Na ndiqni

Kosova

Haradinaj: Pakoja e ligjeve për administratën publike, sfiduese

Nga: KosovaPress Më: 19 prill 2018 Në ora: 16:11
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria që ai drejton është duke punuar në përmbylljen e reformave të administratës publike, ndonëse e pranoi se ky proces është mjaft sfidues.

Ai këto komente i bëri në takimin ndërministror për reformën e administratës publike.

Kreu i Ekzekutivit tha se vazhdojnë të jenë sfiduese pakoja ligjore që përfshinë Ligjin për pagat, Ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin për Organizimin e Administratës Publike, ndonëse, sipas Haradinajt do të ketë edhe efekt buxhetor në nivelizimin e pagave.

Haradinaj: Është sfiduese pakoja e ligjeve për administratën publike

“E dimë se është sfiduese, do të na sfidon pakoja ligjore e ligjeve që definitivisht e normojnë ekzistencën tonë si administratë publike. Kur them ekzistencë, karakterizojnë, e definojnë, saktësojnë çdo gjë të funksionimit tonë, përfshirë këtu edhe vet aspektin buxhetor, pra nivelizimin e me radhë. Tani ne jemi më të përforcuar, sepse ministri Yagcilar mbetet aktiv në përgjegjësitë e veta, por e ka edhe përkrahjen time, të ministrive të tjera, sikurse të Ministrisë së Drejtësisë, por po ashtu edhe ndihma e Besniku Tahirit si koordinator, që nënkupton që ne e kemi marr seriozisht misionin tonë që kemi për reformë në administratën shtetërore. Jemi te vetëdijshëm se është punë komplekse, por po ashtu jemi serioz me e përmbyll këtë proces”, ka thënë Haradinaj.

Në cilësinë e kryesuesit të Këshillit ndërministror të Reformës së Administratës Publike, ministri Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka folur rreth ecurisë së procesit të reformës së administratës publike.

Ai tha Qeveria dhe institucionet e saja mbeten të angazhuara dhe të përkushtuara në obligimet që dalin nga plani kombëtar për zbatimin e  Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Agjenda e Reformave Evropiane dhe Strategjia Kombëtare për zhvillim.

Yagcilar: Ky do të jetë vit i hapave të mëdhenj në fushën e administratës publike

“Ky do të jetë një vit i hapave të mëdhenj në fushën e administratës publike. MAP siç është zotuar, në muajin qershor të këtij viti do të përcjellë në Qeveri pakon ligjore të tri ligjeve bazike të administratës publike, si Ligjin për pagat, ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin për organizimin e administratës publike, të cilat në raportin e publikuar nga SIGMA në muajin mars të këtij viti, janë vlerësuar si ligje më të avancuara që i adresojnë çështjet problematike për shoqërinë tonë”, ka thënë Yagcilar.

Ai ka shtuar se ka sinjale pozitive se Kuvendi i Kosovës do të përgjigjet në mënyrë efektive dhe pozitive miratimit të këtyre ligjeve pas aprovimit në qeveri.

Koordinatori për reforma në administratë, Besnik Tahiri, ka thënë se përmbyllja e tri ligjeve themelore është historike dhe se ka vullnet politik për përmbylljen e kësaj çështjeje kruciale.

Tahiri: Ekziston një vullnet politik për të përmbyllur reformën në administratë

“Kam parë se ekziston një vullnet politik për të përmbyllur një reformë, e cila përfundimisht do të normon hierarkinë institucionale të Republikës së Kosovës. Do t’i ofroj statusin juridik, do të nivelizojë pagën mbi parimin për punën e njëjtë, pagën e njëjtë dhe do të kthej administratën si shtyllën kryesore në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit evropian. Nuk kam asnjë dilemë që ekziston vullneti politik nga të gjithë akterët institucionalë. Ajo që e bën më të mirë këtë proces, është fakti se kemi mbështetjen e shoqërisë, kisha me thënë edhe të akterëve të tjerë parlamentar politik dhe në veçanti të shoqërisë civile”, tha Tahiri.

Ministri Yagcilar ndër të tjera ka shtuar se Raportin e Monitorimit për Kosovën për vitin 2017, SIGMA ka vlerësuar se krahasuar me vendet e rajonit, Kosova ka bërë përmirësime të dukshme dhe progres. /I. Shabani/

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test