë, LDK është për funksionimin e Gjykatës Speciale, të cilën e konsideron të dobishme për pastrimin e vlerave të luftës nga krimet dhe kriminelët të cilët kanë shfrytëzuar rrethanat e luftës për qëllime përfitimesh të dhunshme politike dhe grabitje të pasurive materiale. Pra, LDK-ja është për Gjykatën Speciale, ndërsa VV edhe pse është kundër Gjykatës, kësaj radhe ka kundërshtuar kërkesën, sepse e konsideron qëllim e keq peticionin e SHVL-së dhe të një numri deputetësh që dikur e kanë votuar e tash e kërkojnë shfuqizimin e Gjykatës”, ka theksuar Zogaj.

Ai ka shtuar se LDK-ja dhe VV-ja janë mirëpritur nga ambasadat mike të Kosovës, të cilat shfuqizimin e Gjykatës e kanë quajtur "thikë pas shpinës" së diplomacisë ndërkombëtare dhe vendim të rrezikshëm për Kosovën.

“Situata e krijuar është nga më dramatiket e gjithë kohës së pasluftës dhe, padyshim që do të jetë me ndikim të madh në vazhdimin e qeverisjes së vendit. Këtë situatë është krejtësisht normale që, LDK-ja dhe VV-ja, por edhe partitë e tjera të përpiqen që ta shfrytëzojnë për marrjen e pushtetit. Mirëpo, në kontaktet e këtyre ditëve nuk mendoj LDK-ja dhe VV-ja të kenë folur edhe për bashkëpunime më afatgjate, gjë që nuk përjashtohen, ndonëse, unë mendoj se do të ishin gabim kardinal për LDK-në, së cilës pushteti i takon dhe kurrë njëherë nuk duhet ta kërkojë me koalicione, por fill e vetme, sepse ka aq numra në sofrën politike të Kosovës dhe duhet të bëhet më serioze që t'i rikthejë. Me këdo që bën koalicion, LDK-ja nuk merr më shumë, përkundrazi, humb numra, siç i ka ndodhur në të gjitha garat e deritashme lokale e qendrore. LDK-ja dhe VV-ja në asnjë rrethanë dhe për kurrfarë arsyeje nuk do të duhej të krijonin koalicion bashkëqeverisjeje, por pse, jo të përkrahin iniciativat e dobishme të njëra tjetrës, në çdo rast që është me interes për vendin”, ka përfunduar analisti Zogaj për “Bota sot”.

Bota Sot
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test