Na ndiqni

Evropë

"Amnesty International" kritikon ligjin francez kundër terrorizmit

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 08:30
Paris

Ligjet franceze të terrorizmit janë në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë, sipas Organizatës “Amnesty International”. Ky grup i mbrojtjes së të drejtave të njeriut argumenton se legjislacioni i paraqitur për të zëvendësuar gjendjen e jashtëzakonshme pas sulmeve terroriste të kohëve të fundit, vendos kufizime të panevojshme ndaj të dyshuarve për terrorizëm, para se ata të kenë kryer ndonjë krim, me pak mbikëqyrje gjyqësore.

Franca këtë muaj shënoi përvjetorin e tretë të sulmeve terroriste të Parisit, ku u vranë 130 vetë.

Në përgjigje të këtij sulmi, qeveria shpalli një gjendje emergjente dyvjeçare, që u zëvendësua në vitin 2017 nga një ligj i ri anti-terror i quajtur SILT - "Forcimi i Sigurisë së Brendshme dhe Lufta kundër Terrorizmit".

Amnesty International thotë se ligji i ri i jep kompetenca të gjera shtetit, me pak mbikëqyrje.

"Urdhërat për kontrolle e lejojnë qeverinë që të kontrollojë lëvizjen e individit jashtë sistemit të drejtësisë penale, pra pa ngritjen e një padie, pa u dhënë atyre të drejtën e një procesi gjyqësor. Kështu ata kontrollojnë lëvizjet e një individi, për shembull, duke ua ndaluar atyre shkuarjen në qytete të caktuara, duke kërkuar që ata të raportojnë në polici dhe duke ua ndaluar të drejtën për të kontaktuar individë të caktuar", - thotë Eda Sejhan nga organizata Amnesty International.

Franca ka përjetuar disa incidente terroriste në shkallë të gjerë gjatë viteve të fundit, si ai në zyrat e revistës Charlie Hebdo, sulmet e nëntorit të vitit 2015 dhe sulmi me kamion në Ditën e Bastijes në Nis, në vitin 2016, në të cilin u vranë 87 veta.

Qeveria kombëngul se natyra dhe shkalla e kërcënimit i bën të nevojshme masat e jashtëzakonshme për të monitoruar të dyshuarit dhe për të parandaluar sulme të tjera të mundshme. Disa vende të tjera në Evropë po ndjekin shembullin e Francës.

"Parlamenti holandez miratoi një ligj që përfshin kompetenca të ngjashme me ato që parasheh ligji në Francë. Kemi parë gjithashtu një zgjerim të kompetencave të policisë federale gjermane. Në parlamentin federal zviceran tani po shqyrtohet një ligj për "individë që mund të jenëtë rrezikshëm", - i cili gjithashtu është subjekt i kufizimeve mjaft të rënda", thotë zonja Sejhan.

Organizata Amnesty International thotë se e kupton nevojën e shteteve për të miratuar ligje për t’u mbrojtur nga terrorizmi, por argumenton se ato duhet të operojnë nën parimet ekzistuese themelore të drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut./voa

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test