Na ndiqni

Intervista

Me diplomaci nuk qëndrojmë mirë, gjasat që liberalizimi të ndodhë vitin tjetër janë shumë të vogla

Nga: Albulenë Muji Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 18:49
Gentiana Fana

Të rinjtë shqiptarë çdo ditë e më shumë po na bëjnë krenar për të arriturat e tyre. Gentiana Fana, është një grua e re e diasporës që ka arritur që të jetë Këshilltaren për rini e Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar Kitarovic.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ajo ka treguar se si ka arritur që të bëhet pjesë e zyrës së presidentes kroate, po ashtu ka folur për kontributin e saj për të rinjtë kësaj në Kroaci. 25 vjeçarja e cila ka prejardhje nga komuna e Drenasit, ka folur për marrëdhëniet e Kroacisë me Kosovës, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, për rolin e gruas në politikë dhe ka kërkuar që në Parlamentin e Kosovës të ketë ulëse edhe për diasporën.

“Bota sot”: Si jeni bërë pjesë e  presidencës së Kroacisë?

Gentiana Fana: Gjatë fushatës për garën presidenciale, presidentja ka premtuar që një nga qëllimet e saj është të formojë Këshillin Rinor në zyrën e saj. Për t'u bërë pjesë e Këshillit Rinor është dashur të kalojmë disa intervista por edhe të dërgojmë dokumentet përcjellëse  Pas intervistës së suksesshme dhe për shkak të angazhimeve të shumta dhe përvojës të gjatë u zgjodha si një nga këshilltaret në Këshillin Rinor nga vet presidentja dhe kabineti i saj.

“Bota sot”: Si ju bën të ndjeheni dhe cila është përgjegjësia juaj në këtë pozitë që jeni tani?

Gentiana Fana: Përgjegjësia ime por edhe e të tjerëve është që të flasim për problemet që ka rinia kroate, të kontaktojmë institucionet përkatëse dhe të ju japim rekomandime për zgjedhjen e problemeve më të cilat ballafaqohet rinia. Në momentin kur e shohim ose caktojmë problemin i kontaktojmë institucionet dhe organizojmë tryezë të rrumbullakët ku mblidhen institucionet, të rinjtë e prekur nga ai problem dhe vetë kryetarja dhe se bashku gjejmë zgjidhjen më të mirë. Është një ndjenjë e papërshkrueshme, të them drejtën. Kur dëgjoni problemet me të cilat ballafaqohen shumë të rinj dëshironi të ju ndihmoni dhe është një ndjenjë e veçantë kur keni përkrahjen e kryetares për këtë.

“Bota sot”: Cili ishte motivi i përfshirjes suaj në garën për tu bërë këshilltare për rini të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar Kitarovic?

Gentiana Fana: Mundësia për të qenë pjesë e kabinetit të presidentes në moshë të re është një ofertë  e cila nuk troket shpesh në derë. Motivi im ka qenë dëshira për të ndryshuar diçka, dëshira për të ndihmuar rininë dhe për të qenë pjese e proceseve kyçe në këtë sferë. Nga ana personale, motivi ka qenë që të krijoj më shumë përvojë dhe eksperience në jetën politike në Kroaci.

“Bota sot”: Pasi të përfundoni  mandatin tuaj si këshilltare për rini të Presidentes së Kroacisë a do të kyçni në politiken kroate?

Gentiana Fana: Qëllimi dhe dëshira për t'u kyçur ekziston por kjo varet nga shumë faktorë të ndryshëm. Sidoqoftë, shpresoj që idetë dhe planet që kam për t'u kyçur në politikën kroate dhe evropiane do të realizohen.

“Bota sot”: A keni pasur ndonjë ofertë që të bëheni pjesë e partisë së presidentes Grabar- Kitarovic apo ndonjë partie tjetër?

Gentiana Fana: Kam pasur oferta nga disa parti por për shkak të rolit në zyrën e presidentes më së shumti bashkëpunoj me partinë në të cilën ka qenë ajo para se të jetë zgjedhur në pozitën e saj. Si rezultat i këtij bashkëpunimi por edhe punës sime jashtë partisë, e përfaqësoj Kroacinë në disa projekte, organizata dhe institucione ndërkombëtare siç janë Komisioni Evropian, YEPP, IAPSS, etj.

“Bota sot”: Sa kanë hapësirë që të përfshihen në sfera të ndryshme të rinjtë shqiptarë në Kroaci?

Gentiana Fana: Kemi fatin që Kroacia ka ligjet e fuqishme për mbrojtjen e gjitha pakicave që ofron hapësirë dhe mundësi për përfshirjen e të rinjve në sfera të ndryshme. Në Kroaci kemi shumë të rinj të cilët na bëjnë krenarë me sukseset e tyre në fushat e ndryshme si mjekësia, edukimi, letërsia, sporti, etj.

“Bota sot”: A mund të na e përshkruash rrugëtimin tënd deri tek pozita në të cilën jeni tani?

Gentiana Fana: Që nga koha kur isha fëmijë e dija që kjo është rruga të cilën dua ta ndjek kështu që rrugëtimi im për këtë pozitë ka filluar që në shkollën fillore ku isha aktive në programe dhe aktivitete të ndryshme. Me fillimin e studimeve fillova ta përfaqësoj Kroacinë në disa konferenca ku pata mundësinë të njoftoi shumë të rinj nga e gjithë bota. Pak nga pak u dëgjua për mua edhe jashtë mureve të fakultetit dhe jashtë kufijve të Kroacisë. Sot udhëheq disa organizata evropiane dhe ndërkombëtarë si dhe përfaqësoj Kroacinë në institucione të ndryshme. Rruga deri këtu nuk ka  qenë aspak e lehtë dhe ka kërkuar shumë punë dhe investime në edukim si dhe shumë net pa gjumë që nuk numërohen dot.

“Bota sot”: A përfaqësohet mjaftueshëm zëri i diasporës shqiptare në Kosovë?

Gentiana Fana: Kemi shumë të rinj anembanë botës që mund të ndihmojnë me eksperiencën që kanë por nuk ju japim hapësirë sa duhet ose nuk kemi dëgjuar për ta. Më vjen shumë keq pasi që është shumë me rëndësi që diaspora shqiptare ta këtë zërin e saj në Kosovë dhe dëshira ime që Kosova ta përcjellë shembullin e Kroacisë e cila ka tri vende në parlament të rezervuara për diasporën Kroate.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Gentiana Fana: Kur e krahasojmë gjendjen politike para disa vitesh dhe tani po shihen disa ndryshime sa do të vogla që janë. Në analizë të politikës në Kosovë dhe rajon duhet të marrim parasysh faktin që lufta ka mbaruar para dy dekada dhe që deri para një dekade nuk kemi qenë shtet i pavarur. Për këtë arsye, ndryshimet që presim nuk mund të ndodhin brenda natës dhe duhet kohë.
Gjithashtu është shumë me rendësi të vetëdijesohen qytetarët dhe të kuptojnë që vota e tyre i sjell në pozita elitat politike dhe vota e tyre mund t'i largojë.
Përveç kësaj, kritika ime më e madhe shkon drejt përfaqësimit të grave në skenën politike. Është e dhimbshme që kemi vetëm një grua në Qeveri si dhe që kryetari i Kosovës, sipas informacioneve në faqen zyrtare, nuk ka asnjë femër këshilltare në kabinetin e tij. Kosova ka shumë femra dhe gra te suksesshme dhe zëri i tyre duhet të përfaqësohet dhe dëgjohet në çdo nivel politik. Mirëpo, shpresoj që edhe kjo të ndryshojë së shpejti.

“Bota sot”: Si janë raportet ndërmjet që Kroacisë dhe Kosovës aktualisht?

Gentiana Fana: Kroacia e ka përkrahur dhe gjithmonë do e përkrah Kosovën. E konsiderojmë shtetin e Kosovës si shtet mik dhe partner në rajon. Për  fat të keq, ende ekziston frika e investimeve në Kosovë por komuniteti shqiptar në Kroaci po punon në këtë drejtim dhe qëllimi është që numri i investimeve kroate të jetë edhe më i madh.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane?

Gentiana Fana: Kosova ka numrin me të madh të ligjeve në përputhje me ligje evropiane kështu që de iure Kosova është mjaft e suksesshme në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Mirëpo, de facto, integrimet e suksesshme varen edhe nga politika e brendshme dhe nga diplomacia e Kosovës e këtu nuk qëndrojmë aq mirë sa duhet. Fakti që 5 shtete të BE-së ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës e komplikon integrimin evropian të Kosovës.

“Bota sot”: Sa ka gjasa që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza vitin që po vjen?

Gentiana Fana: Largimi i vizave prapë varet edhe nga suksesi i diplomacisë dhe negociatave nga ana jonë. Deri tani nuk ka qenë mjaft i suksesshëm për arsye të ndryshme për të cilat mund të fajësohen edhe Kosova por edhe BE. Liberalizimi i vizave është një proces jashtëzakonisht i komplikuar, burokratik dhe i gjatë e Kosova ende nuk është as në gjysmën e këtij procesi. Dyshoj që liberalizimi do të ndodhë këtë vit i cili gati mbaroi. Sa i përket vitit tjetër, situata është e komplikuar për dy arsye - zgjedhjet në BE dhe largimi zyrtar i Britanisë nga BE. Këto dy probleme janë fokusi i BE-së për momentin dhe liberalizimi i vizave do të varet nga zgjedhjet e BE-së. Kur e marrim parasysh që ndryshimi i kabineteve dhe zyrtareve brenda BE-së ndodh disa muaj pas zgjedhjeve, gjasat që liberalizimi do ndodhë vitin tjetër janë shumë të vogla.

“Bota sot”: Si fillon një ditë e juaja e zakonshme?       

Gentiana Fana: Çdo ditë e imja, pavarësisht se ku ndodhem, fillon me maila dhe mesazhe të cilëve u përgjigjem në mëngjes. Pasi që punoj dhe bashkëpunoj me njerëz nga e gjithë bota, çdo mëngjes më presin shumë mesazhe dhe maila zyrtare të cilëve mundohem t'iu përgjigjem sa më shpejt. Pas përgjigjeve dhe kontakteve, lexoj lajmet nga mediat e ndryshme kroate, shqiptare dhe botërore. Pjesa tjetër e ditës varet nga obligimet që kam dhe në cilin shtet ndodhem.

“Bota sot”: Cilat janë pasionet e tjera tuajat?

Gentiana Fana: Përveç politikes, jam adhuruese e madhe e librave, sidomos poezisë dhe literaturës klasike. Poe, Dostoyevski, Tolstoy, Orëell janë vetëm disa nga autoret e famshem të cilët i adhuroj. Duhet të pranoj që lexoj edhe shumë autor politik siç janë Kissinger, Zakkaria, Ferguson, Huntington, etj.
Pasion i kam dhe filmat e vjetër nga vitet e arta të Hollyëood si “Psycho” i Alfred Hitchcock, “Mr. Smith goes to Ëashington” nga Frank Capra ose “The Aëful Truth” nga Leo McCarey. Përveç filmave bardh e zi, jam fanse e madhe e serialeve dhe filmave të vizatuar.
Gjithashtu jam fanse e madhe e teatrit dhe mundohem të gjejë sa më shumë kohë për shfaqje të ndryshme.

“Bota sot”: Kush ju ka përkrahur më së shumti në rrugën që keni nisur?

Gentiana Fana: Përkrahja më e madhe, pa dyshim, gjithmonë kanë qenë prindërit dhe po të mos ishin ata nuk do isha këtu ku jam sot. Gjithmonë ishin dhe janë pranë meje dhe japin këshillat më të mira. Përkrahje e fuqishme ishin dhe motrat e vëllai të cilët besuan në mua edhe atëherë kur unë nuk besoja. Përveç familjes, kisha fatin të kem përkrahje të madhe edhe nga komuniteti shqiptar në Kroaci.
 

“Bota sot”: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Gentiana Fana: Mundohem të mos bëj shumë plane pasi që shumica e tyre nuk realizohen siç kemi dëshirë. Sidoqoftë, qëllimi im është të jem më aktive në politiken kroate dhe evropiane si dhe të jem aktive në diplomaci. Në të ardhmen e largët, dua të kthehem në Kosovë dhe të ndaj eksperiencën time më të tjerët.

“Bota sot”: Për fund cila është porosia jote për të rinjtë shqiptarë në Kosovë dhe Diasporë?

Gentiana Fana: Mesazhi im për çdo të ri është që të mos ndalen asnjëherë nga qëllimet që kanë sa do vështire që është. Asnjë sukses nuk vjen lehtë dhe kërkon punë të pandalshme por me rendësi është që të mos dëshpërohen në atë rrugëtim dhe të ecin përpara.

Image
Gentiana Fana me Presidentin e Kosoves, Hashim Thaçi, Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitarovic
Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test