Na ndiqni

Hendboll

Shala: Të jemi konkurrent në Evropë

Më: 9 maj 2018 Në ora: 10:42
Faruk Shala

Data e 6 majit do të mbetet gjithmonë e shënuar me shkronja të arta për klubin e hendbollit Istogu sepse për herë të parë u stolis me Kupën e Republikës së Kosovës në konkurrencën e femrave. Vashat e Istogut me fat të madh e fituan finalen me rezultat 20:19 kundër Kastriotit nga Ferizaj, në ndeshjen që u luajt në palestrën e sportit ‘Karagaçi’ në Pejë.  Trajneri i Istogut, Faruk Shala, tha se kanë plane të mëdha, por sipas tij, në radhë të parë të rregullohet palestra sportive në Istog, që do të jetë një lehtësim i madh për ekipin. Shala tha se do të përforcohen edhe me disa lojtare të huaja e cilësore, si dhe flet edhe për telashet që kishte në ndeshjen finale dhe problemet psikike me lojtaret e tija.

“Bota sot”:  Istogu fiton Kupën e Kosovës për herë të parë në histori të saj, sa do ta motivojë për edicionin e ri?

Faruk Shala: Sigurisht është motiv shtesë për të ardhmen e klubit dhe normalisht për sezonin që vjen, pasi që është kupa e parë qe vjen në qytetin tonë në sportet elitare, dhe kjo ka ndikuar jo vetëm te drejtuesit e klubit dhe hendbollistet, por edhe të tërë qyteti dhe donatorët.

“Bota sot”: Istogu fiton me rezultat 20:19 ndaj Kastriotit dhe duke iu falënderuar fatit sportiv në çastet e fundit, kur dihet se ka disa reprezentuese, çfarë nuk funksionoi?

Faruk Shala: Sa i përket ndeshjes finale, fillimisht i kisha përgëzuar vashat e KHF Kastriotit për angazhim dhe lojë të mirë dhe janë meritore që u zhvillua një finale interesante, që krijoj edhe atmosferë finale, edhe për neve si skuadër ishte shumë e mirë që me pas për kundërshtar një skuadër të madhe e cila ka fituar shumë kupa dhe tituj, siç është Kastrioti, edhe pse vitet e fundit nuk ka skuadër kualitative si viteve me parë. Sidoqoftë disa lojtare me përvojë te Kastriotit kanë bërë një diferencë pozitive dhe është zhvilluar finale interesante për dashamirët e hendbollit.

Te skuadra ime problem kryesorë ka qenë gjendja e rënduar psikologjike e skuadrës, ngase para ndeshjes u krijua një atmosferë e zymtë, e tërë skuadra ka qarë dhe një pjesë e publikut, pasi që u kuptua që hendbollistja më e mirë e Kosovës Elma Kameri kishte pësuar një lëndim në ndeshjen finale dhe vajzat nuk janë ndier mirë, jo vetëm për faktin që së kishin ndihmën e saj, por edhe për faktin që po e humbte ndeshjen finale, që edhe për të ishte e para në karrierë, marr parasysh që hendbollistet e Istogut janë të reja në moshë dhe kjo ka qenë hera parë në një finale.

E kemi nisur ndeshjen shumë keq, skuadra e Kastriotit ka qenë shumë më agresive sidomos në fazën e mbrojtjes dhe kemi pas vështirësi për të shënuar, si do që të jetë në pjesën e dytë e kemi marrë lojën në dorë. Kemi luajtur më mirë dhe kemi arritur fitoren më të rëndësishme deri tani dhe shumë të merituar, ku erdhën në shprehje disa lojtare të reja debutuese në skuadrën e Istogu. Normalisht të gjitha ato i çmoj dhe i vlerësoj për angazhim dhe kontribut. Normalisht edhe përkrahja e shikuesve ka qenë shumë e madhe dhe në këtë ndeshje kemi pas lojtaren e 8-të, që deri me tani nuk kemi pas rast ta kemi.

“Bota sot”: Flitet se Istogu do të përforcohet me lojtare të Buduçnostit nga Podgorica, cila është e vërteta?

Faruk Shala: Normalisht skuadra pritet të ketë ndryshime, ngase synimet e klubit kanë ndryshuar krejtësisht dhe janë te drejtuara nga ndeshjet në Kupat e Evropës. Ne synojmë skuadër konkurruese, përpos organizimit të klubit, duhen lojtare të nivelit më të lart për të përballuar ndeshjet evropiane. Ne synojmë të sjellim të paktën tri lojtare të nivelit të lart. Po për momentin le të mbetet edhe për tifozët tanë që po rriten në numër çdo ditë dhe dashamirët, me prurjet e reja, te shohim gjithçka do të përfundon brenda 10 ditëve.

“Bota sot”: Fituat Kupën por mbetet pa titullin e kampionit, u dëmtuat apo?

Faruk Shala: Kupën e fituam sepse e deshëm dhe luftuam në terren për të. Sa i përket kampionatit jeni në dijeni për rrjedhën e përgjithshme, tani ka mbetur pas shpine për neve, misioni fillon këtu, të ndërtojmë një skuadër dominuese në hendbollin tonë, dhe mos të varemi as nga dëmtimet as nga kundërshtaret, po synojmë të jem superior dhe të jemi konkurrent në Evropë.

“Bota sot”: Çfarë i duhet Istogut?

Faruk Shala: Për momentin Istogut i duhet përfundimi i palestrës që është çelësi esencial për ne, kurse ne kemi punuar shum në organizim të klubit, do të thotë qysh sot  udhëheqësit kanë nënshkruar një kontratl për sponzorizim sipas ligjit për sponzorizim dhe donacione. Kemi nënshkruar me Shoqërinë Aksionare Bashkimi nga Istogu dhe jemi në përfundim të marrëveshjeve me disa donatorë, dy nga ta na kanë ndihmuar edhe në të kaluarën sidomos në këto ndeshje të Final 4, si ABCoating dh Companina Ibos, besoj që do t’i përfundon disa marrëveshje me bizneset e Istogut, të cilat kanë filluar të kenë interesim të madh dhe në këtë mënyrë ne arrijmë të realizojmë objektivat tona, që ato janë të njohura. Synojmë të marrim përvojë në Kupat Evropiane dhe KHF Istogu pas disa viteve të jetë skuadra e parë nga Kosova që do të paraqitet në Ligën e Kampionëve, që është synim jetësor i imi.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test