Na ndiqni

Kosova

VV kërkon komision hetimor për demarkacionin, Haradinaj i del në mbrojtje AUV

Nga: KosovaPress Më: 18 prill 2018 Në ora: 11:12
Kuvendi i Kosovësi

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti tha se mishi i importuar në Kosovë nuk e plotëson asnjë standard.

Sipas tij, mishi i importuar mund të jetë i rezervave të ndonjë shteti, apo i ushtrisë që nuk i plotëson kriteret për konsum.

Haliti: Mishi i importuar në Kosovë është i rezervave të ndonjë shteti apo ushtrisë

“Dua t’ju them që ka mish, ka kilogram mishi që prodhohet në Amerikë dhe në Japoni, që quhet kobe që një kilogram mish e tillë kushton me së paku 540 euro kilogrami. Ne fuqia jonë, mundësia jonë nuk është që ta eksportojmë këtë lloj mishi, por edhe sikur të jetë mirë është ta kontrollojë edhe atë. Problemi është, krejt Evropa importon mish nga SHBA, Argjentina dhe Irlanda, kryesisht tri shtetet që e kanë mishin me të mirë që e përdorin evropianët. Por besoni ky mish prodhohet enkas me porosi për shtetet e veçanta ku do të përdoret dhe shtetet e veçanta të BE-së kanë standard së pari të ushqimit të gjedheve që kanë me ngrenë dhe pastaj kontrollojnë edhe qumështin dhe të mishit me standardet e tyre dhe pastaj e hedhin në treg. Mishi që ka ardhur në Kosovë, nuk është mish i Evropës. Është mish, po mendoj unë, i rezervave të ndonjë shteti, ushtrisë, ku di unë, që nuk i plotëson standardet për asnjë vend në botë që ta hanë njerëzit”, tha Haliti.

Deputeti Haliti tha se po flasin për mishin, por njëjtë të rrezikshme janë edhe perimet që hanë qytetarët, pasi janë me plot pesticide dhe janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve pas skadimit të afatit.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Milaim Zeka, tha se problemi në Kosovë është krijimi i sistemit gabim.

Ai ka thënë se vetë deputetët kanë shitore që shesin mish të prishur, firma ndërtimi e çka jo tjetër.

Zeka ka treguar edhe një rrëfim për një ish-ushtar të UÇK-së.

Zeka: Ka deputet që shesin mish të prishur

“Ka qenë një luftëtar, histori brilante, një snajper i UÇK-së, thoshte e merrsha në shenj me vra Zoranin, po thosha qysh me vra Zoranin kam shit cigare me të, kam bërë tregti të cigareve. Tak t’ia krissha Jovanit, thosha qysh me vra Jovanin që kam bërë biznes me të. Problemi është që me hi me bë njëfarë rëntgeni. Këtu gjysma e deputetëve dalin se kanë shitore, shesin vetë mish të prishur, shesin mallra të prishtë. Ka deputetë që kanë firma të ndërtimit, ndërtojnë lidhje e pa lidhje, që me ndodh ndonjë termet rrëzohemi të gjithë. Ka deputetë që merren me naftë, me barna, e këtu është problemi i sistemit, pra sistemi është krijuar gabim”, tha Zeka.

Sipas tij, udhëheqësit e AUV-it duhet shkarkuar, ose të japin dorëheqje. Deputeti Zeka tha se duhet shqetësuar edhe për hyrjen e miliona tonelatave të qumështit pluhur, duke mashtruar qytetarët se po prodhojnë qumësht origjinal.

Sipas deputeti Zeka, ‘këtu është rrjeti kriminal nga dogana deri tek Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës’.

Zeka po ashtu ka folur edhe për cilësinë e bukës, duke thënë se buka fryhet pesë herë mbi mesataren, derisa tharmi i bukës që përdoret për fryrjen e bukës është kancerogjen.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj kërkoi që të mos kryqëzohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës për skandalin me mishin e prishur, meqë sipas tij, në 33 komuna janë vetëm 11 inspektorë.

Mirëpo, deputeti Haradinaj theksoi se për këtë çështje ka rrjet të kriminalizuar, që sipas tij, nis prej pikës kufitare deri të marketet.

Ai ka paraqitur edhe disa statistika rreth asgjësimit të produkteve të importuara.

Haradinaj: Për 3 muaj u asgjësuan 160 mijë kilogram mish i kuq dhe i bardhë

“Vetëm për muajin janar-mars 2018 janë asgjësuar 81 mijë kilogramë të shumë produkteve ushqimore të natyrave të ndryshme, janë asgjësuar mbi 80 mijë kilogramë mish i kuq, kemi me mijëra kilogram mish i bardh, dhe të gjitha këto janë në institucionet përkatëse të hetuesisë. Ka pasur rreth 11 mijë mostra të cilat janë shkuar në laboratorë të ndryshme, prej tyre 1477 kanë dalë që nuk i plotësojnë kushtet me qenë në treg. Është e vërtetë që, sidomos këtë vit të bëjnë diçka, por gjendja nuk është hiq e kënaqshme. Pyetja është, se çka nëse e ndërrojmë menaxhmentin, a mundemi të arrijmë qëllimin që e kemi të përbashkët. Sipas informacioneve që posedojmë, vetëm 31 ditë Kosova ka kapacitete ta mbajë vetën me mish të kuq, e i bie që 11 muaj tjera e marrim jashtë”, tha Haradinaj.

Ai propozoi që në fund të debatit për skandalin me mish të prishur dhe cilësinë e ushqimit në Kosovë deputetët të dalin me një rezolutë dhe t’i obligojnë institucionet që të marrin masa në këtë drejtim.

Skandali i mishit të prishur, kërkohen masa konkrete për produktet e importuara

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Salih Salihu, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mishin e importuar, pas skandalit të fundit me mish të prishur në Kosovë.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se produktet pa afat dhe të prishura që po hyjnë në vendin tonë rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Salihu: Ushqimi i importuar po rrezikon shëndetin e qytetarëve

“Aktualisht Kosova importon sasi të madhe të ushqimit për të cilat besohet se nuk i përmbushin kriteret minimale për cilësi dhe siguri, pra janë jashtë çdo norme të cilësisë. Në këtë kuptim mallrat e ardhura në Kosovë besohet se prodhohen në linja të veçanta të dedikuara për tregun e Kosovës. Me mungesë të funksionimit të institucioneve të vendit, sidomos AUV-it si dhe doganave të Kosovës, vendi ynë është bërë poligon i futjes së mallrave me cilësi dhe siguri të ushqimit të ulët duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve tonë”, tha Salihu.

Deputeti Salihu ka akuzuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, duke thënë se nuk arriti të funksionalizohet që prej themelimit. Derisa, shefi i AUV-it Valdet Gjinovci, sipas tij, po arrin mirë t’i menaxhojë skandalet e njëpasnjëshme që po i shkakton ky agjencion./B.Syla/

Kuvendi i Kosovës po debaton për skandalin e mishit në Kosovë, i thirrur nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu dhe e përkrahur nga deputetët e tjerë. Deputetja Musliu tha se është dezinformuar shumë opinioni publik dhe janë dëmtuar edhe ata prodhues vendorë, të cilët ofrojnë produkte cilësore në Kosovë.

Ajo ka lavdëruar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, e cila nuk e ka lejuar hyrjen e mishit të prishur nga Belgjika, në dy raste, në shtator 2016 dhe në gusht të vitit 2017, ku në të dyja rastet ky mish është zbuluar dhe asgjësuar nga inspektorët e Agjencisë.

Musliu: Qytetarët janë të rrezikuar nga produktet ushqimore që importohen

“Raportimet e tilla nëpër media tregojnë më së miri për gjendjen e rëndë të sigurisë së ushqimit në Kosovë dhe kërkojnë vëmendje urgjente nga institucionet e vendit në përgjithësi. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë për kundër vullnetit, dhe profesionalizmit që kanë, për shkak të kapaciteteve të mangëta nuk arrin të plotësojnë mjaftueshëm nevojat e kontrollit të ushqimit në Kosovë. Dikush mundet edhe t’i quajë të dështuara përpjekjet e Agjencisë për të pas në kontroll sigurinë e ushqimit, por do të ishte e padrejtë që gishti të drejtohet vetëm te bartësit e këtij institucioni dhe stafit të tij. Secili nga ne duhet te angazhohemi dhe t’i përmbushim detyrat që jemi të obliguar t’i kryejmë. Qytetarët janë të rrezikuar çdo ditë nga produktet ushqimore që importohen në Kosovë. Toksinat, pesticidet, metalet e rënda, hormone, antibiotik e shumë element tjerë kancerogjen janë rrezik permanent për shëndetin tonë”, tha Musliu.

Sipas saj, një kujdes i veçantë dhe kontroll i rregullt duhet të bëhet edhe në thertoret vendore, të cilat janë rrezik potencial për bartjen e sëmundjeve të ndryshme.

Pas këtij debati, deputetja Musliu ka propozuar votimin e një mocioni me disa pika.

Musliu: Masat që duhet të merren

“Të bëhet plotësimi ndryshim i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili në mënyrë formale-juridike mundëson transferimin e të gjithë inspektorëve përkatës dhe kompetent nga niveli lokal tek niveli qendror. Mbështetje më të madhe buxhetore për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në realizimin e mandatit të saj, si dhe në veçanti të ndahet buxhet në mbështetje në linjat e caktuara për pajisjet e nevojshme dhe te sofistikuara për trupat inspektuese për mbështetjen e kontrolleve zyrtare. Avancimin e mëtejshëm të metodave testuese në përputhje me standardet dhe kërkesat e kohës, ku padyshim rezultatet e tij janë tregues i performancës së kontrolleve zyrtare nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes mostrave zyrtare dhe Sistemeve të VET-Kontrollit nga Operatorët e Biznesit me Ushqim përmes mostrave të VET Kontrollit. Të nxisim bashkëpunimin nga niveli Qendror tek ai Lokal për konsolidimin e Zyrave Regjionale të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, Të zhvillojmë kampanja vetëdijësuese për qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm për ushqimet që zgjedhin ti konsumojmë. Mbështetja e Agjencisë me personel profesionale, konkretisht me inspektorë e veterinarë”, u shpreh ajo.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, theksoi se qytetari i Kosovës ushqehet me ushqimin më të shtrenjtë në Evropë, por me cilësinë më të dobët për shkak të importuesve dhe për shkak se institucionet janë të korruptuara.

Ajo ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të japë sa më shpejt dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje për të zgjidhur problemet  me të cilat përballet.

Gaxherri: Institucionet kanë obligim të ofrojnë siguri për produktet ushqimore

“AUVK dhe Inspektorati komunal janë përgjegjës jo vetëm për cilësinë e ushqimit por edhe për higjienën e institucioneve publike dhe private, janë përgjegjës për shëndetin e kafshëve, peshqve, shpezëve, për ushqimin e tyre, ky popull ka të drejtë të ushqehet sigurt dhe me ushqim cilësor. Ndërsa institucionet tona kanë obligim të ofrojnë siguri dhe cilësi për vendin e jo të bëjnë pazare e të korruptohen duke rrezikuar jetën e popullatës. LDK kërkon nga organet përgjegjëse që të respektohet ligji, kërkon nga organet e drejtësisë të merren me këtë fushë seriozisht edhe mos të bëhet pjesë e krimit të organizuar, i cili po e shkatërron popullatën dhe po e gërryen vendin. LDK është tejet e shqetësuar dhe skeptike që kjo qeveri do të merret me luftën e këtyre dukurive, sepse po i bie se do të ishte marrë me luftimin e vetvetes. Andaj, ne kërkojmë që kjo qeveri sa më shpejt të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje për të pasur zgjidhje të problemeve kuptohet në krye me LDK-në”, tha deputetja Gaxherri.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se Qeveria nuk po merret me temat e rëndësishme për vendit andaj edhe qytetarët po ballafaqohen me ushqim jo të duhur.

Ajo ka thënë se mediat kanë sensibilizuar qytetarët duke e paraqitur skandalin e mishit, andaj ka kërkuar raportim nga AUV për skandalin e mishit dhe produkteve të tij.

Deputetja e LDK-së, ka thënë se nuk ka marrë përgjigje relevante nga raportimi nga kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci. Ajo ka thënë se Gjinovci ka dërguar material prej 8 faqesh informacion në lidhje me vitin 2017, duke qenë i mangët dhe pa informacione bazë.

Tutje, Gaxherri tha se inspektimet janë në numër të vogël, në tregjet e vendit.

“Kemi probleme edhe me qumështin dhe produktet e tij, siç ishte problemi me vajin e palmës”, thotë ajo.

Gaxherri ka thënë se organet e drejtësisë të merre me seriozisht me këtë dukuri.

“Produktet vendore janë më të sigurta sesa ato të importuesit, andaj Qeveria duhet t’i ofroj mundësi produkteve vendore, dhe të kufizoj dhe të sanksioni importuesit”, thotë më pas ajo.

Musliu: Qytetarët po rrezikohen çdo ditë nga produktet e importuara

Ganimete Musliu inicuese e debatit parlamentar për skandalin me mishin e prishur që është importuar nga Belgjika, ka  thënë se pamjet e tmerrshme të shfaqur në media ka shqetësuar qytetarët.

Ajo ka thënë se ky mish është tentuar të hyjë në Kosovë për herë të parë në vitin 2016.

Musliu ka thënë se mishi i prishur është asgjësuar në dy raste nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Sipas saj, kjo çështje kërkon vëmendje të veçantë. Ajo ka thënë se qytetarët janë të rrezikuar me produktet që importohen në Kosovë.

Musliu ka thënë se duhet të bëhet hetim edhe tek thertoret vendore.

Ajo ka propozuar edhe disa rekomandime lidhur me mbrojtjen e qytetarëve, për tu ofruar ushqim të sigurt.

VV kërkon komision hetimor për demarkacionin

Është tërhequr nga rendi i ditës në seancën plenare, debati parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Shefi i këtij grupi parlamentar, Glauk Konjufca, tha se ka kaluar më shumë se një muaj prej se është dërguar kërkesa për debat, ku më pas kaloi demarkacioni dhe VV e ka dërguar në Kushtetuese marrëveshjen për demarkacionin.

Ai tha se nuk mund të debatojnë pa qenë edhe kryeministri i vendit prezent.

Konjufca: Kuvendi duhet të formojë komision hetimor për demarkacionin

“Kryeministri sërish nuk është këtu. Ky debat nuk do të mund të mbahet, konsideroj pa kryeministrin. Megjithatë mendoj që nevojitet krijimi i një komisioni hetimor parlamentar sa i përket demarkacionit. Edhe pse demarkacioni ka kaluar, Gjykata Kushtetuese është duke e shqyrtuar lëndën tonë. Përveç kësaj, ne mendojmë që janë bërë shumë gabime dhe do të kishte qenë mirë që Kuvendi ta hetojë tërë procedurën prej kur kanë filluar negociatat të dy komisioneve shtetërore. Kështu që kjo do të kishte qenë me së miri të shtyhet si debat dhe si miratim i kësaj rezolute”, tha Konjufca.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë seancën e ndërprerë. Në seancë do të ketë debat për disa çështje pastaj do të shqyrtohen dhe votohen disa projektligje dhe komisione, por nuk pritet të mbahen katër interpelancat e kryeministrit, Ramush Haradinaj, pasi ai aktualisht po qëndron në një konferencë në Maqedoni.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test