Na ndiqni

Kosova

Haradinaj: Të jemi të guximshëm dhe ta mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit

Nga: Mediat Shqiptare Më: 4 maj 2018 Në ora: 10:27
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kapaciteti i Qeverisë nuk është ende i mjaftueshëm për përkthimin e materialeve në gjuhët tjera zyrtare në Kosovë, andaj duhet të investohet më shumë në kuadër por edhe në resurse, në mënyrë që të mund të funksionohet me kohë në dy gjuhë zyrtare.

Haradinaj tha se jo çdoherë mbërrijë të ofrojnë materialin në gjuhën serbe për shkak të dinamikës voluminoze të materialeve.

Haradinaj: Të jemi të guximshëm dhe ta mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit

“Ka raste që dinamikat voluminoze të materialeve na vështirësojnë me qenë në kohë me materiale në gjuhën serbe, pra kapaciteti ynë nuk është ende i mjaftueshëm, ne duhet të investojmë shumë më shumë edhe në kuadër por edhe në resurse që të mund të funksionojmë në kohë dy gjuhë zyrtare. Ajo që është me rëndësi është me mësuar gjuhen e njëri tjetrit dhe mendoj që në Kosovë duhet të jemi të guximshëm ta mësojmë gjuhën e njëri tjetrit”, tha ai.

Drejtuesi i organizatës joqeveritare “Komunikimi për zhvillim të shoqërisë, Ivan Nikolliq tha se kur flitet për gjuhen dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve duhet të pranohet se në Kosovë gjithçka funksionon në mënyrën më të mirë.  

Nikoliq: Nuk respektohet ligji në 20 komuna

“Është më të vërtet për të ardhur keq që nuk ekziston asnjë komunë nga këto 20 komuna që kemi vizituar që plotësisht e respekton ligjin për gjuhët, nëse mbishkrimi është në shumë gjuhë, atëherë materialet i marrim në një gjuhë, edhe nëse materialet dhe formularët eksitojnë në shumë gjuhë, atëherë mbishkrimi në ndonjë drejtori nuk është në shumë gjuhë. Edhe nëse të gjitha këto plotësohen, zyrtarët që punojnë më së shumti me klientët nuk e flasin gjuhën e komunitetit tjetër, si do që të jetë është për të ardhur keq që 20 komuna që kemi vizituar, asnjëra nuk e respekton ligjin në tërësi“, tha ai.

Ndërsa, Meri Huws nga Uellsi i Britanisë së Madhe, e cila është komisionere për gjuhën uellsiane dhe kryetare në largim e Asociacionit, në fjalën e saj ka shprehur edhe kënaqësinë që po viziton Kosovën.

Huws: Është privilegj absolut që po e vizitoj Kosovën

“Është privilegj absolut që po e vizitoj Kosovën, dhe të shoh dhe të dëgjoj përvojat, siç i përshkruajti zoti Slavisa në mënyrë shumë elokuente për vitet e kaluara. E kemi parë me sy, e kemi dëgjuar me vesh gjatë këtyre ditëve kështu që ju falënderoj për këtë privilegj që ma dhatë për të vizituar Kosovën. Si kryesuese e asociacionit ndërkombëtar të komisionerëve të gjuhëve, dhe me përfundimin e misionit tim gjatë këtij viti është e natyrshme që të shikoj prapa dhe që ta shikoj këtë asociacion që është pesë vjet i vjetër, është asociacion shumë i ri, nuk jemi më foshnja, por ende nuk jemi rritur sa duhet”, ka thënë ajo.

Huws ka shtuar se pavarësisht dallimeve në mes të shteteve që janë pjesë e asociacionit, të gjitha shtetet punojnë për të drejtat gjuhësore në mënyrë të pavarur.

Të gjitha këto deklarime janë bërë në konferencën e pestë vjetore të Asociacionit ndërkombëtar të komisionerëve për gjuhët.

Në konferencë fokus të veçantë ka statusi i gjuhëve në shoqëritë e dala nga konflikti, avancimit të ofrimit të shërbimeve në gjuhët zyrtare përmes ofertës aktive, si dhe sfidave dhe mundësive të të mësuarit të gjuhëve zyrtare në arsim.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test