Na ndiqni

Fejtone

Historia e dhimbshme e Fadil Capos nga dukati dhe familjes se tij. si u takua Velide Capo me tre fëmijët e saj pas 12 vitesh!

Nga: LULJETA PROGNI Më: 20 janar 2018 Në ora: 08:42
Ilustrim

Ishte vetëm gjashtë vjeç kur pa ti mjegullohej imazhi i nënës nëpër xhadenë e Dukatit, pranverën e vitit 1948. Fadil Çapo është sot 76 vjeç por e kujton si sot atë ditë… Na pret mjaft i emocionuar ne shtepine e tij pranë portit të Vlorës. Pyet se kush na ka treguar për historinë e tij… Shikimin e ka të mjergullt, duart i dridhën, njërën këmbë e ka prej druri sepse e ka humbur për shkak të diabetit. Dhimbja ka lënë shumë gjurmë në portretin e Fadilit. Por ai mban mënd mirë mundimet e jetës, qysh kur ishte fëmijë në Dukat, pa nënë dhe pa baba e më pas në kampet e internimit në Plug e Saver. Pjesa më e dhimbshme është padyshim ikja e nënës.

Dukat 1948. Në portën e madhe të familjes Çapaj dëgjohen trokitjet e forta dhe britmat e policëve. E zonja e shtëpisë, Valideja, me foshnjen dy muajshe në duar, del me nxitim për të hapur portën. “Ç’kërkoni?” i pyet. Policët hyjnë me furi brenda oborrit. Një prej tyre e nxjerr jashtë dhe i thotë ashpër “Do vish me ne”. Një tjetër nxjerr në rrugë edhe dy djemtë më të rritur: Eqeremin dhe  Idaiun, mbi 14 vjeç. Tre fëmijët e tjerë më të vegjël, Fadili 6 vjeç, Floriana 7 vjeç dhe Lefteri 4 vjeç shohin të hutuar, pa kuptuar se çfarë po ndodh. Policët bastisin shtëpinë, mbyllin dyert me çelës dhe dalin jashtë duke shoqëruar me forcë nënën me foshnjen dhe dy të rinjtë, e më pas largohen. Gjithçka ndodh për disa minuta. Tre të miturit dalin tek porta e madhe dhe duan t’i ndjekin, por një prej policëve kthehet dhe iu bërtet të kthehen. Qëndrojnë tek porta e madhe duke ndjekur me sy nënën me foshnjen në duar dhe vëllezërit që ecin drejt qendrës së Dukatit.

Para shtëpisë së madhe të gurtë ka rënë heshtja. Një heshtje që fillon t’i trembë fëmijët. Lefteri fillon të qajë me dënesë, ndërsa dy më të mëdhenjtë, Flora dhe Fadili, mundohen ta qetësojnë edhe pse janë po aq të trembur sa ai. Mbyllin portën dhe ulen në shkallët e shtëpisë duke pritur me shpresën se nëna do të kthehet së shpejti. Pas orësh të tëra pritje, errësira ka rënë mbi Dukat dhe fëmijët fillojnë të mendojnë për t’u strehuar diku. Dera e shtëpisë është mbyllur, nuk mund të hyjnë. Aty përpara gjenden lëpushat ku çlodhen lopët kur vijnë nga kullota. Shtrihen të tre aty pa folur. Lefteri i lodhur nga e qara mbyll sytë dhe fle i pari, ndërsa Fadili dhe e motra edhe pse nuk flasin mendojnë të njëjtën gjë “Kur do të kthehet nëna?”.

Të nesërmen në mëngjes Fadili shkon me vrap për të hapur portën. Pret aty me sytë nga rruga për të dalluar ndonjë hije njeriu a ndonjë zhurmë, por asgjë nuk lëviz. Edhe pas disa orësh, kur dielli ka arritur në kupë të qiellit askush nuk po duket. E motra ndez një zjarr me dru dhe zjen disa misra që janë varur në hangarin e lopëve. Presin gjithë ditën derisa errësira mbulon përsëri fshatin.

E njëjta ditë pritje me portën hapur përsëritet. Të tre fëmijët ndjehen të uritur e të lodhur, por më shumë se çdo gjë i druhen frikës se ç’u bë me nënën, vëllezërit dhe motrën e tyre të vogël. Pas 7 ditësh dëgjojnë një zhurmë makine mbi xhade dhe dalin me vrap para portës. Nga lart po dukej vërtet një makinë që zbriste nëpër kthesa duke u anuar sa andej këtej. Fëmijët presin me ankth: Të jetë nëna në makinë?

Makina afrohet me ngadalë, por nuk po arrijnë të shquajnë asnjë të njohur. Pas pak kalon para tyre, plot me njerëz në karroceri dhe në fund të saj, mbështetur në spond Fadili arrin të dallojë nënën. Valideja i thotë diçka, por fëmijët nuk arrijnë të kuptojnë gjë. Fadili vrapon pas pluhurit që ngre makina për disa metra… Më pas makina zhduket pas një qafe dhe gulçima e saj shuhet. Lotët i rrjedhin në faqe. E kupton se nëna do të shkojë larg, shumë larg dhe do të vonohet shumë, shumë më tepër se këto 7 ditë.

Më shumë
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test