Na ndiqni

Gjakova

Tragjedia që tronditi Gjakovën midis Ligjit e Kanunit

Nga: kallxo Më: 28 shtator 2018 Në ora: 09:53
Gjakovë

Në 13 faqe aktakuzë Prokurori i Shtetit Agron Matjani ka dhënë versionin e prokurorisë për tragjedinë e 7 korrikut 2018 në Brekovc të Gjakovës.

Valbona Ndrecaj 34 vjeçare dhe vajza e saj Klara 9 vjeçare u qëlluan me kallashnikov në kokë nga plumbat, që pretendohet se u shkrepën nga burri, përkatësisht babai, Pjetër Ndrecaj. Aktakuza shpjegon se Valbona ishte goditur në gjoks dhe kokë ndërsa vajza Klara ishte goditur prapa veshit.

Prokuroria shpjegon qartë konfliktin e qiftit dhe funksionimin e dy sistemeve të ndryshme për zgjidhjen e problemeve në familje, ligjit të shtetit dhe atij të kanunit.

Disa javë para vrasjes Pjetri ishte arrestuar nga policia, i dyshuar për sulm ndaj gruas së tij. Ai ishte paraburgosur për 30 ditë ndërsa pas lirimit kishte nisur zgjidhjen e problemit të tij në baza kanunore.

Në kohën kur prokuroria e Gjakovës po merrej me hetimin e rrahjes së Valbonës, Pjetri kishte mbledhur burrat dhe sipas asaj që quhet zakon kishte shkuar në familjen e Valbonës për të tentuar pajtimin me Valbonën.

Dëshmitarë i kanë thënë prokurorisë se gjashtë burra përfshirë Pjetrin dhe të vëllain kishin qëndruar ditën kritike në shtëpinë e familjes së Valbonës.

Aty, siç shkruhet në aktakuzë ishin pritur nga familja me kafe e raki. Daja i Valbonës ka rrëfyer në prokurori se i kishte takuar qiftin në korridorin e shtëpisë, ai përshkruan se Pjetri i kishte rënë në gjunjë ish gruas së tij, por Valbona nuk kishte pranuar të rikthehej te burri i saj. Vëllai i viktimës ka rrëfyer në prokurori se motra e tij ishte probleme me burrin pasi ai e keqtrajtonte. Siç shkruhet në aktakuzë Valbona ishte rrahur publikisht gjatë një dasme nga Pjetri. Version tjetër që kishte dhënë vëllai i Pjetrit, ai në deklaratën në prokurori kishte thënë se qifti kishte jetuar pa probleme.

Kur burrat ishin larguar nga shtëpia Pjetri kishte nisur të përdorte metodën tjetër atë të kërcënimeve për ta bindur Valbonën të rikthehej.

“Tash të pret një dhuratë e bukur ty dhe lalushit do t’i dhemb zemra” i kishte shkruar Pjetri Valbonës në një mesazh telefonik.

Familja kishte vendosur që sërish të kërkonte ndihmën e ligjit dhe të shtetit për ta mbrojtur Valbonën.

Vëllai i Valbonës ka treguar se pasi nuk ishte arritur marrëveshja për pajtim mes motrës dhe dhëndrit, ky i fundit i kishte telefonuar Valbonës edhe më pas, gjatë asaj dite, duke e kërcënuar dhe shantazhuar.

Si rezultat, Valbona me dy vëllezër kishte shkuar në Polici në Gjakovë dhe e kishin paraqitur rastin.

Zyrtarët policor nuk kishin ditur si t’a kualifikojnë veprën penale, si kanosje, kërcënim apo ngacmim.

Sipas dëshmisë së Kujtim Markut, Valbona kishte kërkuar siguri nga Policia e Gjakovës, “sepse Pjetri nuk rri asnjëherë pa armë“.

“Në rregull është, sepse tash do të merremi ne me të”, i kishin thënë Policia. Pjetri në deklaratën e tij kishte thënë se kallashnikovin e kishte blerë para dy vitesh.

Policia rezultoi se nuk kishte arritur ta zbulonte as armën e as Pjetrin deri pas vrasjes.

Familja ka shprehur dyshime në punën e policisë edhe para prokurorit. Disa ditë para vrasjes dy polic e kishin shoqëruar Pjetrin për te familja e Valbonës për t’i marrë dy nga tre fëmijët.  Policët sipas dëshmitarëve të uniformuar nuk kishin asnjë urdhër nga gjykata për ta kryer këtë veprim. Hetimet e Inspektoriatit policor, të kryera pas ngjarjes kanë ngritur dyshime se gjatë marrjes së fëmijëve, policët nuk kishin vepruar sipas ligjit.

Aktakuza shpjegon se nga stacioni i policisë Valbona ishte kthyer në shtëpinë e vëllezërve.

Në mbrëmje, Pjetri kishte ardhur në shtëpinë e miqve dhe në momentin që e ka parë Valbonën ka shkrepur kallashnikovin.

Plumbat e kishin rrokur në pjesë të ndryshme Valbonën. E tri plagë i janë shkaktuar edhe vajzës së mitur, cila do të vdiste pak minuta më vonë në Spitalin e Gjakovës, ku familjarët e kishin çuar atë dhe nënën e saj me vetura të Policisë.

Ndërsa, i pandehuri, sipas aktakuzës, pasi ka përshkruar takimin mes miqve dhe përpjekjet për t’u bashkuar me Valbonën, ka treguar se kishte shkuar në shtëpi dhe e kishte marrë armën e më pas kishte shkuar te shtëpia ku jetonin vëllezërit e bashkëshortes së tij. Ka thënë po ashtu se armën e kishte marrë vetëm për ta frikësuar Valbonën në mënyrë që ajo të kthehej.

Pjetër Nrecaj ka thënë se kur ka shkuar te shtëpia e miqve ka parë Valbonën, nënën e saj dhe vëllezërit dhe se njëri prej tyre ia ka përplasur derën për fytyrë e tjetri ka pasur pushkë të gjatë në dorë dhe se nga frika ka shkrepur armën e tij në mënyrë të pakontrolluar dhe kur ka dalë jashtë ka shtënë në ajër.

Deklarata e Pjetrit është kontestuar nga vëllezërit e Valbonës ata kanë deklaruar se në asnjë rrethanë  dera nuk ishte përplasur në fytyrën e ish dhëndrit të tyre.

Aktakuza e prokurorit Agron Matjani tregon edhe amanetin e Pjetrit për të vëllain, të cilin e kishte telefonuar pak minuta pas vrasjes. “Baca Prek e kam vra Valbonën, amanet fëmijët” i kishte thënë Pjetri të vëllait në një telefonatë pak minuta pas ngjarjes.

kallxo
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test