Na ndiqni

Intervista

Berisha: Çdo pazar me Beogradin për territor të Kosovës, është një gjymtim i sovranitetit të saj

Nga: Bota Sot Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 10:27
Sali Berisha

Ish Kryeministri i Shqipërisë dhe Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se 10 vjetori i Pavarësisë, po e gjen Kosovën, më mirë se asnjëherë në historinë e saj. Në intervistën ekskluzive për Gazetën “Bota sot”, Berisha, thotë se vendi i pashmangshëm i Kosovës, është në Bashkimin Evropian. Po ashtu, Berisha komenton edhe idetë e fundit për shkëmbim territoresh. Sipas tij, çdo pazar me Beogradin për territor të Kosovës, është një gjymtim i integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, me pasoja të rrezikshme për Kosovën dhe rajonin.

“Bota sot”: Z. Berisha, ky 10 vjetor i Pavarësisë së Kosovës, sipas juve si po e gjen Kosovën?

Sali Berisha: Ky 10-vjetor i pavarësisë e gjen Kosovën më mirë se kurrë në historinë e saj, më të lirë së kurrë, të pavarur duke ndërtuar lirinë dhe pavarësinë e saj. Kështu që mund të thuhet se projekti gjenial i arkitektit të saj, Presidentit Rugova, Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për t’u bërë të pavdekshëm për një Kosovë të lirë dhe të pavarur,është bërë realitet dhe udhëtim i sigurt drejt të ardhmes në BE dhe NATO.

“Bota sot”: Cilat janë dallimet nga viti 2008 krahasuar me 2018?

Sali Berisha: Dallimet janë shumë të mëdha dhe thelbësore. Sot kemi një shtet që lindi 10 vite më parë dhe që ka provuar se është i afte, i Zoti të ecë i pavarur. Kosova është pa mëdyshje një faktor paqe dhe stabiliteti në rajon. Kemi një vend të pavarur që e kanë njohur si të tillë mbi 95% të vendeve të lira të botës dhe në tërësi rreth 115 vende, një vend që këto 10 vite po ndërton një infrastrukturë moderne dhe që pavarësisht nga vështirësitë serioze me të cilat përballen qytetarët e saj, Kosova ka një ekonomi vibrante me rritjen më të lartë në rajon. Theksoj këtu se kjo rritje nuk bazohet në kanabisin apo drogat e tjera si në Shqipëri, por në mundin, djersën e qytetarëve të Kosovës dhe reformave të autoriteteve të saj.

“Bota sot”: Sa janë gjasat për Kosovën që të hyjë në BE?

Sali Berisha: Në vlerësimin tim, me gjithë vështirësitë e kuptueshme, vendi i Kosovës pashmangshëm është në BE.

“Bota sot”: Si i komentoni deklaratat fyese të Edi Rames karshi Presidentit, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit?

Sali Berisha: Mendoj se ajo deklaratë ishte denigruese dhe e papranueshme e banale që bëhej nga pozita paternaliste arkaike. Në sistemet totalitare është e zakonshme kafshërimi i kundërshtarëve pra, etiketimi i tyre si majmun, qenë, gomarë, mushkë  etj. etj. Ky fjalor nuk mund të përdoret asnjëherë ndaj udhëheqjes së një vendi. Unë nuk kam qenë dakord dhe kam shprehur qëndrimin tim për nismën e shfuqizimit të gjykatës, por terma fyese për të shprehur kundërshtinë janë të papranueshme. Prandaj mendoj se Rama duhet të kërkoj ndjesë publike për fyerjen e tij.

Më shumë
Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test