Na ndiqni

Kosova

“Harrohen” temat e mëdha

Nga: lajmi Më: 7 janar 2018 Në ora: 23:22
Ratifikimi i demarkacionit

Ratifikimi i demarkacionit, liberalizimi i vizave, krijimi i Ushtrisë e zgjidhja e problemit të Asociacionit kanë qenë disa nga çështjet kryesore të cilat edhe gjatë fushatës, por edhe pas marrjes së pushtetit janë cilësuar si prioritet nga qeveria Haradinaj.

Përderisa tash e disa kohë kjo qeveri ka kaluar 100 ditëshin e qeverisjes, të gjitha këto tema duket se kanë mbetur ende në sirtarë.

Demarkacioni vazhdon të mbetet problematik dhe me gjasë nuk do të ketë vota për miratim në Kuvend, çka do të sjellë edhe pengesë në liberalizimin e vizave.

E Ushtria pa përkrahjen e Listës Serbe gjithashtu duket larg. Se tema e transformimit të FSK-së ende është në pritje, e tha edhe vet Haradinaj që dje konfirmoi se me serbët nuk ka pasur diskutime për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovë.

Duke parë këto zhvillime, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri thotë për lajmi.net se me këtë qeveri nuk priten vendime të mëdha dhe as ndryshime pozitive.

Ajo ka thënë se LDK-ja po punon që të mos ketë regres, pasi qeveria Haradinaj po ndërmerr “veprime avantureske”.

“Në bazë të realitetit dhe të veprimeve të kësaj qeverie shohim se nuk kemi absolutisht të drejtë të presim vendimeve të mëdha dhe ndryshime të mëdha pozitive. Ne si LDK po punojmë që vendi të mos ketë regres prapa, sepse e shhoim qe kjo qeveri ka veprime avantureske dhe që janë të rrezikshme për vendin, prandaj tashmë jemi në një situatë të paprashikuara”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Gaxherri thekson se vendi do të shkojë në zgjedhje shumë shpejt, pasi udhëheqja aktuale po rrezikon vendin.

“E kemi ditur  se ky kombinim është shumë i dëmshëm për vendin, por s’kemi mujt me prit guximin apo mosdijen për me shku deri këtu me marrë vendime të tilla çfarë po përmenden ditëve të fundit. Sinqerisht ne me të drejtë edhe kemi obligim që të punojmë shumë, që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejtë”, ka thënë Besa Gaxherri.

Të vështirë përfundimin e temave të mëdha po e sheh edhe analisti politik, Imer Mushkolaj.

Ai thotë për lajmi.net se koalicioni ka probleme brenda vetes, çka do të ketë sfidë të përfundojë zgjidhjen e disa çështjeve më të rëndësishme.

“Do të jetë problem, ende nuk janë ballafquar me temat e mëdha, qysh po shihet ata kanë probleme edhe brenda koalicionit të vetë për këto tema, kështu që sbesoj që do të zgjidhen me lehtësi dhe do ta kenë kogja sfidë me i përfundu”, ka thënë analisti politik.

Mushkolaj propozon që për këto tema si Ushtria apo Demarkacioni, duhet të ketë një koncensus me opozitën, gjë për të cilën sipas tij Haradinaj ende nuk ka treguar vullnet.

“Nuk është e mundshme që këto tema me u përfundu nëse nuk gjindet një koncesus me opozitën por qysh po shihet deri tash qeveria Haradinaj nuk e ka treguar vullnetin e gjithpërfshirjes mirëpo ende është në fillime dhe po pret se çfarë do të ndodhë. Qeveria duhet të marrë iniciative serioze, bashkë me opozitën të zgjidhë këto tema, përndryshe do të jetë shumë e vështirë”, përfundon Imer Mushkolaj.

Ndryshe, partitë opozitare vazhdimisht po paralajmërojnë se qeveria Haradinaj ka gjasa të rrëzohet në pranverë.

E Haradinaj ditë më parë në një intervistë për lajmi.net ka thënë se për aq kohë sa është në pushtet, do të punojë vetëm për të mirën e qytetarëve.

lajmi
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test