Na ndiqni

Gjilani

Ministrat Matoshi dhe Lluka premtojnë investime në Anomoravë

Nga: Mediat shqiptare Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 18:31
Matoshi dhe Lluka ne Gjilan

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sot kanë vizituar Komunën e Gjilanit dhe atë të Kamenicës, me ç ’rast kanë vizituar disa nga projektet që MMPH dhe MZHE-ja janë duke i përkrahur në këto dy komuna.

Gjatë vizitës në Komunën e Gjilanit, ministrat Matoshi dhe Lluka, janë takuar me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë vizituar KRU “Hidromorava”, dhe kanë parë punimet e projektit Lumi “Mirusha” dhe kapërderdhësen e Pendës së Përlepnicës.

Ministri Matoshi ka thënë se vëmendja e këtyre ministrive është e kthyer kah anamorava dhe projekte të tjera të reja do të vijnë së shpejti.

“Janë çështje që natyrshëm na lidhin ne si institucione andaj të gjithë së bashku do të japim kontributin tonë sepse janë projekte që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Të gjitha shqetësimet e Gjilanit janë edhe shqetësime tonat. Komuna e Gjilanit dhe ‘Hidromorava’ kanë punuar shumë edhe në ndërtimin e impiantit për ujërave të zeza dhe kjo na është konfirmuar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim”, deklaroi ministri Matoshi.

Ai tha se në Gjilan vitin që vjen vazhdohet deri në përfundimin e projektit të Lumit “Mirusha”, fillojnë punimet në lumin “Preshtevka” , investohet në parqet e gjelbërta të Gjilanit si dhe ndërtohet kanalizimi dhe shtrati I lumit të Dobërqanit.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se bashkë me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë projekte të përbashkëta në të mirë të qytetarëve të Gjilanit. “Këtu jemi për të diskutuar shumë projekte. Komuna e Gjilanit është më mirë se komunat tjera, mirëpo ka më shumë se 52 për qind humbje të ujit. Do të ndërrojmë gypat e azbestit dhe shumë veprime tjera. Në kuadër të projektit të efiqiencës do të ndërhyjmë në disa shkolla dhe në disa objekte publike. Me ministrin Matoshi kemi edhe projekte tjera të përbashkëta”, tha Lluka.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri falënderoi ministrat për bashkëpunim për realizimin e projekteve në Anamoravë. “Programet më të mëdha në Gjilan janë Mirusha, sanimi i pendës në Perlepnicës, efiçienca e energjisë në tri shkolla, ndërkaq me ministrinë e Ambientit po planifikojmë ndërtimin e parqeve dhe zonave të gjelbërua”, deklaroi Haziri.

Gjatë ditës, dy ministrat, Matoshi dhe Lluka, kanë vizituar edhe Komunën e Kamenicës, ku janë takuar me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati. Së bashku ata kanë mbikëqyrë punimet në realizimin e tri projekte “Ruajtja e ambientit dhe rekreacionit”, “Renovimi i Shtëpisë së Kulturës ‘Isa Kastrati’” si dhe “Ndërtimi i ujësjellësit, trotuarit dhe ndriçimit publik”. Me këtë rast, ministri Matoshi premtoi projektet të tjera për komunën e Kamenicës për vitin 2019.

“Sot patëm një vizitë në Komunën e Kamenicës, dhe punët po ecin mirë në realizimin e projekteve. MMPH-ja ka ndarë 240 mijë euro për rregullimit e ambientit dhe rekreacionit në Kamenicë dhe 80 mijë euro për ndërtimin e ujësjellësit në Kamenicë. Viti 2019 do të jetë vit i investimeve në komunën e Kamenicës që prekin direkt jetën e qytetarit”, deklaroi Matoshi.

Ministri Lluka tha është i lumtur që përmes MZHE-së po realizohet renovimi i objektit të Shtëpisë së Kulturës përmes projekteve të efiqiencës, dhe se pret që në 2019 të ketë edhe disa projekte nga Kamenica të kësaj natyre.

Ndërsa kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, falënderoi ministrin Matoshi dhe ministrin Lluka për bashkëpunimin në projektet që kanë të bëjnë me mirëqenien e banorëve të kësaj komune.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test