Na ndiqni

Intervista

Deputetja e LDK-së flet për zbulimin e vrasjeve politike, tregon qëndrimin e LDK-së për demarkacionin

Nga: Bota Sot Më: 27 janar 2018 Në ora: 10:56
Valentina Bunjaku Rexhepi

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi, konsideron e se vrasjet e pasluftës janë njolla e zezë e vendit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ajo ka deklaruar se këtë njollë nuk mund ta largojnë ata që kanë bërë krime dhe sot janë në pushtet”. Deputetja Bunjaku Rexhepi, vlerëson se Qeveria Haradinaj, do ta rrezojë vetveten.

”Bota sot”: Kur do të fillojë LDK-ja mocionin e saj për rrëzimin e Qeverise Haradinaj?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK-ja siç e dini është partia e cila interesat e vendit dhe ato qytetare i shqyrton dhe i vendos para atyre partiake. Ne si opozite përcjellim dhe vlerësojmë punën e qeverisë, kritikojmë dhe sugjerojmë punën e saj. Qeveria Haradinaj, qartë po shihet se nuk e ka prioritet zhvillimin e vendit, integrimin e saj në bashkimin evropian  dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbyll sytë para kësaj gjendjeje. Mocionin për rrëzimin e saj do ta fillojmë në momentin kur të kemi numrat, por si duket kjo qeveri do ta rrezojë vetveten, në këtë rast po mendoj me partnerët qeverisës.

”Bota sot”: A  prisni mbështetjen e VV-së?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Opozita gjatë mandatit të kaluar, bëri gjithçka për të rrëzuar qeverinë Mustafa. Vetëvendosje në atë mandat pati rolin dominant duke përdorur veprime të dëmshme për vendin. Ata përdoren mjete dhune, forcë të paparë dhe ne ishim dëshmitarë të asaj katrahure, qëllimi i të cilave veprime solli rrëzimin e saj, kthim mbrapa dhe një gjendjet të re tani. LDK nuk mundet të veprojë më metoda të njëjta, ne kemi program dhe parime tjera të cilat janë institucionale, ndërsa tani edhe në Vetëvendosje nuk është i njëjti qëndrim. Institucionet e vendit krijohen, vetëm në metoda të mirëfillta dhe demokratike andaj edhe mbështetja e VV karshi LDK-së mund të bëhet vetëm në parime të tilla dhe në asnjë formë tjetër.

”Bota sot”: Si e komentoni 100 ditëshin e qeverisë Haradinaj?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Qeverisja Haradinaj, dëshmoi për 100 dite dështimin e saj. Shumë skandale, favore partiake dhe forma degraduese të zhvillimit. Vetë mënyra e formimit të saj nënkuptoi se sa e qëndrueshme mund të jetë. Janë bërë banale me emërimet e numrit rekord të ministrave, zv. ministrave, bordet e shumta nëpër ndërmarrje publike. Rritja e pagave në kundërshtim me realitetin qytetarë, shpenzimet enorme nëpër festa e gjithçka tjetër. Çdo ditë presim ndonjë skandal të radhës dhe e gjithë kjo gjendje ka një emërues të përbashkët, Dështim.

”Bota sot”: Pse LDK-ja nuk e ka formuar ende një komision që heton vrasjet e pasluftës?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Vrasjet e pasluftës janë plaga më e rendë e LDK-së dhe e vendit në epokën e re. Dora e zezë me vrasjet e njerëzve dhe veprimtareve  më të çmuar i dha një goditje të rëndë vendit. LDK nuk e besoj që mundet pa faktorin ndërkombëtar të formoj një komision për hetimin e këtyre vrasjeve. Një komision i tillë, nuk ka mundur të kryejë një mision të tillë derisa kriminelet enden të lirë kudo, madje urdhërdhënësit e tyre si duket gjenden edhe nëpër institucione të vendit. Ne nuk mundemi të paragjykojmë përderisa drejtësia ndërkombëtare nuk e merr në dorën e saj dhe në bashkëpunim me vendorët të kryejë këtë mision të shenjtë, si duket vendimtar për të ardhmen tonë dhe të vendit.

”Bota sot”: A nevojiten reforma në LDK për të dalë partia e parë në vend?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Reformat në LDK janë imperativ i kohës. Vetëm LDK si parti e dëshmuar institucionale, akademike dhe shtet formuese është në shërbim të vendit dhe zhvillimit të saj. Mos të harrojmë, se përgjatë ecjes së saj ajo pati shumë barrikada, vrasjet dhe atentatet ndaj kryetarit historik Ibrahim Rugova dhe veprimtarëve tjerë asnjëherë nuk e thyen, asnjëherë nuk e zmbrapsen edhe pse e dëmtuan. LDK me vdekjen e kryetarit Rugova humbi primatin si parti e parë përkohësisht dhe bëri reforma brenda saj, në lidershipin e saj. Ajo mbetet parti e hapur për njerëzit e rinj inovativ dhe të dëshmuar të cilët kanë hapësirën e tyre brenda orientimit të saj. Statusi i LDK dhe programi i saj nuk lejon që të dilet nga fryma zhvillimore, shtet ndërtuese dhe avancuese. Hierarkia e LDK -së punon vazhdimisht që organet e saj, trupat strukturale dhe Këshilli i përgjithshëm të freskohet me anëtarë të rinj të cilët e ruajnë identitetin e saj nëpër epoka të ndryshme. LDK është dhe do të mbetet parti e parë në vend në interes të qytetareve dhe kjo është dëshmuar ne kontinuitet.

Më shumë
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test